Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shijo dobitë e dhënies

Shijo dobitë e dhënies

«AUTOBUSI mund të niset, por djali kinez do të rrijë këtu.» Këto fjalë i ranë në vesh Aleksandrës ndërsa ishte ulur në autobus, duke pritur të kalonte kufirin mes dy shteteve të Amerikës së Jugut. Zbriti të shihte ç’po ndodhte dhe pa të riun kinez që me një spanjishte të çalë po përpiqej t’i shpjegonte situatën e tij nëpunësit në kufi. Meqë Aleksandra bënte pjesë në kongregacionin e gjuhës kineze të Dëshmitarëve të Jehovait, u tregua e gatshme të përkthente për të.

Djali po thoshte se ishte nënshtetas me dokumente të rregullta, mirëpo i kishin vjedhur dokumentet dhe paratë. Në fillim nëpunësi nuk u besoi fjalëve të tij, madje mendoi se Aleksandra ishte përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore. Më në fund, e pranoi shpjegimin e të riut, por udhëtari i shkretë duhej të paguante një gjobë meqë nuk kishte dokumentin e duhur. Ngaqë nuk kishte pará, Aleksandra i dha 20 dollarë borxh. Ai s’dinte si ta falënderonte dhe i tha se do t’i kthente më shumë se 20 dollarë. Aleksandra i shpjegoi se nuk priste shpërblim; ajo ishte e kënaqur ta ndihmonte ngaqë e ndiente se kjo ishte e drejtë. I dha atij disa botime biblike dhe e nxiti të studionte Biblën me Dëshmitarët.

Sa prekesh kur dëgjon për bujarinë ndaj të panjohurve! Pa dyshim që veprime të tilla i bëjnë njerëz nga të gjitha fetë, si edhe njerëz që nuk i përkasin ndonjë feje. Po ti, a do ta kishe bërë një gjest të tillë altruist? Kjo pyetje është e rëndësishme, sepse Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Dhënia ngjall interes edhe për shkencën, meqë studiuesit kanë zbuluar se dhënia të bën mirë. Le të shohim në cilat mënyra.

‘NJË DHËNËS I GËZUAR’

Përvoja ka treguar se dhënia dhe lumturia shpesh shkojnë paralel. Apostulli Pavël shkroi se «Perëndia do një dhënës të gëzuar». Ai po fliste për të krishterët që bënin dhurata bujare për të ndihmuar bashkëbesimtarët në nevojë. (2 Korintasve 8:4; 9:7) Pavli s’po thoshte se ata dhanë ngaqë ishin të lumtur. Përkundrazi, ishin të lumtur ngaqë dhanë.

Në fakt, sipas një studimi, dhënia «aktivizon zona të trurit që lidhen me kënaqësinë, lidhjet shoqërore dhe besimin, të cilat bëjnë të të kënaqet shpirti». Në një studim tjetër u pa se «ai që i jepte pará dikujt, ishte më i lumtur sesa po t’i kishte shpenzuar për vete».

A të është dukur ndonjëherë se për shkak të rrethanave nuk jep dot shumë? Në të vërtetë, çdokush mund të provojë kënaqësinë që ndien ‘një dhënës i gëzuar’. Kur jep me motivin e duhur, shuma s’ka pse të jetë e madhe. Një Dëshmitare e Jehovait u dërgoi një kontribut dhe këtë mesazh botuesve të kësaj reviste: «Gjatë tërë këtyre viteve s’kam pasur mundësi të bëj kontribute të mëdha në Sallën e Mbretërisë.» Megjithatë, vazhdonte: «Perëndia Jehova më ka dhënë në këmbim shumë më tepër sesa i kam dhënë unë. . . . Faleminderit që më jepni mundësi të jap këtë dhuratë—më bën të ndihem mirë.»

Sigurisht që bujaria nuk tregohet vetëm me para. Ka edhe mënyra të tjera.

DHËNIA TË BËN MIRË PËR SHËNDETIN

Dhënia të sjell dobi ty dhe të tjerëve

Bibla thotë: «Njeriu që sillet me dashamirësi, shpërblen shpirtin e vet, kurse njeriu mizor e fut veten në telashe.» (Proverbat 11:17) Njerëzit dashamirës janë bujarë, të gatshëm të japin nga vetja gjëra, si kohën, energjitë, përkujdesjen e kështu me radhë. Kjo u sjell dobi në mënyra të ndryshme, e një ndër më të rëndësishmet është përmirësimi i shëndetit.

Studimet tregojnë se ata që janë të gatshëm të ndihmojnë të tjerët, priren të kenë më pak dhembje e depresion. Me pak fjalë, gëzojnë shëndet më të mirë. Madje, dhënia bujare përmirëson edhe shëndetin e disave që vuajnë nga sëmundje kronike, si skleroza e shumëfishtë ose HIV-i. Është parë edhe se, kur ata që po përpiqen të lënë alkoolin, ndihmojnë të tjerët, kanë më pak të ngjarë të bien në depresion dhe t’i kthehen sërish vesit.

