JETËSHKRIM
Bekimet e Jehovait tejkaluan çdo gjë që prisja
«DUHET të bëhem pionier. Por a do të jetë vërtet interesant shërbimi i pionierit»,—pyesja veten.—Më pëlqente shumë puna ime në Gjermani, ku merresha me eksportin e ushqimeve drejt vendeve ekzotike të Afrikës, si Dar-es-Salam, Elizabetvil dhe Asmarë. S’më shkonte mendja se një ditë do t’i shërbeja Jehovait në kohë të plotë në ato vende dhe në shumë të tjera anekënd Afrikës!
Më në fund i mposhta dyshimet dhe fillova si pionier. Kjo ishte pikënisja e një jete që tejkaloi çdo gjë që prisja. (Efes. 3:20) Por, mbase doni të dini si ndodhi kjo. Po jua tregoj që nga fillimi.
Linda në Berlin, Gjermani, vetëm pak muaj pasi shpërtheu Lufta II Botërore më 1939. Kur luftës po i vinte fundi më 1945, Berlini u bë shënjestra e bombardimeve të rënda ajrore. Një herë u bombardua rruga jonë, dhe si familje u futëm në një strehim kundërajror. Për të shpëtuar, më vonë ikëm në Erfurt, qyteti i lindjes së mamasë.
Mamaja e kërkonte me etje të vërtetën. Lexoi vepra të filozofëve dhe mori në shqyrtim fe të ndryshme, ama nuk mbeti e kënaqur. Rreth vitit 1948, dy Dëshmitare të Jehovait trokitën në derën tonë. Mamaja i ftoi brenda dhe u bëri një mal me pyetje. Pa kaluar as një orë, na tha mua dhe motrës së vogël: «Kam gjetur të vërtetën!» Shpejt, mamaja, motra dhe unë filluam të ndiqnim mbledhjet në Erfurt.
Më 1950 u kthyem në Berlin, ku u shoqëruam me kongregacionin Berlin-Krojcberg. Pas një tjetër transferimi brenda Berlinit, i ndoqëm mbledhjet në kongregacionin Berlin-Tempelhof. Me kohë, mamaja u pagëzua kurse unë ngurroja. Pse?
MPOSHT NDROJTJEN DHE PAVENDOSMËRINË
Përparova fare pak ngaqë isha goxha i ndrojtur. Edhe pse dilja në shërbim, për dy vjet nuk hapa gojë që të jepja dëshmi. Gjërat ndryshuan kur kalova kohë me vëllezër e motra që kishin treguar guxim dhe përkushtim ndaj Jehovait. Disa kishin vuajtur në kampet naziste të përqendrimit ose në burgjet e Gjermanisë Lindore. Të tjerë kishin rrezikuar lirinë për të futur fshehurazi literaturë në Gjermaninë Lindore. Shembulli i tyre më la mbresa të thella. Arsyetova me vete: «Nëse ata kanë rrezikuar jetën dhe lirinë për Jehovain e për
vëllezërit, unë të paktën duhet të përpiqem të mos jem kaq i ndrojtur.»Fillova ta mposhtja ndrojtjen kur mora pjesë në një fushatë speciale predikimi më 1955. Në një letër që u botua te Njoftuesi, * vëllai Nejthën Nor lajmëroi se kjo do të ishte një nga fushatat më të mëdha të organizatës. Ai tha se po të merrnin pjesë të tërë lajmëtarët, ‘do të kishim muajin më të mrekullueshëm të predikimit në gjithë historinë’. Sa të vërteta ishin ato fjalë! Pak më vonë, ia kushtova jetën Jehovait dhe më 1956 u pagëzova bashkë me babanë dhe motrën. Por shpejt u përballa me një tjetër vendim të rëndësishëm.
E dija prej vitesh se shërbimi i pionierit ishte karriera e duhur, mirëpo vazhdoja ta shtyja. Në fillim, vendosa të bëja një trajnim në Berlin për tregtinë me shumicë dhe import-eksportin. Pastaj, doja të punoja për njëfarë kohe në profesionin tim që të fitoja përvojë e t’ia merrja dorën. Ja pse më 1961, pranova një punë në Hamburg, qyteti-port më i madh në Gjermani. Sa më shumë zhytesha në punë, aq më shumë doja ta shtyja shërbimin si pionier. Ç’do të bëja?
