Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | BIBLA​—HISTORIA E SAJ E MBIJETESËS

Bibla i mbijetoi prishjes

Bibla i mbijetoi prishjes

RREZIKU: Materialet kryesore që përdorën shkrimtarët dhe kopjuesit e Biblës, ishin papirusi e pergamena. * (2 Timoteut 4:13) Pse këto materiale vinin në rrezik mbijetesën e Biblës?

Papirusi griset, çngjyroset dhe hollohet kollaj. Egjiptologët Riçard Parkinson dhe Stefan Kuërki pohojnë: «Me kohë fleta e papirusit mund të dekompozohet aq sa të kthehet në një rrjetë fibrash dhe në një grusht pluhuri. Nëse nuk përdoret, rrotulla e papirusit mund të myket ose të prishet nga lagështia dhe, nëse groposet, mund ta hanë brejtësit ose insektet, sidomos termitet.» Pas zbulimit, disa papiruse janë lënë në vende me shumë dritë ose lagështirë, duke përshpejtuar kështu prishjen e tyre.

Pergamena është më rezistente se papirusi, por edhe ajo dekompozohet nëse nuk mbahet mirë ose lihet në dritë, lagështirë a temperaturë ekstreme. * Edhe pergamena është shënjestër e insekteve. Prandaj, shumë dorëshkrime të lashta nuk kanë mbijetuar deri në ditët tona. Nëse Bibla do të ishte prishur në këtë mënyrë, edhe mesazhi i saj do të ishte zhdukur bashkë me të.

SI MBIJETOI BIBLA: Ligji judaik detyronte çdo mbret ‘të shkruante për vete në një libër, një kopje të këtij ligji’, domethënë pesë librat e parë të Biblës. (Ligji i përtërirë 17:18) Për më tepër, kopistët profesionistë bënë kaq shumë dorëshkrime, sa në shekullin e parë të erës sonë, Shkrimet i gjeje në sinagoga anembanë Izraelit e deri në Maqedoninë e largët. (Luka 4:16, 17; Veprat 17:11) Si kanë ardhur deri sot disa dorëshkrime tepër të lashta?

Dorëshkrimet e njohura si Rrotullat e Detit të Vdekur rezistuan për shekuj në poçe balte, në shpella në një klimë të thatë

Studiuesi i Dhiatës së Re Filip Komfort shprehet: «Judenjtë njiheshin si njerëz që i ruanin rrotullat e Shkrimeve në shtamba ose në poçe balte.» Me sa duket, edhe të krishterët e mbajtën këtë traditë. Ja pse disa dorëshkrime të hershme të Biblës janë zbuluar në poçe balte, si edhe në depo ose shpella të errëta dhe në rajone tepër të thata.

REZULTATI: Mijëra pjesë të dorëshkrimeve të Biblës, disa mbi 2.000-vjeçare, ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Asnjë tekst tjetër antik nuk ka kaq shumë dorëshkrime nga një kohë kaq e hershme.

^ par. 3 Papirusi është material shkrimi që bëhet nga bima ujore me të njëjtin emër. Kurse pergamena bëhet nga lëkura e kafshëve.

^ par. 5 Për shembull, kopja zyrtare e firmosur e Deklaratës së Pavarësisë e SHBA-së u shkrua në pergamenë. Por tani, gati 250 vjet më vonë, shkrimi i saj është zbehur aq shumë, sa mezi lexohet.