Sipas Gjonit 18:1-40

  • Juda tradhton Jezuin (1-9)

  • Pjetri përdor shpatën (10, 11)

  • Jezuin e çojnë te Hanai (12-14)

  • Mohimi i parë i Pjetrit (15-18)

  • Jezui përpara Hanait (19-24)

  • Mohimi i dytë dhe i tretë i Pjetrit (25-27)

  • Jezui përpara Pilatit (28-40)

    • «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote» (36)

18  Pasi u lut për këto gjëra, Jezui bashkë me dishepujt shkuan në një kopsht+ matanë luginës së Kidronit.*+  Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte vendin, sepse Jezui shkonte shpesh atje me dishepujt e vet.  Kështu Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e krerëve të priftërinjve e të farisenjve, dhe vajti atje me pishtarë, llamba dhe armë.+  Jezui, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, doli përpara dhe i pyeti: «Kë po kërkoni?»  Ata iu përgjigjën: «Jezuin, nazareasin.»+ Ai u tha: «Unë jam.» Mes tyre ishte edhe Juda, tradhtari.+  Mirëpo, kur Jezui u tha «unë jam», ata u sprapsën dhe ranë përtokë.+  Prandaj ai i pyeti përsëri: «Kë po kërkoni?» Ata i thanë: «Jezuin, nazareasin.»  Jezui u përgjigj: «Ju thashë se jam unë. Prandaj, nëse po më kërkoni mua, lërini këta burra të ikin.»  Këtë e bëri që të përmbushej çfarë kishte thënë: «Nga ata që më ke dhënë, nuk humba as edhe një.»+ 10  Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori dhe goditi skllavin e kryepriftit e i preu veshin e djathtë.+ Skllavi quhej Malk. 11  Por Jezui i tha Pjetrit: «Fute shpatën në mill.*+ A nuk duhet ta pi kupën që më ka dhënë Ati?»+ 12  Atëherë ushtarët, komandanti i tyre dhe rojat e judenjve e arrestuan* Jezuin dhe e vunë nën vargonj. 13  Në fillim e çuan te Hanai, meqë ishte vjehrri i Kajafës+ që atë vit ishte kryeprift.+ 14  Kajafa ishte ai që u kishte sugjeruar judenjve se ishte në dobi të tyre të vdiste një njeri për popullin.+ 15  Ndërkohë Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër po e ndiqnin Jezuin.+ Ai dishepull ishte një i njohur i kryepriftit, prandaj hyri me Jezuin në oborrin e kryepriftit, 16  kurse Pjetri ndenji jashtë te dera.* Prandaj dishepulli që njihte kryepriftin, doli e i foli shërbëtores, domethënë portieres, dhe e futi brenda Pjetrin. 17  Ajo i tha Pjetrit: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e këtij njeriu?» Ai iu përgjigj: «Nuk jam.»+ 18  Tani skllevërit dhe rojat po rrinin atje rreth një zjarri me qymyr, sepse ishte ftohtë e po ngroheshin. Edhe Pjetri po rrinte me ta e po ngrohej. 19  Ndërkaq kreu i priftërinjve e pyeti Jezuin për dishepujt dhe për ato që mësonte. 20  Jezui iu përgjigj: «Unë i kam folur botës hapur. Kam mësuar gjithnjë në sinagogë dhe në tempull,+ ku mblidhen gjithë judenjtë, dhe nuk kam thënë asgjë në fshehtësi. 21  Pse më pyet mua? Pyet ata që i kanë dëgjuar mësimet e mia. Ata e dinë çfarë kam thënë.» 22  Kur tha këto fjalë, një nga rojat që ishte atje i dha Jezuit një shuplakë fytyrës+ dhe i tha: «Kështu i përgjigjesh kreut të priftërinjve?!» 23  Jezui iu përgjigj: «Nëse fola gabim, më trego* gabimin, por nëse fola drejt, pse më qëllon?» 24  Atëherë Hanai e dërgoi nën vargonj te kryeprifti Kajafa.+ 25  Ndërkohë Simon Pjetri po rrinte ende pranë zjarrit e po ngrohej. Atëherë ata e pyetën: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e tij?» Ai e mohoi: «Nuk jam.»+ 26  Njëri nga skllevërit e kryepriftit, një farefis i atij që Pjetri i preu veshin,+ i tha: «Unë të pashë në kopsht me të, apo jo?» 27  Mirëpo Pjetri e mohoi përsëri dhe menjëherë një gjel këndoi.+ 28  Pastaj, nga Kajafa, Jezuin e çuan në pallatin e guvernatorit.+ Ishte mëngjes herët. Judenjtë vetë nuk hynë në pallatin e guvernatorit që të mos ndoteshin,+ por të kishin mundësi të hanin darkën e Festës së Kalimit.* 29  Kështu Pilati doli përjashta tek ata dhe i pyeti: «Ç’akuzë keni kundër këtij njeriu?» 30  Judenjtë iu përgjigjën: «Po të mos ishte kriminel* ky njeri, nuk do të ta kishim dorëzuar.» 31  Atëherë Pilati u tha: «Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj.»+ Ata i thanë: «Për ne nuk është e ligjshme të vrasim njeri.»+ 32  Kjo ndodhi që të përmbusheshin fjalët që kishte thënë Jezui kur tregoi në ç’mënyrë do të vdiste pas pak.+ 33  Kështu, Pilati hyri përsëri në pallatin e guvernatorit, thirri Jezuin dhe e pyeti: «A je ti Mbreti i judenjve?»+ 34  Jezui u përgjigj: «Po e thua këtë nga vetja, apo të treguan të tjerët për mua?» 35  Pilati ia ktheu: «Mos jam jude unë? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë. Çfarë ke bërë?» 36  Jezui i tha:+ «Mbretëria ime nuk është pjesë e* kësaj bote.+ Nëse Mbretëria ime do të ishte pjesë e kësaj bote, dishepujt e mi do të kishin luftuar që të mos u dorëzohesha judenjve.+ Por, faktikisht, Mbretëria ime nuk është nga kjo botë.» 37  Pastaj Pilati e pyeti prapë: «A je mbret, atëherë?» Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po thua se jam mbret.+ Për këtë linda dhe erdha në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.+ Kushdo që është në anën e së vërtetës, e dëgjon zërin tim.» 38  Pilati i tha: «Çfarë është e vërteta?» Pas këtyre fjalëve, ai doli përsëri te judenjtë dhe u tha: «Unë nuk gjej asnjë faj tek ai.+ 39  Përveç kësaj, ju keni një zakon që në Festën e Kalimit unë t’ju lë të lirë një të burgosur.+ A doni t’ju liroj Mbretin e judenjve?» 40  Ata bërtitën: «Jo këtë njeri, po Barabën!» Mirëpo Baraba ishte një kusar.+

Shënimet

Ose «përroit dimëror të Kidronit».
Ose «këllëf».
Ose «e kapën».
Ose «hyrja».
Ose «më jep prova për».
Ose «të hanin Pashkën». Shih Fjalorthin.
Ose «keqbërës».
Ose «nuk i përket».