I jam mirënjohës Jehovait që përdori vëllezër të dashur për të më ndihmuar t’i jepja përparësi shërbimit të tij. Disa nga miqtë e mi kishin filluar si pionierë dhe ishin një shembull i shkëlqyer. Veç kësaj, vëllai Erik Mund, një i mbijetuar nga kampet e përqendrimit, më inkurajoi që të mbështetesha me besim te Jehovai. Ai tha se në kampin e përqendrimit, vëllezërit që u mbështetën te vetja u bënë të dobët. Kurse ata që u mbështetën plotësisht te Jehovai, qëndruan besnikë dhe u bënë shtylla në kongregacion.
Gjithashtu, vëllai Martin Pocinger, që më vonë shërbeu në Trupin Udhëheqës, i nxiste vazhdimisht vëllezërit me këto fjalë: «Guximi është gjëja më e çmuar që mund të keni!» Pasi meditova për këto fjalë, më në fund lashë punën dhe fillova shërbimin si pionier në qershor të 1963-shit. Ky ishte vendimi më i shkëlqyer! Pas dy muajsh, madje para se të filloja të kërkoja një punë tjetër, më ftuan të shërbeja si pionier special. Pak vite më vonë, Jehovai tejkaloi çdo gjë që prisja. Më ftuan në klasën e 44-t të Shkollës së Galaadit.
NJË MËSIM I ÇMUAR NGA GALAADI
«Mos hiqni dorë shpejt nga caktimi.» Ky ishte një nga mësimet më të rëndësishme që mora, sidomos nga vëllezërit Nejthën Nor dhe Lajman Suingëll. Ata na nxitën të qëndronim në caktimin tonë sado i vështirë të ishte. Vëlla Nori tha: «Ku do të përqendroheni? Te pisllëku, te insektet, te varfëria? Apo do të vini re pemët, lulet dhe fytyrat e lumtura? Mësoni t’i doni njerëzit!» Një ditë, teksa po shpjegonte pse disa vëllezër dorëzoheshin shpejt, vëlla Suingëllin e mbytën emocionet dhe iu mbushën sytë me lot. Iu desh ta ndërpriste fjalimin që të mblidhte veten. Kjo më preku thellë dhe isha i vendosur të mos zhgënjeja as Krishtin e as vëllezërit e tij besnikë.—Mat. 25:40.
Kur morëm caktimet, disa bethelitë pyetën plot kureshtje ca nga ne se ku do të shkonim. Thanë gjëra pozitive për secilin caktim derisa erdhi radha ime që thashë: «Në Kongo (Kinshasë).» Heshtën një çast e pastaj thanë vetëm: «Ah, në Kongo! Jehovai qoftë me ty!» Në ato kohë, Kongoja (Kinshasa) bënte bujë në lajme për shkak të luftës, mercenarëve dhe vrasjeve. Por unë mbaja në mendje gjërat që kisha mësuar. Pak pas diplomimit në shtator të 1967-s, Hajnrih Denbosteli, Klod Linzi dhe unë u nisëm drejt Kinshasës, kryeqytetit të Kongos.
NJË STËRVITJE E SHKËLQYER PËR MISIONARËT
Pasi mbërritëm në Kinshasë, studiuam frëngjisht për tre muaj. Pastaj shkuam me avion
në Lubumbashi, që më parë quhej Elizabetvil, afër kufirit të Zambies, në skajin jugor të Kongos. U transferuam në një shtëpi misionare në qendër të qytetit.Pjesa më e madhe e Lubumbashit nuk ishte predikuar kurrë, prandaj ndiheshim të lumtur që do t’u jepnim për herë të parë të vërtetën shumë vetave atje. Brenda një kohe të shkurtër, filluam më shumë studime nga ç’mund të mbanim. Veç kësaj u dëshmuam autoriteteve që punonin për qeverinë ose policinë. Mjaft veta e respektonin jashtë mase Fjalën e Perëndisë dhe veprën tonë të predikimit. Njerëzit flitnin kryesisht suahili, ndaj bashkë me Klod Linzin mësuam edhe këtë gjuhë. Pak më vonë, na caktuan në një kongregacion të gjuhës suahili.
Përpos shumë përvojave të bukura, patëm edhe vështirësi. Shpesh na duhej të përballeshim me ushtarë të dehur e të armatosur ose me policë sherrxhinj që na akuzonin padrejtësisht. Një herë, një grup policësh të armatosur u turrën brenda shtëpisë misionare ku po mbanim mbledhjen e kongregacionit dhe na çuan në rajonin e policisë. Na lanë atje të ulur përdhe deri në orën dhjetë të darkës e pastaj na liruan.
