Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kongregacioni i Surabajës, 1954

INDONEZIA

Vijnë misionarët e Galaadit

Vijnë misionarët e Galaadit

Në korrik të vitit 1951 kongregacioni i vogël në Xhakartë u mblodh që të mirëpriste Piter Vanderhakenin, misionari i parë i stërvitur në Galaad që hyri në Indonezi. Deri në fund të atij viti erdhën 13 misionarë të tjerë nga Australia, Gjermania dhe Holanda, gati duke e dyfishuar kështu numrin e lajmëtarëve në vend.

Fredrika Renskersi, një misionare holandeze, sillte ndër mend: «E imagjinoja veten duke komunikuar me shenja në predikimin shtëpi më shtëpi. Por, meqë aq shumë veta flitnin holandisht, në fillim predikoja kryesisht në atë gjuhë.» Kurse Ronald Xhaka nga Australia tregonte: «Disa prej nesh përdornin një kartë dëshmie me një fjalim të shkurtër në indonezisht. I hidhja një sy kartës para se të trokitja në çdo derë dhe mundohesha ta thosha përmendsh.»

Me shembullin e shkëlqyer që lanë misionarët, vetëm brenda një viti numri i lajmëtarëve u rrit shpejt nga 34 në 91. Më 1 shtator 1951 në shtëpinë e Andrea Eliasit, në Xhakartën Qendrore, u themelua një zyrë dege e Shoqatës Watch Tower. Ronald Xhaka u caktua shërbëtor dege.

Predikohet në territore të reja

Në nëntor 1951 Piter Vanderhakeni u caktua në Manado, Celebesi Verior, ku Teo Rati me të shoqen kishin formuar një grup të vogël. Pjesa më e madhe e vendësve thoshin se ishin të krishterë dhe tregonin mjaft respekt për Fjalën e Perëndisë. Shumë i ftonin brenda Dëshmitarët dhe u kërkonin t’u shpjegonin doktrinat biblike. Shpesh flitnin me grupe prej dhjetë vetash. Pas 15 minutash, bëheshin rreth 50 veta. Brenda një ore, u duhej të dilnin në oborr, sepse dëgjuesit arrinin deri në 200 veta.

Në fillim të vitit 1952, Albert dhe Xhina Maltbi hapën një shtëpi misionare në Surabajë, në Javën Lindore, qyteti i dytë më i madh në Indonezi. Me ta u bashkuan edhe gjashtë misionare të tjera—Gertrudë Oti, Fredrika Renskersi, Suzi e Mariana Stuvei, Evelinë Plati dhe Mimi Harpi. Fredrika Renskersi thotë: «Shumica e vendësve nuk ishin myslimanë të flaktë dhe tregoheshin goxha miqësorë. Dukej sikur mjaft veta mezi po e pritnin të vërtetën dhe ishte e lehtë të filloje studime biblike. Brenda tre vjetësh, kongregacioni i Surabajës arriti në 75 lajmëtarë.»

Misionarë në Xhakartë

Në atë periudhë, Azisi, një mysliman nga Padangu, Sumatra Perëndimore, i shkroi zyrës së degës që ta ndihmonin të mësonte më shumë për Perëndinë. Ai kishte studiuar me pionierë australianë gjatë viteve 30, por i kishte humbur lidhjet me ta gjatë pushtimit japonez. Pastaj gjeti rastësisht një broshurë të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Ai shkroi: «Kur pashë adresën e Xhakartës në broshurë, më gufoi zemra nga gëzimi.» Zyra e degës dërgoi pa vonesë në Padang mbikëqyrësin qarkor, Frans van Vlitin. Ai mori vesh se Azisi kishte folur me komshiun e tij, Nazar Risin, një nëpunës civil që donte me zjarr të mësonte për Perëndinë. Të dy këta pranuan të vërtetën familjarisht. Vëlla Azisi u bë një plak besnik. Kurse Nazar Risi u bë pionier special dhe shumë nga fëmijët e tij janë Dëshmitarë të zellshëm sot.

Frans van Vliti dhe motra e tij më e vogël, Neli

S’kaloi shumë dhe Frans van Vliti vizitoi një vëlla joaktiv holandez që po rindërtonte një rafineri nafte të dëmtuar nga lufta në Balikpapan, në Kalimantanin Lindor. Fransi doli me të në shërbim dhe e nxiti të studionte me disa të interesuar. Para se vëllai të kthehej në Holandë, kishte formuar një grup të vogël në Balikpapan.

Më vonë, një motër e sapopagëzuar, Titi Kutini, u transferua në Banxharmasin, në Kalimantanin Jugor. Ajo u predikoi të afërmve në komunitetin e dajakëve, ku ndihmoi shumë prej tyre të merrnin të vërtetën. Disa nga ata të rinj në të vërtetën u kthyen në fshatrat e tyre të thella në Kalimantan dhe formuan grupe që u bënë kongregacione të forta.

Më shumë botime në indonezisht

Teksa vepra e predikimit përhapej me shpejtësi, vëllezërit kishin nevojë për më shumë botime në indonezisht. Në vitin 1951 u përkthye në indonezisht libri Le të dalë Perëndia i vërtetë, por shteti bëri ndryshime në drejtshkrimin e gjuhës indoneziane, dhe kështu lindi nevoja që dega të rishikonte përkthimin. * Kur libri më në fund doli, ngjalli mjaft interes mes lexuesve indonezianë.

Në vitin 1953 zyra e degës shtypi 250 kopje të Kullës së Rojës në indonezisht—numri i parë në këtë gjuhë pas 12 vjetësh. Revista e shaptilografuar prej 12 faqesh në fillim kishte vetëm artikujt e studimit. Tre vjet më vonë u bë me 16 faqe dhe një firmë tregtare shtypte 10.000 kopje në muaj.

Botimi mujor i revistës Zgjohuni! në indonezisht doli në vitin 1957. Shpejt arriti një tirazh prej 10.000 kopjesh. Por për shkak të mungesës së letrës për shtypje në mbarë vendin, vëllezërit duhej të kërkonin licensë për letër. Nëpunësi i qeverisë që u mor me kërkesën, u tha: «E konsideroj Menara Pengawal (Kullën e Rojës) një nga revistat më të mira në Indonezi dhe jam shumë i kënaqur t’ju ndihmoj me licensën për letrën e revistës suaj të re.»

^ par. 1 Që nga viti 1945, për drejtshkrimin e gjuhës indoneziane janë bërë dy rishikime të mëdha, kryesisht për të zëvendësuar rregullat e mëparshme drejtshkrimore të gjuhës holandeze.