Kjo mendohet se ndodh, sepse «ndjenjat e dhembshurisë, të mirësisë dhe të mirëdashjes nuk lënë shumë vend për emocione negative». Dhënia mund të ulë edhe stresin dhe presionin e gjakut. Ata që kishin humbur bashkëshortin e dashur, e merrnin veten më shpejt nga simptomat e depresionit nëse mbështetnin të tjerët.

S’ka pikë dyshimi për këtë: dhënia të bën mirë.

DHËNIA ËSHTË NGJITËSE

Jezui i nxiti dishepujt: «Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin. Do t’ju derdhin në prehër një masë të shkëlqyer, të ngjeshur, të tundur dhe që derdhet nga buzët. Sepse do t’ju matin me po atë masë që ju i matni të tjerët.» (Luka 6:38) Kur jep, ka më shumë gjasa që të tjerët të tregojnë mirënjohje për bujarinë tënde dhe të bëhen bujarë edhe vetë. Pra, dhënia ushqen bashkëpunimin dhe miqësinë.

Dhënia ushqen bashkëpunimin dhe miqësinë

Studiuesit që shqyrtojnë marrëdhëniet njerëzore, kanë vërejtur se «ata që shfaqin vazhdimisht altruizëm, ndikojnë edhe te të tjerët të veprojnë njësoj». Faktikisht, edhe «thjesht kur lexon për gjeste të jashtëzakonshme mirësie, shtyhesh të bëhesh më bujar». Kështu, sipas një studimi, «kur japim, bëhemi pjesë e një cikli përmes të cilit mund të ndikojmë te dhjetëra e madje te qindra veta, disa prej të cilëve as i kemi njohur e as i kemi takuar». Me fjalë të tjera, vetëm një gjest bujarie mund të nisë një efekt domino, që shkon nga njëri te tjetri në gjithë komunitetin. A nuk do të të pëlqente të jetoje në një vend si ky? Po, sa më shumë veta të jepnin, aq më shumë dobi do të vinin.

Një përvojë nga Florida, SHBA, dëshmon për këtë ndikim pozitiv. Një grup Dëshmitarësh të Jehovait dolën vullnetarë për të ndihmuar pas një uragani shkatërrues. Ndërsa po pritnin të vinin materialet për të riparuar një shtëpi, panë se ishte dëmtuar gardhi i një fqinji, dhe e rregulluan. Pak kohë më vonë, në një letër drejtuar selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, fqinji shkroi: «Ju jam përjetë mirënjohës! Kurrë s’kam njohur njerëz më të mirë.» Nga mirënjohja, dërgoi një kontribut bujar për Dëshmitarët që ta përdornin për veprën e jashtëzakonshme të Dëshmitarëve, siç e quajti ai.

IMITONI SHEMBULLIN MË TË MADH TË DHËNIES

Sipas një zbulimi shkencor domethënës, «duket se njeriu lind me prirjen që t’i ndihmojë të tjerët». Studimi pohonte se fëmijët «tregohen altruistë edhe para se të mësojnë të flasin». Si ka mundësi? Bibla thotë se njerëzit janë krijuar «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë», domethënë, zotërojnë të njëjtat cilësi themelore si Perëndia.—Zanafilla 1:27.

Ndër cilësitë e pashoqe të Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova, është bujaria. Ai na ka dhënë jetën dhe çdo gjë të nevojshme për të na bërë të lumtur. (Veprat 14:17; 17:26-28) Mund ta njohim Atin tonë qiellor dhe qëllimin e tij të dashur për ne, duke studiuar Fjalën e tij, Biblën. Ky libër tregon edhe se Zoti ka marrë masa për të ardhmen tonë të lumtur. * (1 Gjonit 4:9, 10) Meqë Perëndia Jehova është burimi i bujarisë dhe meqë ti je krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij, nuk është çudi që, kur jep—duke imituar Zotin—të sjell dobi dhe merr miratimin e tij.Hebrenjve 13:16.

Të kujtohet Aleksandra që u përmend në fillim të artikullit? Ç’ndodhi më pas? Edhe pse një pasagjer në autobus i tha se i kishte çuar dëm ato para, djali që ndihmoi, kontaktoi miqtë në qytetin e radhës ku ndaluan, dhe ia ktheu menjëherë borxhin prej 20 dollarësh. Për më tepër, djali ia vuri veshin sugjerimit të Aleksandrës dhe filloi të studionte Biblën. Ajo ishte e kënaqur që e takoi sërish pas tre muajsh në një kongres të gjuhës kineze të Dëshmitarëve të Jehovait në Peru. Që ta falënderonte për gjithë sa kishte bërë Aleksandra për të, e ftoi në restorantin e tij bashkë me ata me të cilët ajo kishte vajtur në kongres.

Kur jep dhe kur ndihmon të tjerët, të sjell gëzim të madh. Aq më tepër, ndihmon të tjerët ta njohin më shumë Burimin e të gjitha dhuratave të mira, Perëndinë Jehova. (Jakovi 1:17) A po i shijon dobitë e dhënies?

^ par. 21 Për më shumë hollësi, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe që disponohet online në www.pr2711.com. Shih te BOTIME > LIBRA & BROSHURA.