Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’pamje kishte vërtet Jezui?

Ç’pamje kishte vërtet Jezui?

Askush nuk ka ndonjë fotografi të Jezuit. Ai nuk qëndroi kurrë para një artisti për t’i bërë një portret a skulpturë. Megjithatë, përgjatë shekujve është shfaqur në veprat e artistëve të panumërt.

Sigurisht, këta artistë nuk e dinin se ç’pamje kishte vërtet Jezui. Shpeshherë, mënyra si e portretizonin, varej nga kultura e kohës, bindjet fetare dhe preferencat e atyre që e porositnin veprën e artit. Prapëseprapë, pikturat ose skulpturat e tyre mund të kenë ndikuar e madje ta kenë mjegulluar pikëpamjen e njerëzve për Jezuin dhe për mësimet e tij.

Disa artistë e kanë përshkruar Jezuin si një person të dobët e të brishtë, me flokë të gjatë e me pak mjekër ose me një pamje melankolike. Në raste të tjera, ai shfaqet në formë të mbinatyrshme, i stolisur me një aureolë ose i ftohtë me të tjerët përreth. A janë të sakta këto portretizime të Jezuit? Si mund ta zbulojmë? Një mënyrë është duke shqyrtuar vargjet biblike të cilat hedhin dritë mbi pamjen që mund të kishte. Gjithashtu ato mund të na ndihmojnë të kemi pikëpamjen e duhur për të.

«MË PËRGATITE NJË TRUP»

Me sa duket, këto fjalë Jezui i përmendi në lutje kur u pagëzua. (Hebrenjve 10:5; Mateu 3:13-17) Si dukej ky trup? Rreth 30 vjet më parë, engjëlli Gabriel i kishte thënë Marisë: ‘Ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, Birin e Perëndisë.’ (Luka 1:31, 35) Prandaj, Jezui ishte i përsosur, siç ishte në fillim Adami. (Luka 3:38; 1 Korintasve 15:45) Jezui duhet të ketë pasur trup të lidhur, dhe ka shumë mundësi që të ketë marrë nga tiparet e mamasë së tij judeje, Marisë.

Jezui mbante mjekër, siç e kishin zakon judenjtë, ndryshe nga romakët. Mjekra ishte simbol i dinjitetit dhe i respektit; nuk ishte e gjatë dhe as e çrregullt. Pa dyshim, Jezui i mbante të rregullta si mjekrën, edhe flokët. Vetëm nazirejtë, siç ishte Samsoni, nuk i prisnin flokët.​—Numrat 6:5; Gjykatësit 13:5.

Pjesën më të madhe të 30 vjetëve, Jezui ishte zdrukthëtar dhe nuk punonte me mjete moderne. (Marku 6:3) Prandaj, ai duhet të ketë qenë truplidhur. Në fillim të shërbimit të tij, i vetëm «i dëboi nga tempulli të gjithë . . . , bashkë me delet e gjedhët. Ua derdhi monedhat këmbyesve të parave dhe u përmbysi tryezat». (Gjoni 2:14-17) Vetëm një burrë i fuqishëm mund ta bënte një veprim të tillë. Jezui e përdori trupin e përgatitur nga Perëndia që të përmbushte caktimin që i kishte dhënë: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Duhej goxha rezistencë të udhëtoje më këmbë në mbarë Palestinën e të shpallje këtë mesazh.

«EJANI TEK UNË . . . E UNË DO T’JU FRESKOJ»

Kjo ftesë duhet të ketë qenë shumë tërheqëse për ata që ishin ‘të robtuar e të ngarkuar’, pasi Jezui ishte i përzemërt dhe pamja e tij përcillte ngrohtësi. (Mateu 11:28-30) Ngrohtësia dhe mirësia e tij e përforconin premtimin se do t’i freskonte ata që ishin të gatshëm të mësonin prej tij. Edhe fëmijët donin të rrinin pranë Jezuit, pasi Bibla thotë: «[Ai] i mori fëmijët në krahë.»​—Marku 10:13-16.

