Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë më tërhoqi te Dëshmitarët e Jehovait?

Çfarë më tërhoqi te Dëshmitarët e Jehovait?

Çfarë më tërhoqi te Dëshmitarët e Jehovait?

Treguar nga Tomas Oroskoja

Kur shkova për herë të parë në një mbledhje të Dëshmitarëve në Sallën e Mbretërisë, mbajti fjalim një djalë i vogël. Ndonëse me zor arrinte të shihte auditorin, ngaqë e pengonte pulti, qëndrimi dinjitoz dhe aftësia e tij ishin të jashtëzakonshme. Më bëri vërtet përshtypje.

VURA re se auditori ishte tërë sy e veshë. Meqë kisha shërbyer si diplomat ushtarak i Bolivisë në Shtetet e Bashkuara, si komandant i flotës ushtarake të Bolivisë dhe ndihmës personal i presidentit, isha mësuar të më respektonin. Por respekti që tregonin për këtë fëmijë më vuri në mendime për synimet që kisha në jetë.

Në vitin 1934 më vdiq babai në Luftën e Çakos midis Paraguait dhe Bolivisë. S’kaloi shumë dhe më dërguan në një shkollë katolike me konvikt. Për shumë vjet ndoqa meshën e përditshme ku këndonim himne, bënim katekizëm dhe përsëritnim lutje të mësuara përmendësh. Madje shërbeva edhe si ndihmës i priftit dhe këndoja në kor. Megjithatë nuk e lexoja kurrë Biblën dhe as e kisha parë me sy.

Më pëlqenin ditët e shenjta fetare, ngaqë ngjanin më shumë si festa dhe doja diçka që thyente monotoninë. Por priftërinjtë dhe të tjerë që jepnin mësime për fenë, ishin të ashpër. Ata jo vetëm që s’më tërhiqnin, por më ngjallnin neveri. Thashë ta lija me kaq punën e fesë.

Më bëri për vete rregulli i ushtrisë

Një ditë të bukur me diell, në qytetin tim, Tariha, erdhën dy oficerë të rinj ushtarakë, të veshur mirë. Ishin me leje nga La Pazi, kryeqyteti i Bolivisë. Ecnin në sheshin kryesor serbes dhe me hir. Më la mbresë pamja e tyre fisnike, e pastër dhe dinjitoze. Kapardiseshin me uniformat jeshile që i kompletonte kapelja me strehë tërë shkëlqim. Pikërisht në atë moment vendosa të bëhesha oficer. Mendoja se jeta e tyre ishte plot përvoja dhe vepra të nderuara.

Në vitin 1949, kur isha 16 vjeç, u pranova në kolegjin ushtarak të Bolivisë. Në radhën e gjatë të të rinjve që shkonte deri te porta e kazermës, më shoqëronte vëllai i madh. Ai më prezantoi me togerin dhe i kërkoi të kujdesej për mua. Pastaj më lavdëroi para tij. Kur vëllai u largua, togeri më dha përshëndetjen tradicionale për të sapoardhurit. Më shuku përtokë dhe më tha: «Do ta shohim sa i zoti je!» Ky ishte prezantimi im me frikën dhe disiplinën ushtarake. Megjithatë, isha i fortë dhe m’u vra veç krenaria.

Me kalimin e kohës mësova si të luftoja dhe u bëra oficer i respektuar. Por nga përvoja, kuptova se paraqitja e pastër dhe dinjitoze e ushtarakëve mund të jetë mashtruese.

Zë post të lartë

Në fillimet e karrierës u stërvita në bordin e kryqëzorit të flotës ushtarake argjentinase «General Belgrano», e cila mbante një ekuipazh mbi një mijë veta. Para Luftës II Botërore, ky kryqëzor u lëshua nga Shtetet e Bashkuara me emrin «USS Phoenix» dhe më vonë i mbijetoi sulmit japonez në Portin e Perlave, Havai, në vitin 1941.

Më në fund i ngjita shkallët e hierarkisë dhe u bëra i dyti në komandën e Flotës Ushtarake të Bolivisë, e cila patrullon rrugët ujore që formojnë kufijtë e Bolivisë. Këto përfshinin pellgun e Amazonës dhe liqenin më të lartë të lundrueshëm në botë, Titikakën.

