GJEORGJIA | 1991-1997
Barinj të dashur japin stërvitje
Në fillim të viteve 90, shumica e kongregacioneve në Gjeorgji kishin vetëm një plak ose shërbëtor ndihmës. Në përgjithësi kongregacionet përbëheshin nga grupe të ndryshme, të cilat i mbanin mbledhjet më vete, meqenëse lajmëtarët ishin të shpërndarë në disa qytete e fshatra.
Joni Shalamberidzeja dhe Pavle Abdushelishvili, të cilët tashmë kishin shërbyer në territore të largëta, u caktuan të ndihmonin në Telav, qytet në zonën e Kaketit. Kongregacioni i atjeshëm kishte 300 lajmëtarë, por asnjë plak. Ai përbëhej nga 13 grupe që mblidheshin në vende të ndryshme.
Joni dhe Pavleja sugjeruan që vëllezërit t’iu kërkonin ndihmë bashkëbesimtarëve për të mbledhur të korrat. Në këtë mënyrë, ata do të përfitonin nga shoqëria e mirë ndërsa bënin punët e bujqësisë. (Ekl. 4:9, 10) Joni thotë: «Lidhjet e dashurisë vëllazërore në kongregacion u forcuan edhe më shumë.» Kur Joni dhe Pavleja u larguan nga Kaketi tre vjet më vonë, atje kishte 5 pleq dhe 12 shërbëtorë ndihmës vendës.
Mbledhjet përmirësojnë aftësitë në predikim
Vepra jonë ishte në ndalim deri në fillim të viteve 90, prandaj Dëshmitarët mblidheshin në grupe të vogla vetëm për Studimin e Librit të Kongregacionit dhe për studimin e Kullës së Rojës. Këto mbledhje ishin inkurajuese, por nuk kishin për qëllim t’i stërvitnin lajmëtarët për shërbim.
Kjo gjë ndryshoi kur ra regjimi komunist. Tani drejtimi i organizatës së Jehovait ishte që në mbledhjet javore të përfshiheshin edhe Shkolla e Stërvitjes për Shërbim dhe Mbledhja e Shërbimit.
Naili Kutsishvili dhe motra e saj, Lali Alekperova, i kujtojnë me mall ato mbledhje. Lali sjell ndër mend: «Ishin kohë të bukura. Të gjithë fluturonin nga gëzimi ngaqë në program mund të merrnin pjesë edhe motrat.»
Naili tregon: «Në një demonstrim e zonja e shtëpisë po lexonte gazetën në podium kur dëgjoi një të trokitur në derë. Kur i ftoi brenda dy motrat, ato hynë nga dera kryesore e sallës dhe shkuan drejt e në podium.» Lali vazhdon: «Sado të çuditshme që ishin ato mbledhje, na ndihmuan të përmirësonim aftësitë në predikim.»
Nevojitet më shumë ushqim besimforcues
Për vite me radhë, disa vëllezër kishin përdorur një makinë fotokopjuese dore për të bërë kopje të botimeve biblike në shtëpi. Që të plotësonin kërkesën në rritje për botime, tani vëllezërit iu drejtuan shtypshkronjave për të shtypur revistat tona me çmim të arsyeshëm.
Vëllezërit tregoheshin të shkathët tek përgatitnin tekstin bazë për shtypje. Teksti i përkthyer në gjeorgjisht shtypej me kujdes njëlloj si formati i revistës origjinale në anglisht. Pastaj vëllezërit pritnin figurat nga revista origjinale e i ngjitnin në dokumentin e shtypur. Në fund, pritnin shkronja nga gazeta që kishin stil shkrimi tërheqës dhe i ngjitnin në kopertinën e revistës në anglisht. Kështu kopja bazë ishte gati për shtypje.
Kur dolën kompjuterët personalë, dy vëllezër të rinj, Levani Kopaliani dhe Leri Mirzashvili, bënë kurse që të mësonin t’i përdornin sa më mirë. Leri kujton: «S’kishim përvojë e gjërat nuk shkonin gjithnjë vaj, por me ndihmën e Jehovait shpejt po shtypnim dhe po faqosnim revistat tona.»
Pavarësisht nga vështirësitë, kongregacionet anekënd Gjeorgjisë filluan të merrnin revista katërngjyrëshe të shtypura atje. Sidoqoftë, me kalimin e kohës u bë e
vështirë të plotësoje kërkesën gjithnjë e në rritje për botime biblike. Pikërisht në kohën e duhur, shërbëtorët e Jehovait në Gjeorgji morën drejtim të dashur nga organizata e Jehovait.Një pikë kthese
Kongresi ndërkombëtar i vitit 1992 në Shën Pjetërburg të Rusisë iu dha vëllezërve gjeorgjianë mundësinë të takonin përfaqësues të degës së Gjermanisë. Genadi Gudadzeja tregon: «Ata na shpjeguan se si bëhet puna e përkthimit dhe na thanë se më vonë dikush do të vinte të na ndihmonte me të.»
Të shtypje botime në gjeorgjisht nuk ishte aspak e lehtë. Meqë kjo gjuhë ka një lloj shkrimi unik, Sistemi Elektronik Shumëgjuhësh për Botim (MEPS) nuk e përmbante alfabetin gjeorgjian. Prandaj duhej krijuar një lloj shkrimi i ri për faqosje dhe printim.
