«Çmbështillet» një rrotull e lashtë
Fragmenti i shkrumbuar i Ein-Gedit ishte i palexueshëm që kur u zbulua në vitin 1970. Falë një skanimi 3D, u zbulua se kjo rrotull përmban një pjesë të librit të Levitikut, ku përfshihet emri personal i Perëndisë
MË 1970, arkeologët zbuluan një rrotull të shkrumbuar në Ein-Gedi, Izrael, afër bregut perëndimor të Detit të Vdekur. Ata e gjetën rrotullën ndërsa gërmonin në një sinagogë e cila u dogj kur u shkatërrua fshati, ka shumë të ngjarë në shekullin e gjashtë të e.s. Rrotulla ishte në një gjendje kaq të keqe sa nuk lexohej dot; madje s’mund të hapej pa e dëmtuar. Megjithatë, falë një teknike skanimi 3D, rrotulla u «çmbështoll». Dhe me ndihmën e një programi të ri skanimi dixhital, përmbajtja e saj mund të lexohet.
Çfarë zbuloi skanimi? Rrotulla është një fragment nga Bibla. Ajo që ka mbetur nga kjo rrotull përmban disa vargje nga fillimi i librit të Levitikut. Në këto vargje gjendet emri personal i Perëndisë në hebraisht, në formën e Tetragramit. Ky zbulim duket se daton diku mes vitit 50 të e.s. dhe vitit 400 të e.s., çka e bën rrotullën më të vjetër të Shkrimeve Hebraike pas dorëshkrimeve të Detit të Vdekur. Gil Zohari shkroi në gazetën The Jerusalem Post: «Para se të hapej në mënyrë virtuale fragmenti i Levitikut që u gjet në Ein-Gedi, ka pasur një hendek prej 1.000 vjetësh mes Rrotullave 2.000-vjeçare të Detit të Vdekur, që datojnë nga fundi i periudhës së Tempullit të Dytë, dhe Kodikut të Halebit që u shkrua në shekullin e 10-të të e.s.» Sipas ekspertëve, kjo rrotull që u çmbështoll në mënyrë virtuale tregon se teksti masoretik i Torës «është ruajtur besnikërisht përgjatë mijëvjeçarëve dhe nuk është cenuar nga gabimet e kopistëve».