Ndonëse përjetoi momente agonike para vdekjes, Jezui nuk ishte tip melankolik. Për shembull, ai ua shtoi gëzimin të ftuarve në një dasmë në Kanë duke e kthyer ujin në verë të mirë. (Gjoni 2:1-11) Në raste të tjera shoqërore dha mësime të paharrueshme.​—Mateu 9:9-13; Gjoni 12:1-8.

Mbi të gjitha, nëpërmjet predikimit, dëgjuesit e tij kishin perspektivën e gëzueshme për të jetuar përgjithmonë. (Gjoni 11:25, 26; 17:3) Kur 70 dishepuj i treguan përvojat që kishin pasur gjatë predikimit, ai «u mbush me gëzim» pasi tha këto fjalë: «Gëzohuni sepse emrat tuaj janë shkruar në qiej.»​—Luka 10:20, 21.

«KURSE JU NUK DUHET TË JENI KËSHTU»

Krerët fetarë të kohës së Jezuit sajonin lloj-lloj mënyrash për të tërhequr vëmendjen drejt vetes, si edhe i jepnin tepër rëndësi autoritetit të tyre. (Numrat 15:38-40; Mateu 23:5-7) Ndryshe nga ata, Jezui u tha apostujve të mos ‘silleshin si zotër’ mbi të tjerët. (Luka 22:25, 26) Në fakt, Jezui i paralajmëroi: «Ruhuni nga skribët, që u pëlqen të vijnë vërdallë me petka të gjata, t’i përshëndetin nëpër sheshe pazari.»​—Marku 12:38.

Krejt ndryshe, Jezui bëhej njësh me turmën e me raste nuk binte fare në sy. (Gjoni 7:10, 11) Madje, tiparet e tij fizike nuk binin në sy as ndër 11 apostujt besnikë. Tradhtari Judë e puthi Jezuin, siç «kishte rënë në ujdi», për ta identifikuar para turmës.​—Marku 14:44, 45.

Prandaj, ndonëse nuk dimë shumë hollësi, duket qartë se pamja e Jezuit nuk ishte siç portretizohet shpeshherë. Gjithsesi, ajo që ka më shumë rëndësi nuk është pamja e tij e vërtetë, por mënyra si e shohim sot.

«EDHE PAK DHE BOTA NUK DO TË MË SHOHË MË»

Disa orë pasi tha këto fjalë, Jezui vdiq dhe u varros. (Gjoni 14:19) E dha jetën «si shpërblesë për shumë njerëz». (Mateu 20:28) Ditën e tretë Perëndia e ringjalli «në frymë» dhe ‘bëri t’u shfaqej’ disa dishepujve. (1 Pjetrit 3:18; Veprat 10:40) Ç’pamje kishte Jezui kur iu shfaq dishepujve? Me sa duket, pamja e tij ndryshonte goxha nga më përpara, sepse as miqtë më të afërt nuk e njohën menjëherë. Maria Magdalena mendoi se ai ishte kopshtar, kurse dy dishepuj që po shkonin në Emaus, nuk e njohën fare.​—Luka 24:13-18; Gjoni 20:1, 14, 15.

Si duhet ta përfytyrojmë Jezuin sot? Më tepër se 60 vjet pas vdekjes së Jezuit, apostulli i dashur Gjon pa disa vegime të tij. Gjoni nuk pa një person që po vdiste në një kryq. Përkundrazi, pa ‘Mbretin e mbretërve dhe Zotërinë e zotërinjve’, Mbretin e Mbretërisë së Perëndisë, që së shpejti do t’i mposhtë armiqtë e Perëndisë, qoftë demonikë, qoftë njerëzorë, si edhe do t’i sjellë njerëzimit bekime të përhershme.​—Zbulesa 19:16; 21:3, 4.