Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PIKËPAMJA E BIBLËS

Pornografia

Pornografia

A e dënon Bibla pornografinë?

«Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.»​—Mateu 5:28.

PSE KA RËNDËSI:

Sot pornografia është sheshit dhe më e përhapur se kurrë ndonjëherë. Nëse do që t’i pëlqesh Perëndisë dhe të kesh një jetë më të lumtur, duhet të dish ç’mendon Perëndia për pornografinë.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla nuk e përmend pornografinë. Gjithsesi, pornografia bie në kundërshtim të plotë me shumë parime biblike.

Për shembull, Bibla e thotë qartë se, kur një burrë i martuar «vazhdon ta shikojë një grua» që nuk është bashkëshortja e tij duke ushqyer dëshirën të kryejë marrëdhënie seksuale me të, kjo mund ta çojë në kurorëshkelje. Parimi i këtij pohimi biblik vlen për këdo, i martuar a beqar, që ‘vazhdon të shikojë’ pamje pornografike me dëshirën për të bërë imoralitet seksual. Është e qartë se kjo sjellje e fyen Perëndinë.

A është e gabuar pornografia edhe kur nuk çon në veprime imorale?

«Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj . . . në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë.»​—Kolosianëve 3:5.

ÇFARË THONË NJERËZIT:

Disa specialistë dyshojnë nëse ka ndonjë lidhje domethënëse mes pornografisë dhe veprimeve reale të një sjelljeje fyese nga ana seksuale. Gjithsesi, a është pornografia në vetvete imorale?

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla tregon se «shakatë e ndyra» janë të papranueshme dhe imorale. (Efesianëve 5:3, 4) Mos vallë pornografia është më pak e neveritshme?! Sot pornografia shpesh përfshin filmimin e veprimeve reale të kurorëshkeljes, të homoseksualizmit dhe të formave të tjera të kurvërisë. Sigurisht, shikimi me epsh i këtyre veprimeve imorale është shumë më fyes për Perëndinë, sesa të folurit e ndyrë.

Specialistët vazhdojnë të debatojnë se sa gjasa ka që njerëzit t’i pasqyrojnë në veprime fantazitë e ushqyera nga pornografia. Por është e qartë që Bibla mbështet idenë se pornografia shkatërron marrëdhënien me Perëndinë dhe e fyen rëndë Atë. Ajo jep këtë këshillë: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj . . . në lidhje me kurvërinë [dhe] urinë seksuale.» (Kolosianëve 3:5) Ata që përdorin pornografinë bëjnë tamam të kundërtën​—në vend që t’i bëjnë të vdesin këto dëshira, i ushqejnë dhe i ndezin.

Si ta shmangësh pornografinë?

«Kërkoni të mirën dhe jo të keqen. . . . Urreni të keqen, doni të mirën.»​—Amosi 5:14, 15.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla flet për njerëz të shthurur, pijanecë ose hajdutë që ia dolën të hiqnin dorë nga sjelljet e tyre shkatërrimtare. (1 Korintasve 6:9-11) Si? Duke zbatuar mençurinë që gjendet në Fjalën e Perëndisë, mësuan të urrenin të keqen.

Mund të mësosh ta urresh pornografinë duke menduar mirë për pasojat e tmerrshme të këtij vesi të dëmshëm. Një studim i kohëve të fundit, botuar nga Universiteti Shtetëror i Jutës, nxori në pah se disa që përdorin pornografinë provojnë dhembjen «e depresionit, të vetëizolimit nga shoqëria, të marrëdhënieve të dëmtuara», si edhe pasoja të tjera të trishtueshme. Për më tepër, siç u shpjegua më sipër, shikimi i pornografisë fyen Perëndinë, prandaj sjell një pasojë ku e ku më të dëmshme. I ndan njerëzit nga Krijuesi i tyre.

Me anë të Biblës, mund të mësojmë të duam të mirën. Sa më shumë ta lexojmë, aq më thellë do të na rrënjoset në zemër dashuria për normat e saj morale. Falë kësaj dashurie, nuk do ta durojmë dot pornografinë dhe do të ndihemi si psalmisti, që shkroi: «Para syve të mi, nuk do të vë asgjë të poshtër.»​—Psalmi 101:3.