Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PYETJA 7

Si ta përballoj presionin për të bërë seks?

Si ta përballoj presionin për të bërë seks?

PSE KA RËNDËSI

Vendimet e tua për seksin do të ndikojnë gjatë tek e ardhmja jote.

ÇFARË DO TË BËJE TI?

Imagjino këtë situatë: Ana ka vetëm dy muaj që del me Klajdin, por ndihet sikur ka gjithë jetën që e njeh. I shkruajnë vazhdimisht mesazhe njëri-tjetrit dhe flasin për orë të tëra në telefon. Madje ia marrin fjalët nga goja njëri-tjetrit! Por tani, Klajdi kërkon më shumë se muhabet.

Dy muajt e fundit Klajdi dhe Ana thjesht janë kapur për dore dhe kanë shkëmbyer ndonjë puthje të shkurtër, por asgjë më tepër. Ana nuk do që të shkojë më larg. Por nuk do as ta humbasë Klajdin. Askush nuk e bën të ndihet kaq e bukur, kaq e veçantë. «Në fund të fundit,—thotë me vete,—unë dhe Klajdi duhemi.»

Nëse je aq i rritur sa të lidhesh me dikë dhe do të ishe në situatën e Anës, çfarë do të bëje?

NDALU E MENDO

Seksi është dhuratë nga Perëndia vetëm për të martuarit. Seksi paramartesor është keqpërdorimi i kësaj dhurate, njësoj si ta marrësh një rrobë të bukur që ta kanë bërë dhuratë e ta përdorësh si leckë për të pastruar

Po të shpërfillësh një ligj fizik, siç është ligji i rëndesës, do të vuash pasojat. E njëjta gjë ndodh edhe nëse shpërfill një ligj moral, si: «Rrini larg nga kurvëria.»1 Selanikasve 4:3.

Cilat janë pasojat kur nuk i bindesh këtij urdhri? Bibla thotë: «Ai që praktikon kurvërinë, mëkaton kundër trupit të vet.» (1 Korintasve 6:18) Pse është e vërtetë kjo?

Studiuesit kanë zbuluar se shumë të rinj që kanë kryer seks para martese, zakonisht përjetojnë një ose më shumë nga pasojat e mëposhtme.

  • DËSHPËRIM. Shumica e të rinjve që bëjnë seks para martese thonë se më vonë pendohen.

  • MOSBESIM. Pasi kryejnë marrëdhënie, të dy partnerët pyesin veten: «Me kë tjetër ka shkuar?»

  • ZHGËNJIM. Thellë-thellë, shumë vajza do të donin dikë që i mbron, jo që i shfrytëzon. Kurse mjaft djem thonë se nuk i tërheq më aq shumë një vajzë që u dorëzohet.

  • Përfundimi: Nëse dorëzohesh e bën seks para martese, poshtëron veten duke humbur diçka me vlerë. (Romakëve 1:24) Trupi yt është tepër i çmuar për t’u çuar dëm.

Trego se ke forcë karakteri për t’u larguar nga imoraliteti. (1 Selanikasve 4:3) E nëse një ditë martohesh, do të kryesh marrëdhënie seksuale. Dhe do të kënaqesh plotësisht, pa shqetësimin, keqardhjen dhe pasigurinë që shoqërojnë kaq shpesh seksin para martese.Proverbat 7:22, 23; 1 Korintasve 7:3.

SI MENDON?

  • Ai që të do vërtet, a do ta vinte në rrezik mirëqenien tënde fizike dhe emocionale?

  • Ai që interesohet vërtet për ty, a do të të tundonte që të rrezikoje marrëdhënien me Perëndinë?Hebrenjve 13:4.