A e dini?
Pse ishte e veçantë mënyra si i trajtoi Jezui të lebrosurit?
Judenjtë në lashtësi kishin frikë nga një lloj lebre e zakonshme në kohët biblike. Ajo sëmundje e tmerrshme mund të prekte fundin e fijeve nervore dhe shkaktonte shpërfytyrim e dëme të përhershme. Nuk kishte kurë për lebrën. Të infektuarit viheshin në karantinë dhe ishin të detyruar t’i paralajmëronin të tjerët për sëmundjen e tyre.—Levitiku 13:45, 46.
Krerët fetarë judenj përcaktuan rregulla për lebrën që shkonin përtej asaj që thuhej në Shkrime, duke ua vështirësuar jetën të lebrosurve pa qenë nevoja. Për shembull, sipas rregullave rabinike askush s’duhej t’i afrohej një të lebrosuri me tepër se 4 kubitë, ose 2 metra. Por, nëse frynte erë, askush nuk duhej t’i afrohej me tepër se 100 kubitë, ose 45 metra. Disa talmudistë pohonin se kërkesa biblike që të lebrosurit të jetonin «jashtë kampit» nënkuptonte se duhej të nxirreshin jashtë mureve të qytetit. Prandaj, kur një rabin shihte një të lebrosur brenda mureve të qytetit, i gjuante me gurë dhe i thoshte: «Kthehu në vendin tënd e mos i ndot të tjerët.»
Sa ndryshe sillej Jezui! Në vend që t’i dëbonte të lebrosurit, i prekte pa problem e madje ishte gati t’i shëronte.—Mateu 8:3.
Mbi ç’baza e lejonin divorcin krerët fetarë judenj?
Divorci ishte mollë sherri mes krerëve fetarë të shekullit të parë të e.s. Ja pse një herë disa farisenj e sfiduan Jezuin me pyetjen: «A është e ligjshme që burri ta divorcojë gruan për çdo lloj arsyeje?»—Mateu 19:3.
Ligji i Moisiut e lejonte burrin ta divorconte gruan nëse ‘gjente tek ajo ndonjë gjë të turpshme’. (Ligji i përtërirë 24:1) Në kohën e Jezuit kishte dy shkolla rabinike që e interpretonin ndryshe domethënien e këtij ligji. Shkolla e Shamait, që i qëndronte më besnike Ligjit, thoshte se e vetmja arsye e vlefshme për divorc ishte «mungesa e dëlirësisë», pra kurorëshkelja. Nga ana tjetër, Shkolla e Hilelit thoshte se me ligj burri mund ta divorconte gruan për çfarëdo mosmarrëveshje martesore, sado e vogël të ishte. Sipas kësaj shkolle të mëvonshme burri mund ta divorconte gruan thjesht nëse nuk i pëlqente darka ose nëse gjente një grua që i dukej më e bukur.
Po si iu përgjigj Jezui pyetjes së farisenjve? Ai tha qartë: «Kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.»—Mateu 19:6, 9.