Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë do të realizojë Mbretëria e Perëndisë?

Çfarë do të realizojë Mbretëria e Perëndisë?

Jezui i mësoi dishepujt të luteshin për ardhjen e Mbretërisë. Ai e dinte se gjërat e tmerrshme që po ndodhin sot në tokë, nuk janë pjesë e qëllimit të Perëndisë dhe se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja qeveri që mund t’i zgjidhë këto probleme. Çfarë do të realizojë Mbretëria e Perëndisë?

ÇFARË KA REALIZUAR TASHMË MBRETËRIA E PERËNDISË?

Në artikullin e mëparshëm konsideruam shenjën që dha Jezui. Falë saj kemi dëshmi të dukshme se Mbretëria e Perëndisë është themeluar në qiell me Jezu Krishtin si Mbret.

Bibla thotë se në momentin që hipi në fron, Jezui dëboi nga qielli Satanain dhe demonët. Tani ndikimin e tyre mund ta ushtrojnë vetëm në tokë, e kjo është një arsye pse gjërat kanë shkuar keq e më keq që nga viti 1914.—Zbulesa 12:7, 9.

Pavarësisht nga kushtet e botës që janë përkeqësuar gjithnjë e më shumë, Jezui, si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, i ka ndihmuar njerëzit anembanë botës. Falë veprës mbarëbotërore të arsimimit nga Bibla që paratha Jezui, shumë njerëz po mësojnë dhe po zbatojnë parimet e saj në jetë. (Isaia 2:2-4) Miliona veta kanë mësuar të mbajnë një pikëpamje të ekuilibruar për punën, të përmirësojnë jetën familjare dhe të kënaqen me të mirat materiale pa u bërë skllevër të tyre. Këta njerëz po mësojnë që tani të nxjerrin dobi për veten dhe po bëhen ata lloj nënshtetasish që Perëndia do në Mbretërinë e tij.

ÇFARË DO TË REALIZOJË NË TË ARDHMEN MBRETËRIA E PERËNDISË?

Edhe pse Jezui po qeveris tashmë në qiell, në tokë ende sundojnë qeveritë njerëzore. Mirëpo Perëndia i ka thënë Jezuit: «Shko mes armiqve të tu dhe nënshtroji.» (Psalmi 110:2) Së shpejti, Jezui do t’i shkatërrojë një herë e mirë të gjithë kundërshtarët dhe do t’u sjellë lehtësim atyre që duan t’i binden Perëndisë.

Gjatë asaj kohe, Mbretëria e Perëndisë do të marrë masa që:

  • Të zhdukë fenë e rreme. Fetë që kanë mësuar gënjeshtra për Perëndinë dhe që ua kanë nxirë jetën njerëzve, do të zhduken. Bibla e krahason fenë e rreme me një prostitutë. E kur ajo të shkatërrohet, shumë njerëz do të tronditen.—Zbulesa 17:15, 16.

  • T’i japë fund sundimit njerëzor. Mbretëria e Perëndisë do t’i japë fund gjithë sundimit njerëzor.—Zbulesa 19:15, 17, 18.

  • Të shfarosë të ligjtë. Ç’do të ndodhë me ata që nuk heqin dorë nga ligësia dhe nuk pranojnë t’i binden Perëndisë? «Të ligjtë do të shfarosen nga toka.»—Proverbat 2:22.

  • Të eliminojë Satanain dhe demonët. Satanai dhe demonët nuk ‘do t’i mashtrojnë më kombet’.—Zbulesa 20:3, 10.

Çfarë nënkuptojnë të gjitha këto për ata që e pranojnë Mbretërinë e Perëndisë?

ÇFARË DO TË BËJË MBRETËRIA E PERËNDISË PËR NJERËZIT?

Si Mbret në qiell, Jezui do të realizojë shumë më tepër se çdo sundimtar njerëzor ndonjëherë. Përkrah tij do të ketë 144.000 bashkëqeveritarë që janë zgjedhur nga njerëzimi. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3) Ai do të sigurohet që vullneti i Perëndisë të bëhet këtu në tokë. Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë për njerëzit?

  • Do të fshijë nga faqja e dheut sëmundjet dhe vdekjen. «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë’» dhe «nuk do të ketë më vdekje».—Isaia 33:24; Zbulesa 21:4.

  • Do të garantojë paqe dhe siguri të vërtetë. «Paqja e bijve të tu do të jetë e madhe» e «secili do të ulet nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë».—Isaia 54:13; Mikea 4:4.

  • Do t’u japë punë të kënaqshme. «Të zgjedhurit e mi do të kënaqen plotësisht me veprën e duarve të tyre. Nuk do të robtohen më kot.»—Isaia 65:22, 23.

  • Do të zgjidhë problemet e mjedisit. «Shkretëtira dhe vendet e thata do të ngazëllojnë. Rrafshina e shkretë do të gëzojë dhe do të lulëzojë si shafrani.»—Isaia 35:1.

  • Do t’u mësojë njerëzve ç’duhet të bëjnë që të jetojnë përgjithmonë. «Që të gëzojnë jetën e përhershme, duhet të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.

Perëndia do që edhe ti t’i shijosh këto bekime. (Isaia 48:18) Në artikullin tjetër do të tregohet çfarë mund të bësh tani që të kesh këtë të ardhme të mrekullueshme.