Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

INTERVISTË | MASIMO TISTARELI

Një projektues robotësh shpjegon besimin e tij

Një projektues robotësh shpjegon besimin e tij

Profesor Masimo Tistareli është shkencëtar në Universitetin e Sasarit në Itali. Është zëvendëskryeredaktor i tri revistave shkencore ndërkombëtare dhe bashkautor i më shumë se njëqind eseve shkencore. Ai studion si i njohin njerëzit fytyrat dhe si bëjnë gjëra në dukje të thjeshta, si për shembull, të kapin një top. Pastaj, projekton sisteme pamore për robotët​—sisteme që imitojnë atë çka bëjmë ne. Zgjohuni! i drejtoi disa pyetje për besimin e tij dhe për punën si shkencëtar.

Cila është prejardhja jote fetare?

Prindërit e mi ishin katolikë, por nuk shkonin në kishë. Në rini, anoja nga ateizmi. Më mësuan se jeta erdhi me evolucion dhe e pranova këtë si fakt. Por, edhe pse nuk besoja se Krijuesi është një person real, mendoja se duhej të ekzistonte diçka më e lartë se ne. Për të zbuluar çfarë ishte, shqyrtova budizmin, hinduizmin dhe taoizmin, por nuk gjeta përgjigje në mësimet e tyre.

Si të lindi interesi për shkencën?

Që në vogëli, më bënin për vete makineritë. Madje, e kisha zakon t’i zbërtheja lodrat e mia elektrike dhe t’i montoja prapë. Babai ishte inxhinier telekomunikacioni, dhe e mbytja me një lumë pyetjesh se si punonin radiot e telefonat.

Me çfarë ka të bëjë karriera jote si shkencëtar?

Studiova për inxhinieri elektronike në Universitetin e Gjenovës, pastaj bëra kërkime që të mbroja doktoratën për projektimin e robotëve. U specializova në studimin e sistemit pamor të njeriut dhe në shpikjen e mënyrave se si ta imitoja kur projektoja robotë.

Pse të interesonte sistemi pamor i njeriut?

Është jashtëzakonisht i sofistikuar, pasi përfshin shumë më tepër se sytë​—përfshin edhe mekanizmat për t’i interpretuar ato që shohim. Për shembull, mendo pak çfarë ndodh kur kap një top. Teksa vrapon ta kapësh, kristalini i syrit e përqendron imazhin e topit te retina. Mënyra si do të lëvizë imazhi në retinë varet nga lëvizja e topit dhe nga lëvizja e syrit. Kuptohet, normalisht syrin e mban të ngulitur te topi. Pastaj, imazhi i tij fiksohet në retinë, ndërsa sfondi «lëviz».

Në të njëjtën kohë, sistemi pamor llogarit shpejtësinë e topit dhe trajektoren e tij. Për habi, llogaritjet fillojnë tamam në retinë, teksa syri përcakton lëvizjen e topit në lidhje me sfondin. Më pas, nervi optik ia përcjell trurit impulset e krijuara nga retina. Truri i analizon më tej informacionet dhe të udhëzon të kapësh topin. Kompleksiteti i gjithë këtij procesi të mrekullon.

Çfarë të bindi se ekziston një Krijues?

Më 1990, kalova disa muaj në Dublin, Irlandë, ku bëra kërkime në Kolegjin e Trinitetit. Ndërsa udhëtonim për në shtëpi, unë dhe ime shoqe, Barbara, vritnim mendjen për të ardhmen e fëmijëve tanë. Gjithashtu, vendosëm të shkonim për vizitë tek ime motër, e cila ishte Dëshmitare e Jehovait. Motra më dha librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Kërkimet e kujdesshme për të shkruar atë vepër më bënë përshtypje. Befas kuptova se e kisha pranuar teorinë e evolucionit pa u siguruar nëse ishte e bazuar në prova. Për shembull, e kisha marrë si të mirëqenë se mbetjet fosile mbështetin më së miri evolucionin. Por, nuk është kështu. E pra, sa më shumë e shqyrtoja evolucionin, aq më shumë bindesha se kjo teori ka më tepër fjalë të fryra sesa fakte.

Mendova për punën time me robotët. Projektet e kujt po imitoja?

Pastaj, mendova për punën time me robotët. Projektet e kujt po imitoja? Unë nuk projektoj dot kurrë një robot të aftë të kapë topin ashtu si ne njerëzit. Roboti mund të programohet ta kapë topin, por vetëm në kushte të kontrolluara saktësisht. Nuk mund ta bëjë këtë në rrethana për të cilat s’është programuar. Aftësia jonë për të mësuar qëndron ku e ku më lart se ajo e makinerive. Dhe makineritë, që janë thjesht makineri, kanë projektues! Ky është vetëm një nga faktet e shumta që më çuan në përfundimin se duhet të kemi pasur një Projektues.

Pse u bëre Dëshmitar i Jehovait?

Pjesërisht sepse mua dhe Barbarës na pëlqyen metodat rrënjësore të studimit që përdorin ata. Më lanë mbresë sidomos kërkimet që bëjnë për botimet e tyre. Njerëzve si puna ime, që duan t’i zhbirojnë gjërat gjer në hollësi, i bëjnë për vete kërkimet e kujdesshme e të sakta. Për shembull, më ngjallën shumë interes profecitë ose parashikimet e shumta që gjenden në Bibël. Pasi i studiova, u binda se Bibla është vërtet nga Perëndia. Në vitin 1992, unë dhe Barbara u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait.

A ta ka dobësuar besimin studimi i shkencës?

Përkundrazi, shkenca ma ka forcuar besimin. Për shembull, të mendosh si i njohim ne fytyrat. Një foshnjë arrin ta bëjë këtë disa orë pasi lind. Unë dhe ti mund ta dallojmë në çast fytyrën e një të njohuri, edhe mes një turme. Madje, mund të kuptojmë edhe gjendjen e tij emocionale. Megjithatë, mbase nuk e kemi fare idenë se, që të ndodhë kjo, duhet përpunuar një sasi marramendëse informacionesh me një shpejtësi të pabesueshme.

E pra, jam plotësisht i bindur se sistemi ynë pamor është një dhuratë e çmuar nga Perëndia Jehova. Dhuratat e tij, ku përfshihet edhe Bibla, më nxitin ta falënderoj dhe t’u flas të tjerëve për të. Në fund të fundit, ndjenja e drejtësisë më thotë se duhet t’i japim meritën që i takon për veprat e tij.