Më 1969, më caktuan në veprën qarkore. Hera-herës më duhej të ecja goxha përmes barit të gjatë e shtigjeve plot baltë, që janë tipike të savanës afrikane. Në një fshat, një klloçkë me zogjtë e saj, flinin natën poshtë shtratit tim. S’do ta harroj kurrë me sa entuziazëm e zhurmë më zgjonte që pa gdhirë.
Kujtoj me nostalgji mbrëmjet kur bisedonim me vëllezërit rreth zjarrit për të vërtetat e Biblës.Një nga vështirësitë më të mëdha ishte të përballeshim me vëllezërit e rremë që mbështetnin lëvizjen Kitauala. * Disa prej tyre ishin të infiltruar në kongregacion dhe mbanin detyra me përgjegjësi. Shumë prej këtyre ‘shkëmbinjve të fshehur’ iu çor maska nga motrat e vëllezërit besnikë. (Jud. 12) Me kohë, Jehovai i pastroi kongregacionet dhe hodhi themelin për një rritje fenomenale.
Më 1971, më caktuan në zyrën e degës në Kinshasë. Atje kisha caktime të ndryshme, si korrespondenca, porosia e literaturës dhe çështjet që lidheshin me shërbimin. Në Bethel, mësova të organizoj veprën në një shtet të stërmadh me infrastrukturë të kufizuar. Ndonjëherë, letrat që dërgonim me postë ajrore arrinin në kongregacione pas shumë muajsh. Posta shkarkohej nga avioni nëpër varka, që më pas ngecnin për javë të tëra në një qilim të dendur me zymbylë uji. Gjithsesi, puna bëhej pavarësisht nga këto vështirësi dhe shumë të tjera.
Mrekullohesha tek shihja se si vëllezërit organizonin kongrese të mëdha me pak fonde. Përdornin foletë e termiteve për të ndërtuar podiume, bënin mure ose jastëkë për t’u ulur me një bimë barishtore të gjatë. I përdornin bambutë si shtylla mbajtëse për ndërtesat, dhe me rrogozat prej kallami bënin çati ose tavolina. Gjithashtu, meqë s’kishin gozhdë, përdornin lëvoren e pemëve që e pritnin në rripa të hollë. S’kisha si të mos i admiroja këta vëllezër e motra elastikë dhe mendjeshkathët. M’u bënë shumë të shtrenjtë. Sa më merrte malli për ta kur m’u desh të shkoja në një caktim të ri!
SHËRBIMI NË KENIA
Në vitin 1974, u transferova në zyrën e degës në Najrobi, Kenia. Kishim shumë punë atje, sepse dega e Kenias mbështeste veprën e predikimit në dhjetë shtete fqinje. Në disa nga këto vende, vepra jonë ishte e ndaluar. Kisha si caktim që herë pas here të vizitoja këto shtete, sidomos Etiopinë, ku vëllezërit tanë përndiqeshin dhe hasnin sprova të rënda. Shumë prej tyre i keqtrajtonin mizorisht ose i futnin në burg; disa madje i vranë. Por ata qëndruan besnikë ngaqë kishin një marrëdhënie të fortë me Jehovain dhe me njëri-tjetrin.
Më 1980, jeta ime mori një kthesë të bukur—u martova me Gejla Methsonin që është nga Kanadaja. Unë dhe Gejla kishim ndjekur të njëjtën klasë në Galaad. Pastaj kishim mbajtur lidhje me letra. Gejla shërbente si misionare në Bolivi. Pas 12 vjetësh, u takuam sërish në Nju-Jork. Pak më vonë u martuam në Kenia. I jam shumë mirënjohës Gejlës që i sheh gjithmonë gjërat me syrin e Jehovait dhe është vërtet e kënaqur me atë që ka. Ajo është ende mbështetja ime e çmuar dhe shoqja ime e dashur.
Më 1986, u caktuam në veprën udhëtuese, e unë shërbeja njëkohësisht edhe në Komitetin e Degës. Vepra udhëtuese përfshinte të shërbeja në shumë nga vendet që ishin nën mbikëqyrjen e degës së Kenias.
Kujtoj me ëndje përgatitjet për një kongres në Asmarë (në Eritre) më 1992. Asokohe vepra jonë atje nuk ishte e ndaluar. Mjerisht, gjithë sa arritëm të gjenim ishte një hambar që brenda dukej edhe më keq se jashtë. Ditën e kongresit, u mrekullova kur pashë si e kishin transformuar vëllezërit ambientin brenda në një vend të denjë për të adhuruar Jehovain. Shumë familje kishin sjellë pëlhura dekorative dhe kishin mbuluar me mjeshtëri gjithçka që s’dukej bukur. Patëm një kongres të gëzueshëm dhe emocionues me 1.279 të pranishëm.