Ndërkohë, në maj të vitit 1980 më zgjodhën si anëtar të një komisioni diplomatësh të dërguar në Uashington, kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara. Nga çdo degë e shërbimit—ushtria, forcat ajrore, flota detare—ishte zgjedhur një oficer i lartë dhe mua më emëruan koordinator të grupit për shkak të moshës. Jetova në Shtetet e Bashkuara për rreth dy vjet dhe më vonë u bëra ndihmës personal i presidentit të Bolivisë.

Si komandant ushtarak isha i detyruar të shkoja në kishë çdo të diel. U zhgënjeva nga feja kur pashë përfshirjen e kapelanit të ushtrisë dhe të priftërinjve në revolucione e luftëra. E dija se ishte e gabuar që kishat mbështetnin gjakderdhje të tilla. Prapëseprapë, në vend që kjo hipokrizi të më largonte nga feja, më nxiti të kërkoja të vërtetën për Perëndinë. Nuk e kisha lexuar kurrë Biblën, ndaj herë pas here lexoja ndonjë fragment aty-këtu.

Rregulli në Sallën e Mbretërisë

Për habinë time, gruaja ime, Manuela, filloi të studionte Biblën me një Dëshmitare të Jehovait, një misionare që quhej Xheneta. Më vonë Manuela nisi të ndiqte mbledhjet në vendin e tyre të adhurimit, në Sallën e Mbretërisë. Nuk e kisha problem ta çoja me makinë atje, por nuk doja të merrja pjesë. Mendoja se mbledhjet ishin të zhurmshme dhe me skena emocionale.

Një ditë Manuela më pyeti nëse do të pranoja një vizitë nga burri i misionares. Në fillim nuk pranova. Pastaj mendova se, me gjithë njohurinë fetare që kisha, do të isha i zoti të hidhja poshtë çdo gjë që do të më thoshte. Kur e takova për herë të parë Ianin, më bëri më shumë përshtypje sjellja, sesa fjalët. Ai nuk u përpoq të më vinte në siklet me përgatitjen dhe njohurinë e tij biblike. Përkundrazi, u tregua mirëdashës dhe i respektueshëm.

Javën vijuese vendosa të shkoja në Sallën e Mbretërisë, ku dëgjova djalin e vogël që përmenda në fillim. Teksa e dëgjoja të lexonte e të shpjegonte shkrime nga libri biblik i Isaisë, e kuptova se kisha gjetur një organizatë unike. Sa ironike të mendosh se, kur isha i ri, doja të bëhesha oficer i respektuar, kurse tani doja të isha si ai djalë dhe t’u mësoja njerëzve për Biblën. Ishte sikur zemra papritur m’u zbut dhe pranonte ato që dëgjoja.

Me kalimin e kohës, më bënte mjaft përshtypje edhe korrektësia e Dëshmitarëve dhe përzemërsia me të cilën më përshëndetnin gjithnjë e që më bënte të ndihesha si në shtëpinë time. Më linte mbresa edhe veshja e tyre e rregullt dhe e pastër. Ajo që më pëlqente më shumë ishte rregulli në mbledhje. Nëse në program ishte caktuar një fjalim, do të dëgjoja pikërisht atë fjalim. E kuptoja se kjo disiplinë bazohej mbi dashurinë, jo mbi frikën.

Pas mbledhjes së parë, pranova të studioja Biblën me Ianin. Studionim me librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. * Ende më kujtohet kapitulli i tretë ku ndodhej figura e një peshkopi që bekonte ushtarët para betejës. S’kisha pikë dyshimi se ishte e vërtetë, ngaqë e kisha parë me sytë e mi. Në Sallën e Mbretërisë mora librin Të arsyetojmë nga Shkrimet. Kur lexova çfarë thotë Bibla për asnjanësinë, e dija se duhej të bëja ca ndryshime. Vendosa të mos kthehesha më kurrë në Kishën Katolike dhe fillova të ndiqja rregullisht mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Gjithashtu bëra plane të hiqja dorë nga ushtria.

Përparoj drejt pagëzimit

Pas disa javësh, mora vesh se kongregacioni do të pastronte stadiumin që do të përdorej për kongresin që po afrohej. Doja shumë të merrja pjesë dhe shkova të ndihmoja për pastrimin e vendit. Punova krah për krah me të tjerët dhe u kënaqa vërtet me punën e shoqërinë. Ndërsa fshija dyshemenë, m’u afrua një i ri dhe më pyeti nëse isha admirali.

