MËSIMI 23
Si shkruhet dhe përkthehet literatura jonë?
Që të bëjmë çmos t’u shpallim ‘lajmin e mirë’ njerëzve të «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli», prodhojmë literaturë në më tepër se 750 gjuhë. (Zbulesa 14:6) Si e përmbushim këtë detyrë të vështirë? Me ndihmën e një skuadre ndërkombëtare shkrimtarësh dhe një grupi të përkushtuar përkthyesish, të gjithë Dëshmitarë të Jehovait.
Teksti origjinal përgatitet në anglisht. Trupi Udhëheqës mbikëqyr punën e Repartit të Shkrimit në selinë tonë botërore. Ky repart koordinon caktimet e shkrimtarëve që shërbejnë në selinë botërore dhe në disa zyra dege. Falë kësaj skuadre të larmishme shkrimtarësh trajtojmë tema që prekin njerëz të kulturave të ndryshme, prandaj botimet tona janë tërheqëse në shkallë ndërkombëtare.
Teksti u dërgohet përkthyesve. Pasi i bëhen rregullime dhe miratohet, materiali i shkruar u dërgohet në rrugë elektronike skuadrave të përkthyesve përreth botës, që përkthejnë, kontrollojnë e redaktojnë tekstin. Ata përpiqen fort të zgjedhin «fjalë të sakta» që përcjellin kuptimin e plotë nga anglishtja në gjuhën e tyre.—Eklisiastiu 12:10.
Kompjuterët përshpejtojnë punën. Kompjuteri nuk mund të zëvendësojë punën e shkrimtarëve dhe të përkthyesve. Gjithsesi, ata e kryejnë më shpejt punën, me anë të fjalorëve, mjeteve gjuhësore dhe materialeve për kërkim që gjenden në kompjuter. Dëshmitarët e Jehovait kanë krijuar Sistemin Elektronik Shumëgjuhësh për Botim (MEPS) me anë të të cilit teksti shtypet në qindra gjuhë, bashkohet me figurat dhe bëhet gati për botim.
Pse përpiqemi kaq shumë madje edhe në gjuhët që i flasin vetëm pak mijëra veta? Sepse vullneti i Jehovait është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës».—1 Timoteut 2:3, 4.
-
Si shkruhen botimet tona?
-
Pse literatura jonë përkthehet në kaq shumë gjuhë?