Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PIKËPAMJA E BIBLËS

Puna

Puna

Edhe pse Bibla është libër i lashtë, parimet e saj nuk njohin kohë. Pikëpamja e saj për punën vlen sot po aq sa vlente kur u shkrua.

Cila është pikëpamja e duhur për punën?

ÇFARË THONË DISA:

Që t’i mbijetosh tregut konkurrues të punës, duhet t’i kushtohesh asaj më shumë se çdo gjëje tjetër. Kjo i ka bërë disa të robtohen në punë, aq sa të lënë pas dore familjen dhe shëndetin.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla paraqet një pikëpamje të ekuilibruar për punën. Vlerëson papërtueshmërinë dhe dënon përtacinë. (Proverbat 6:6-11; 13:4) Ama nuk nxit maninë pas punës. Përkundrazi, na nxit të shijojmë momente çlodhjeje në masë të arsyeshme. Eklisiastiu 4:6 thotë: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.» Kështu nuk do të na përpijë aq shumë puna, sa të harrojmë familjen dhe shëndetin. Nuk ia vlen të vdesësh në punë.

«Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se të hajë e të pijë dhe që shpirti i tij të shohë të mira, për shkak të mundit të tij.»​—Eklisiastiu 2:24.

A ka rëndësi ç’lloj pune bën?

ÇFARË THONË DISA:

Punë e mirë është ajo që paguhet mirë. Ky mendim bashkë me tundimin për të fituar para pa mund, i ka bërë disa të merren me tregti të pandershme e madje të pranojnë punë të paligjshme.

Të tjerë, duke ndjekur filozofinë «ndiq ëndrrën tënde» dhe «bëj atë që të pëlqen» pranojnë vetëm ato punë që i emocionojnë. Nëse nuk mendojnë se «kanë lindur» për ndonjë lloj pune ose nëse ajo nuk ua rrit adrenalinën, e quajnë të mërzitshme. Si rrjedhojë, kanë pikëpamje negative për punën dhe bëjnë aq sa për ta mbajtur atë. Madje nuk pranojnë mundësi të mira pune ngaqë ndihen sikur u ulet dinjiteti.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla nuk miraton punë të pandershme ose që në ndonjë mënyrë dëmton të tjerët. (Levitiku 19:11, 13; Romakëve 13:10) Puna e mirë u sjell dobi të tjerëve dhe na ndihmon ‘të mbajmë një ndërgjegje të mirë’.​—1 Pjetrit 3:16.

Bibla flet edhe për qëllimin fisnik të punës: të sigurosh jetesën e të mbështetësh familjen tënde, jo thjesht të kënaqësh veten. Ndonëse s’është aspak e gabuar të kënaqemi me punën, kjo s’do të thotë se jetojmë për të punuar, por punojmë për të jetuar.

«Babi është tepër i ngarkuar. Përveç punës, ka përgjegjësi në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait ku shkojmë si familje. Prapëseprapë, ai është goxha i përkushtuar në punë. Bën atë që duhet të bëjë dhe prapë gjen kohë për mua, për motrën e për mamanë. Është gjithmonë i zënë, por ruan ekuilibrin.»​—Alana.

S’diskutohet se nga inflacioni dhe nga rritja e çmimeve mund të na zërë ankthi se si të fitojmë bukën e gojës, por Bibla na nxit të jemi të përkorë. Në të thuhet: «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Timoteut 6:8) Këto fjalë nuk thonë të mos e shijojmë jetën, por të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin dhe të jemi të arsyeshëm për sasinë e gjërave që duam.​—Luka 12:15.

Ç’DO TË THOTË PËR TY:

Ji i palodhur në punë dhe trego vërtet interes për të. Edhe nëse mendon se është punë e rëndomtë ose se nuk ke lindur për këtë punë, përpiqu të jesh sa më i zoti në të. Puna e palodhur të bën të ndihesh mirë dhe, sa më shumë të aftësohesh, aq më shumë do ta shijosh.

Njëkohësisht trego ekuilibër. Herë pas here pusho e qetësohu. Këto momente të shijojnë më tepër kur ke punuar me gjithë shpirt. Gjithashtu, duke siguruar gjërat e domosdoshme, ndihemi më të plotësuar dhe fitojmë respektin e të tjerëve, madje edhe të familjes.​—2 Selanikasve 3:12.

«Mos jini kurrë në ankth e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’ . . . Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.»​—Mateu 6:31, 32.