Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PORTRETE NGA E KALUARA

Xhozef Pristli

Xhozef Pristli

«Shumanshmëria, zelli, veprimtaria dhe humanizmi i tij; kureshtja e tij për një gamë të gjerë fushash, në gjithçka fizike, morale ose shoqërore; roli i tij në shkencë, teologji, filozofi dhe politikë; lidhja e tij e veçantë me revolucionin [francez] dhe historia mallëngjyese e vuajtjeve të tij të pamerituara, e bëjnë atë ndoshta heroin e shekullit të tetëmbëdhjetë.»—Frederik Harison, filozof.

ÇFARË kishte bërë Xhozef Pristli për të merituar këto lavdërime? Zbulimet dhe shkrimet e tij kanë ndikuar në mënyrën si e konsiderojnë njerëzit rolin e qeverisë, natyrën e Perëndisë e madje edhe ajrin që thithim.

Pavarësisht nëse shkruante për shkencën apo fenë, Pristli hodhi poshtë teori e tradita dhe mbështeti fakte e të vërtetën. Le të shohim si e bëri këtë.

KËRKOI TË VËRTETËN NË SHKENCË

Pasi takoi më 1765-n shkencëtarin amerikan Benxhamin Frenklin, Xhozef Pristli—që ishte marrë me shkencë thjesht për hobi—filloi të bënte eksperimente me elektricitetin. Vitin pasues, shokët e tij shkencëtarë u habitën kaq shumë nga zbulimet e tij, sa e zgjodhën anëtar në Shoqërinë Mbretërore të Londrës, një shoqëri prestigjoze.

Më pas, Pristli bëri kërkime në fushën e kimisë. Brenda një kohe të shkurtër, zbuloi disa gaze të reja, përfshirë amoniakun dhe protoksidin e azotit (gazi gazmor). Ai madje bashkoi ujin me dyoksidin e karbonit, duke shpikur kështu ujin e gazuar.

Në vitin 1774, ndërsa bënte eksperimente në jug të Anglisë, ai veçoi një gaz të jashtëzakonshëm që e bënte më të fortë dritën e qiririt. Më vonë, në një enë xhami  ku ndodhej një mi, futi 60 mililitra nga ky gaz. Miu jetoi dy herë më gjatë se ç’do të jetonte në një enë me ajër të zakonshëm. Vetë Pristli provoi ta thithte këtë lloj gazi dhe tha se «e pati jashtëzakonisht të lehtë të merrte frymë për ca kohë më pas».

Xhozef Pristli kishte zbuluar oksigjenin. * Por ai e quajti këtë gaz ajër joflogjistik, duke supozuar se kishte zbuluar ajrin e zakonshëm që nuk kishte flogjiston, një substancë hipotetike që mendohej se pengonte djegien. Përfundimi i Pristlit ishte i gabuar, por shumë mendojnë ende se ky zbulim ishte «arritja më e madhe e jetës së tij».

KËRKOI TË VËRTETËN NË FE

Ashtu siç besonte se teoritë e ngulitura bëheshin pengesë për të vërtetën shkencore, Pristli arriti në përfundimin se traditat dhe dogmat pengonin të vërtetën fetare. Është ironike, por nga kërkimet që bëri gjatë gjithë jetës për njohuri biblike, ai përvetësoi disa ide që ishin në kundërshtim me atë që mëson vërtet Bibla. Për shembull, në njëfarë pike nuk besonte se Bibla ishte frymëzuar me anë të një mrekullie nga Perëndia. Hodhi poshtë edhe mësimin e Biblës për ekzistencën paranjerëzore të Jezuit.

«Nëse shkenca synon të zbulojë të vërtetën, atëherë Pristli ishte një shkencëtar i vërtetë.»—Kethrin Kallën, biologe

Nga ana tjetër, Pristli demaskoi mësimet e rreme fetare që besoheshin dhe besohen gjerësisht edhe sot e kësaj dite nga fetë kryesore. Ai shkroi se e vërteta që mësonte Jezui dhe dishepujt e tij më vonë u shtrembërua nga mësimet e rreme, si mësimi i rremë për Trinitetin, besimi i gabuar te pavdekësia e shpirtit dhe adhurimi i shëmbëlltyrave, që në të vërtetë Bibla e dënon.

Idetë fetare të Pristlit dhe përkrahja e tij ndaj revolucioneve amerikane dhe franceze ndezi gjakrat e bashkatdhetarëve anglezë. Më 1791, një turmë shkatërroi shtëpinë dhe laboratorin e tij, dhe më vonë u arratis për në Shtetet e Bashkuara. Megjithëse mbahet mend kryesisht për zbulimet shkencore, Xhozef Pristli besonte se të mësoje për Perëndinë dhe qëllimet e Tij ishte «super dinjitoze dhe e rëndësishme».

^ par. 10 Më përpara, kimisti suedez Karl Shejlë kishte zbuluar oksigjenin, por nuk kishte arritur ta publikonte. Më vonë, kimisti francez Antuan Loran Lavuazie i vuri emrin oksigjen.