Në fund të viteve 70, familja gjeorgjiane Datikashvili emigroi në Shtetet e Bashkuara. Më vonë, një nga fëmijët, Marina, njohu të vërtetën. Ajo u dha një ndihmë të jashtëzakonshme vëllezërve në Bethelin e Bruklinit kur filluan të vizatonin çdo shkronjë të alfabetit gjeorgjian që ta bënin pjesë të sistemit MEPS. Shpejt në Gjermani u shtypën disa fletushka dhe broshura Ja, po bëj çdo gjë të re.
Ndihmë në organizimin e punës së përkthimit
Në vitin 1993 Majkëll Flekenshtaini dhe gruaja e tij, Silvia, nga dega e Gjermanisë, shkuan në Tbilis për të hapur një zyrë përkthimi. «Ende kisha në mendje mbledhjen në Shën Pjetërburg. Pasi mbërritëm në Tbilis
18 muaj më vonë u habitëm kur na prezantuan me një skuadër përkthimi që funksiononte më së miri»,—thotë Majkëlli.Brenda disa muajsh, një grup prej 11 përkthyesish në kohë të plotë po punonin në një zyrë që ndodhej në një apartament të vogël. Falë stërvitjes së çmuar të organizatës së Jehovait, kongregacioneve po iu dërgoheshin vazhdimisht botime biblike.
Sigurojnë ushqim frymor në kohë trazirash
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik po ndodhnin trazira shoqërore e konflikte etnike edhe në shumë ish republika të tjera. Gjeorgjia nuk bënte përjashtim. Si rrjedhojë, udhëtimi—veçanërisht kalimi i kufijve—u bë i rrezikshëm.
Një ditë, në nëntor 1994, Aleko Gvritishvili po kalonte kufirin me dy vëllezër të tjerë, kur një grup burrash të armatosur i ndalën dhe i urdhëruan të dilnin nga makina. Alekoja tregon: «Kur panë literaturën biblike, u acaruan. Na rreshtuan sikur do të na ekzekutonin. Iu lutëm
me zjarr Jehovait. Pas afro dy orësh, njëri prej tyre na tha: ‘Merrni literaturën tuaj dhe ikni! Ama, bën vaki të ktheheni, do t’i vëmë flakën makinës suaj e do t’ju heqim qafe.’»Edhe pse u frikësuan, vëllezërit vazhduan të shpërndanin ushqim besimforcues. Vëlla Zaza Jikurashvili, i cili bëri sakrifica të mëdha për të sjellë botime biblike në Gjeorgji, thotë: «E dinim se vëllezërit kishin nevojë për ushqim besimforcues. Gratë tona të shtrenjta na mbështetën jashtë mase.»
Alekoja shprehet: «Shumë nga vëllezërit që merreshin me transportin e literaturës ishin familjarë.» Ç’i shtynte të merrnin përsipër atë rrezik? Alekoja shton: «Së pari, ishte mirënjohja e thellë për Jehovain dhe dashuria për të. Së dyti, donim të pasqyronim kujdesin e Jehovait për motrat dhe vëllezërit tanë të dashur.»
Falë frymës vetësakrifikuese të këtyre vëllezërve, dërgimi i literaturës nuk reshti kurrë gjatë viteve të trazirave. Më vonë vëllezërit gjetën rrugë më të sigurta nga Gjermania në Gjeorgji.
Inkurajim në kohën e duhur
Kur situata politike u normalizua në vitin1995, Dëshmitarët morën masa që të mbanin kongresin e parë krahinor. Në verën e vitit 1996, rreth 6.000 delegatë nga e gjithë Gjeorgjia ndoqën kongreset krahinore në tri vende: Gor, Marneul dhe Tsnor.
Kongresi që u mbajt afër Gorit ishte veçanërisht i paharrueshëm për pjesëmarrësit. Sa ndryshe nga koha kur vëllezërit nuk ishin fare të sigurt nëse vendi i
Përkujtimit do të mbushej! Tani pritnin që të vinin mbi dy mijë veta, por s’po gjenin dot vend për aq shumë njerëz. Prandaj vendosën ta mbanin kongresin jashtë, në mal, në një zonë të bukur kampingu jo larg qytetit.Vëlla Kako Lomidzeja, i cili shërbeu në Komitetin e Kongresit, thotë: «Pas programit, motrat dhe vëllezërit kaluan kohë së bashku duke kënduar e duke shijuar shoqërinë e njëri-tjetrit. Të gjithëve u ra në sy lidhja e fortë e dashurisë mes popullit të Perëndisë.»—Gjoni 13:35.
Masa të dashura që sjellin rritje
Që nga viti 1996 u morën masa që mbikëqyrësit udhëtues të vizitonin çdo kongregacion në Gjeorgji për një javë. Që të arrihej ky synim, u emëruan mbikëqyrës të rinj përkrah vëllezërve që tashmë po shërbenin si të tillë në vend.
Pa dyshim, ‘mundi falë dashurisë’ dhe shërbimi besnik i këtyre mbikëqyrësve udhëtues ndihmuan që kongregacionet të rriteshin dhe t’i zbatonin më mirë udhëzimet teokratike. (1 Sel. 1:3) Nga viti 1990 deri 1997 rritja ishte me të vërtetë marramendëse. Në vitin 1990 e raportuan shërbimin 904 lajmëtarë, dhe vetëm pas shtatë vitesh lajmin e mirë po e shpallnin 11.082 veta.
Rritja që kishte filluar dekada më parë u bë e dukshme dhe përfshiu gjithë vendin. Megjithëkëtë, Jehovai kishte rezervuar bekime të tjera për popullin e tij në Gjeorgji.