Vepra udhëtuese ishte sfidë për ne, sepse rrinim në vende nga më të ndryshmet. Një
herë qëndruam në dhomat luksoze të mysafirëve në një vilë buzë oqeanit; një herë tjetër qëndruam në një barakë teneqeje në një kamp punëtorësh, ku tualetet ishin mbi 100 metra larg. Por pavarësisht se ku shërbenim, kujtimet më të bukura i kemi nga ditët plot aktivitet kur dilnim me pionierë e lajmëtarë të zellshëm. Kur morëm caktimin tjetër, na u desh të linim pas mjaft miq të shtrenjtë për të cilët do të na merrte shumë malli.KORRIM BEKIME NË ETIOPI
Nga fundi i viteve 80 dhe fillimi i viteve 90, vepra jonë u njoh ligjërisht në disa shtete që mbikëqyreshin nga dega e Kenias. Si rezultat, u formuan zyra dege dhe zyra vendi. Më 1993, na caktuan të shërbenim në zyrën e Adis-Abebës, Etiopi. Atje vepra jonë ishte kryer në fshehtësi për dekada të tëra, por tani njihej ligjërisht.
Jehovai e ka bekuar veprën në Etiopi. Shumë vëllezër e motra filluan shërbimin e pionierit. Që nga 2012-a, mbi 20 për qind e lajmëtarëve kanë shërbyer si pionierë të rregullt çdo vit. Veç kësaj, shkollat teokratike kanë dhënë stërvitje të nevojshme dhe janë ndërtuar mbi 120 Salla Mbretërie. Në 2004-n familja Bethel u transferua në një ndërtesë të re, dhe Salla e Asambleve që është ngritur në të njëjtin truall ka qenë një bekim.
Ndër vite, unë dhe Gejla kemi shijuar miqësi të ngushta me vëllezër e motra në Etiopi. Me ngrohtësinë dhe mirësinë e tyre na kanë bërë për vete. Kohët e fundit kemi pasur probleme me shëndetin, e për këtë arsye u caktuam në degën e Evropës Qendrore. Këtu, motrat e vëllezërit kujdesen me dashuri për ne, ama na merr shumë malli për miqtë tanë të shtrenjtë në Etiopi.
JEHOVAI BËRI TË RRITEJ
Kemi parë me sytë tanë se si Jehovai ka bërë që vepra e tij të rritet. (1 Kor. 3:6, 9) Për shembull, kur u predikova për herë të parë minatorëve ruandezë që kishin ardhur në Kongo për të kërkuar bakër, në Ruandë nuk kishte asnjë lajmëtar. Tani në atë vend ka më shumë se 30.000 vëllezër e motra. Më 1967, Kongoja (Kinshasa) kishte rreth 6.000 lajmëtarë. Tani janë afro 230.000, dhe më shumë se një milion veta ndoqën Përkujtimin në vitin 2018. Në gjithë vendet që dikur ishin nën mbikëqyrjen e degës së Kenias, numri i lajmëtarëve ka arritur në mbi 100.000.
Mbi 50 vjet më parë, Jehovai përdori vëllezër të ndryshëm që të më ndihmonte të nisja shërbimin e plotkohor. Edhe pse luftoj ende me ndrojtjen, kam mësuar të mbështetem plotësisht te Jehovai. Përvojat që kam pasur në Afrikë më kanë mësuar të jem i duruar dhe të kënaqem me ato që kam. Unë dhe Gejla i admirojmë vëllezërit e motrat e dashura që tregojnë mikpritje, qëndrueshmëri dhe besim të jashtëzakonshëm te Jehovai. Ndihem thellësisht mirënjohës për dashamirësinë e tij të pamerituar. Bekimet e Jehovait kanë tejkaluar vërtet çdo gjë që mund të shpresoja.—Psal. 37:4.
^ par. 11 Më vonë u quajt Shërbimi ynë i Mbretërisë. Tani është zëvendësuar nga Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje.
^ par. 23 «Kitauala» vjen nga një fjalë në suahili që do të thotë «të mbizotërosh, të drejtosh ose të qeverisësh». Qëllimi i kësaj lëvizjeje ishte politik: të fitohej pavarësia nga Belgjika. Grupet Kitauala merrnin, studionin dhe qarkullonin botimet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe i shtrembëronin mësimet e Biblës për të mbështetur pikëpamjet e tyre politike, zakonet bestyte dhe jetesën imorale.