Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

INDONEZIA

Metodat e hershme të predikimit

Metodat e hershme të predikimit

Transmetimet në radio

NË VITIN 1933 vëllezërit morën masa që me anë të një stacioni radioje në Xhakartë të transmetonin fjalimet radiofonike në anglisht të vëlla Radhërfordit. Përveç kësaj, një burrë që kishte interes për të vërtetën lexonte fjalime në holandisht për transmetimin me anë të valëve të radios. Këto transmetime ngjallën mjaft interes dhe i ndihmuan vëllezërit të shpërndanin më shumë botime në predikim.

Kur stacioni radiofonik transmetoi fjalimin e fortë të vëlla Radhërfordit «Ndikimi i vitit të shenjtë mbi paqen dhe zhvillimin», për klerin katolik ky ishte kulmi. * Me anë të servilëve të tyre akuzuan për «shpifje, tallje e armiqësi» vëlla De Shumakerin, i cili kishte siguruar incizimin. Edhe pse vëllai i mohoi me forcë akuzat, prapëseprapë si dënim duhej të paguante 25 gulden * dhe shpenzimet e gjyqit. Tri gazeta të njohura shkruan për gjyqin, dhe kjo rezultoi në një dëshmi edhe më të madhe.

Përhapësja e dritës

Më 15 korrik 1935 në Xhakartë mbërriti një jaht i madh prej 16 metrash pas një udhëtimi predikimi gjashtëmujor nga Sidnei i Australisë. Quhej Përhapësja e dritës dhe i përkiste Shoqatës Watch Tower. Me të udhëtonin shtatë pionierë të zellshëm, të vendosur që të përhapnin lajmin e mirë anembanë Indonezisë, Singaporit dhe Malajzisë.

Për më shumë se dy vjet, pionierët që udhëtonin me Përhapësen e dritës ndaluan në porte të mëdha e të vogla anekënd Indonezisë, duke shpërndarë sasi marramendëse botimesh biblike. Teksa anija hynte në çdo port të vogël, Zhanë Deshampi tregonte se «ndiznin fonografin e madh me altoparlant dhe vinin fjalimet e Xh. Radhërfordit, në atë kohë president i shoqatës Watch Tower. Përfytyroni sa u habitën banorët e fshatrave të thella malaje kur panë një jaht të madh të hynte në portin e tyre dhe kur dëgjuan një zë aq të lartë e buçitës. Zor se një anije kozmike nga një planet tjetër do të kishte ngjallur më shumë kureshtje».

I tërbuar nga dëshmia e guximshme e vëllezërve, kleri arriti t’i bindte autoritetet që të ndalonin hyrjen e Përhapëses së dritës në shumë porte të Indonezisë. Në dhjetor 1937 ajo u kthye në Australi, duke lënë pas një histori të jashtëzakonshme të veprimtarisë së misionarëve në Indonezi.

Pjesëtarët e ekuipazhit në bordin e Përhapëses së dritës

^ par. 2 Fjalimi i vëlla Radhërfordit demaskonte mësimet e rreme të Kishës Katolike të Romës dhe përzierjen e saj me politikën dhe tregtinë.

^ par. 2 Sot të barasvlershëm me rreth 300 dollarë (amerikanë).