—Po,—iu përgjigja.

«S’më besohet!—thirri i mahnitur.—Një admiral që pastron dyshemenë!» Një oficer të rangut të lartë nuk e shihje kurrë të ngrinte as një copë letër nga toka e jo më të pastronte dyshemenë. Ai djalë kishte qenë shoferi im personal në ushtri dhe tani ishte Dëshmitar i Jehovait.

Bashkëpunim i bazuar te dashuria

Ushtria bazohet te respekti për ata me pozitë, dhe kjo gjë më ishte rrënjosur thellë. Për shembull, mbaj mend të kem pyetur nëse disa Dëshmitarë të Jehovait ishin më të lartë se të tjerët për shkak të përgjegjësive dhe detyrave që kishin. Pikëpamja që kisha për rangun dhe pozitën ishte ende mjaft e ngulitur tek unë, por shpejt do të ndryshonte kryekëput.

Në këtë kohë, në vitin 1989, mora vesh se nga Nju-Jorku do të vinte në Bolivi një anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait dhe do të mbante fjalim në stadium. Mezi prisja të shihja si do të trajtohej një anëtar i «elitës» së organizatës. Pandehja se një njeri me përgjegjësi të tillë do ta pritnin me pompozitet e salltanet.

Kur nisi mbledhja, nuk kishte ndonjë shenjë që kishte ardhur ndonjë personalitet dhe fillova të vritja mendjen si ishte puna. Rastisi që afër meje dhe Manuelës ishte një çift i moshuar. Manuela vuri re se gruaja e kishte në anglisht librin e këngëve, kështu që nisi të bisedonte me të gjatë një pushimi të shkurtër. Pas kësaj çifti u largua.

Sa u çuditëm kur më vonë bashkëshorti i asaj gruaje shkoi në podium për të mbajtur fjalimin kryesor. Në atë çast, në mendjen time, gjithçka që kisha mësuar në ushtri për rangjet, respektin, pushtetin dhe pozitën, u përmbys. Më pas thashë: «Imagjino që vëllai i ulur me ne në ato karrige të parehatshme të stadiumit, ishte anëtar i Trupit Udhëheqës!»

Tani më vjen për të qeshur kur mendoj sa e sa herë Iani ishte përpjekur të më shpjegonte fjalët e Jezuit te Mateu 23:8: «Ju të gjithë jeni vëllezër.»

Predikoj për herë të parë

Kur i mbylla detyrimet ushtarake, Iani më ftoi në predikimin shtëpi më shtëpi. (Veprat 20:20) Shkuam në një lagje që shpresoja ta shmangnim, pasi ishte plot shtëpi ushtarakësh. Te dera doli një gjeneral që doja veçanërisht ta shmangia. U ndjeva në siklet dhe i frikësuar, sidomos kur më pa çantën dhe Biblën e më pyeti me përçmim: «Ç’ne ti këtu?»

Pasi bëra një lutje të shkurtër, më pushtoi një ndjenjë sigurie dhe paqeje. Gjenerali më dëgjoi dhe madje pranoi literaturë biblike. Ajo përvojë më nxiti t’ia kushtoja jetën Jehovait. Në simbol të kushtimit tim u pagëzova në ujë më 3 janar 1990.

Me kalimin e kohës, ime shoqe, djali e vajza u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Tani gjej kënaqësi teksa shërbej në kongregacion si plak dhe si pionier, duke predikuar një pjesë të mirë të kohës lajmin e mirë. Privilegji më i çmuar që kam, është se njoh Jehovain dhe se ai më njeh. Kjo e tejkalon çdo rang ose pozitë që mund të synosh ose të kesh. Vërtet, rregulli nuk duhet të jetë i ashpër dhe i ngurtë, por i ngrohtë dhe i dashur. Jehovai është Perëndi i rregullit, por, ç’është më e rëndësishmja, është Perëndi i dashurisë.—1 Korintasve 14:33, 40; 1 Gjonit 4:8.

[Shënimi]

^ par. 21 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Figura në faqen 13]

Me vëllanë tim, Renaton, në vitin 1950

[Figura në faqen 13]

Në një rast shoqëror me ushtarakë nga Kina dhe vende të tjera