Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mençuri për gjuhën

Mençuri për gjuhën

Mençuri për gjuhën

«AH SIKUR ta ktheja mbrapsht atë që thashë!» A ia keni thënë vetes ndonjëherë këto fjalë? Ç’është e vërteta, të gjithë ne luftojmë të kontrollojmë gjuhën tonë. Siç thotë Bibla, mund të zbutim thuajse çdo kafshë, «por gjuhën, askush nuk mund ta zbutë». (Jakovi 3:​7, 8) A do të thotë kjo se duhet të dorëzohemi? Jo. Shqyrtoni disa parime biblike që na ndihmojnë ta mbajmë nën kontroll këtë gjymtyrë të vogël, por të fuqishme të trupit.

«Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja, por kush u vë fre buzëve, vepron me maturi.» (Proverbat 10:19) Sa më shumë flasim, aq më i madh është rreziku që të themi ndonjë marrëzi ose edhe diçka të dëmshme. Vërtet, gjuha e pafre mund të jetë si një zjarr, që përhap me shpejtësi thashetheme ose shpifje që lëndojnë. (Jakovi 3:​5, 6) Megjithatë kur ‘u vëmë fre buzëve’ ose kur mendojmë para se të flasim, po marrim parasysh ndikimin që mund të kenë fjalët tona. Në këtë mënyrë, do të na njohin si persona të matur dhe do të fitojmë respektin e besimin e të tjerëve.

‘Jini të shpejtë në të dëgjuar, mos u nxitoni në të folur e mos u zemëroni shpejt.’ (Jakovi 1:19) Të tjerët e vlerësojnë kur ne i dëgjomë me vëmendje, pasi në këtë mënyrë nuk tregojmë vetëm interes, por edhe respekt. Po sikur dikush të thotë diçka që na lëndon ose na provokon? Atëherë duhet të përpiqemi ‘të mos zemërohemi shpejt’ duke mos ia kthyer me të njëjtën monedhë. Ku i dihet? Ai mund të ketë qenë i mërzitur për ndonjë gjë e ndoshta do të të kërkojë edhe falje për fjalët e pahijshme. A e keni të vështirë të zbatoni këshillën ‘për të mos u zemëruar shpejt’? Atëherë lutjuni Perëndisë për vetëkontroll. Ai nuk do t’i shpërfillë këto kërkesa të sinqerta.​—Luka 11:13.

«Gjuha e butë mund të thyejë kocka.» (Proverbat 25:15) Ndryshe nga ajo që mendon shumica, butësia është shenjë force. Për shembull, një përgjigje e butë mund të kapërcejë një kundërshtim që duket i fortë dhe i ngurtë si një kockë, që ndoshta mund të vijë nga zemërimi ose paragjykimi. Të themi të vërtetën, mund të jetë e vështirë të tregojmë butësi, sidomos në një situatë të acaruar. Prandaj mendoni për dobitë që nxjerrim kur veprojmë sipas asaj që thotë Bibla dhe për pasojat që mund të vijnë në të kundërt.

Parimet biblike janë me të vërtetë ‘mençuri nga lart’. (Jakovi 3:17) Kur e përdorim gjuhën tonë sipas kësaj mençurie, fjalët tona do t’u japin dinjitet të tjerëve dhe do të jenë të përzemërta e ndërtuese​—«si mollët e arta në gdhendje argjendi», pra fjalët e duhura në çdo rast.​—Proverbat 25:11.