Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjuetia e shtrigave në Evropë

Gjuetia e shtrigave në Evropë

DISA shekuj më parë në Evropë, frika nga shtrigëria çoi në gjuetinë dhe në ekzekutimin e shtrigave. Këto ndodhën kryesisht në Francë, në Gjermani, në veri të Italisë, në Zvicër dhe në Vendet e Ulëta—Belgjikë, Luksemburg dhe Holandë. «Vdiqën dhjetëra mijë njerëz në Evropë dhe në kolonitë evropiane, dhe miliona të tjerë i torturuan, i arrestuan, i morën në pyetje, i urryen, i fajësuan ose i frikësuan»,—thotë libri Gjuetia e shtrigave në botën perëndimore (anglisht). * Si filloi kjo paranojë? Çfarë e ushqeu atë?

Inkuizicioni dhe Çekiçi i shtrigave

Një pjesë e rëndësishme e kësaj historie është Inkuizicioni. Atë e krijoi Kisha Katolike në shekullin e 13-të «për të kthyer në besim apostatët dhe për të mos i lejuar të tjerët të largohen»,—shpjegon libri Der Hexenwahn (Mania për shtrigat). Inkuizicioni funksiononte si një forcë policore për kishën.

Më 5 dhjetor 1484, papa Inocenti VIII nxori një dekret papnor, ose një dokument, ku e dënonte shtrigërinë. Gjithashtu, për të luftuar këtë problem, ai autorizoi dy inkuizitorë—Jakob Shprengerin dhe Hajnrih Kramerin (i njohur edhe me emrin latin Henrikus Institoris). Këta dy burra nxorën një libër me titull Malleus Maleficarum, që do të thotë Çekiçi i shtrigave. Si katolikët, edhe protestantët e pranuan këtë libër si autoritet për shtrigërinë. Kjo vepër përmbante histori imagjinare për shtrigat bazuar në gojëdhëna, paraqiste argumente teologjike e ligjore kundër shtrigërisë dhe jepte udhëzime si t’i dalloje e t’i eliminoje shtrigat. Çekiçi i shtrigave është përshkruar si «libri më mizor dhe . . . më dëmtues i gjithë literaturës botërore».

Çekiçi i shtrigave është përshkruar si «libri më mizor dhe . . . më dëmtues i gjithë literaturës botërore»

 Nuk nevojiteshin prova për të vërtetuar akuzat për shtrigëri. Libri Hexen und Hexenprozesse (Shtrigat dhe gjyqet e shtrigave) thotë se gjyqet «kishin si qëllim vetëm ta bënin të akuzuarin të rrëfehej, nëpërmjet bindjes, presionit ose forcës». Tortura ishte diçka e zakonshme.

Pas daljes së librit Çekiçi i shtrigave dhe të dekretit papnor nga papa Inocenti VIII, në Evropë shpërthyen gjuetitë e mëdha të shtrigave. Për më tepër, edhe një teknologji e re, shtypja e botimeve, ndihmoi në përhapjen e kësaj manie, madje deri matanë Atlantikut, në Amerikë.

Kush ishin të akuzuarit?

Mbi 70 për qind e të akuzuarve ishin gra, veçanërisht vejusha, që shpesh nuk kishin dikë që t’i mbronte. Viktimat përfshinin të varfër, të moshuar, dhe gra që përgatitnin e shpërndanin ilaçe bimore, veçanërisht kur ato nuk bënin efekt. Qoftë i pasur ose i varfër, mashkull ose femër, nga shtresë e ulët ose e lartë, askush nuk ishte vërtet i sigurt.

Ato që konsideroheshin si shtriga, fajësoheshin për çfarëdolloj ligësie. Supozohej se «shkaktonin ngricë dhe sillnin plagë kërmijsh e krimbash për të shkatërruar farat dhe frytet e tokës»,—thotë revista gjermane Damals. Nëse breshri godiste të mbjellat, nëse lopa nuk jepte qumësht, nëse një burrë ishte impotent ose një grua ishte shterpë, fajin e kishin pa dyshim shtrigat.

Të dyshuarat peshoheshin, sepse mendohej se shtrigat peshonin pak ose aspak

Si i identifikonin shtrigat? Disa të dyshuara i lidhnin dhe i futnin në ujë të ftohtë «të bekuar». Nëse fundoseshin, gjykoheshin si të pafajshme dhe i nxirrnin jashtë. Nëse pluskonin, konsideroheshin shtriga dhe ekzekutoheshin menjëherë ose i nxirrnin para gjyqit. Të dyshuara të tjera peshoheshin, sepse mendohej se shtrigat peshonin pak ose aspak.

Gjithashtu, ata kërkonin edhe «shenjën e Djallit», e cila ishte «një shenjë e dukshme nga Djalli si tregues i një marrëveshjeje me shtrigën»,—thotë libri Gjuetia e shtrigave në botën perëndimore (anglisht). Zyrtarët kërkonin shenjën «duke i rruar të akuzuarit gjithë kokën dhe duke i kontrolluar imtësisht trupin»—në publik. Më pas ngulnin një gjilpërë në çdo shenjë që gjenin, si: shenja të lindura, lythe dhe vraga. Nëse shpimi nuk i dhembte ose nëse nuk i dilte gjak, ajo konsiderohej shenjë e Satanait.

Si qeveritë katolike, edhe ato protestante e nxitnin gjuetinë e shtrigave, dhe në disa rajone, sundimtarët protestantë tregoheshin më të ashpër se homologët e tyre katolikë. Megjithatë, me kalimin e kohës, arsyeja nisi të mbizotëronte. Për shembull, në vitin 1631, Fridrik Shpei, një prift jezuit që kishte shoqëruar shumë nga të gjykuarat si shtriga për në turrën e druve që të digjeshin të gjalla, shkroi se, për mendimin e tij, asnjëra nuk ishte fajtore. Dhe, nëse gjuetia e shtrigave do të vazhdonte me këtë intensitet, ai paralajmëroi se në gjithë vendin s’do të mbetej këmbë njeriu. Ndërkohë, mjekët nisën të kuptonin se gjëra të tilla, si përpëlitjet epileptike, nuk lidheshin medoemos me demonizimin, por me gjendjen shëndetësore. Gjatë shekullit të 17-të, numri i gjyqeve ra ndjeshëm, dhe në fund të atij shekulli, pothuajse nuk kishte më.

Çfarë na mëson kjo epokë e shëmtuar? Një mësim kryesor është ky: kur ata që pohonin se ishin të krishterë filluan t’i zëvendësonin mësimet e kulluara të Jezu Krishtit me gënjeshtrat fetare dhe bestytnitë, i hapën derën ligësive të pamasa. Duke parathënë çnderimin që do t’i sillnin krishterimit të vërtetë këta njerëz jobesnikë, Bibla paralajmëroi: «Do të shahet udha e së vërtetës.»2 Pjetrit 2:1, 2.

^ par. 2 Në kolonitë evropiane bënin pjesë edhe kontinentet e Amerikës.