Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si do të marrin fund gjymtimet?

Si do të marrin fund gjymtimet?

Si do të marrin fund gjymtimet?

PËRFYTYRONI sytë e të verbërve që shohin, veshët e të shurdhërve që dëgjojnë çdo tingull, gjuhën e memecëve që këndon me gëzim dhe këmbët e çalamanëve që janë të forta dhe ecin! Nuk jemi duke folur për ndonjë shpikje në mjekësi, por për pasojat e ndërhyrjes së vetë Perëndisë në dobi të njerëzimit. Bibla parathotë: «Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve; atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi.» (Isaia 35:5, 6) Por, si mund të jemi të sigurt që kjo profeci vërtet mahnitëse do të përmbushet?

Së pari, kur Jezu Krishti ishte në tokë shëroi në të vërtetë njerëz me të gjitha llojet e sëmundjeve dhe gjymtimeve. Për më tepër, shumë nga mrekullitë e tij i panë mjaft dëshmitarë, madje edhe armiqtë e tij. Në të vërtetë, të paktën në një rast kundërshtarët skeptikë shqyrtuan me hollësi një shërim, me qëllimin që ta turpëronin Jezuin. Por për zhgënjimin e tyre të madh, s’bënë gjë tjetër veçse vërtetuan mrekullinë e tij. (Gjoni 9:1, 5-34) Pasi Jezui kreu edhe një tjetër mrekulli të pamohueshme, ata thanë të pakënaqur: «Ç’duhet të bëjmë, se ky njeri kryen shumë shenja?» (Gjoni 11:47) Megjithatë, njerëzit e thjeshtë nuk ishin kaq të pandjeshëm, sepse shumë filluan të besonin te Jezui.​—Gjoni 2:23; 10:41, 42; 12:9-11.

Mrekullitë e Jezuit: Një pamje paraprake e shërimit në mbarë botën

Mrekullitë e Jezuit nuk shërbyen vetëm për të provuar se ai ishte Mesia dhe Biri i Perëndisë. Ato siguruan një bazë për të pasur besim në premtimet e Biblës sipas së cilave njerëzimi i bindur do të shërohet në të ardhmen. Këto premtime përfshijnë profecinë në kapitullin 35 të Isaisë, të përmendur në paragrafin në fillim. Isaia 33: 24 thotë për shëndetin e njerëzve me frikë Perëndie në të ardhmen: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» (BR) Ngjashëm, Zbulesa 21:4 premton: «[Perëndia] do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme [sprovat dhe vuajtjet e sotme] kanë kaluar.»

Njerëzit luten rregullisht për përmbushjen e këtyre profecive kur përsëritin lutjen model të Jezuit, e cila pjesërisht thotë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:10) Po, vullneti i Perëndisë përfshin tokën dhe njerëzimin. Sëmundjet dhe gjymtimet, edhe pse janë lejuar për një arsye, shpejt do të marrin fund. Nuk do të vazhdojnë ta prishin përgjithmonë ‘mbështetësen e këmbëve’ të Perëndisë.​—Isaia 66:1. *

Të shëruar pa dhembje ose pa shpenzime

Çfarëdolloj sëmundjeje që njerëzit mund të kishin, Jezui i shëroi pa dhembje, pa vonesë dhe pa shpenzime. Në mënyrë të pashmangshme, fjala për këto shërime u përhap shumë shpejt dhe menjëherë atij «iu afruan turma të mëdha, që kishin me vete njerëz të çalë, të gjymtuar, të verbër, të pagojë, dhe shumë të tjerë, të cilët pothuajse ia hodhën ndër këmbë dhe ai i shëroi». Si reaguan njerëzit? Tregimi i Mateut që ishte dëshmitar okular vazhdon: «Turma u mahnit tek shihte të pagojët të flitnin, të çalët të ecnin e të verbrit të shihnin dhe i dhanë lavdi Perëndisë së Izraelit.»​—Mateu 15:30, 31.

Vëreni se ata që u shëruan nga Jezui nuk u zgjodhën me kujdes nga turma, marifet ky që e përdorin sharlatanët. Përkundrazi, të afërmit dhe miqtë e shumtë të atyre të sëmurëve «pothuajse ia hodhën ndër këmbë [Jezuit] dhe ai i shëroi». Le të shqyrtojmë disa shembuj të veçantë të aftësisë së Jezuit për të shëruar.

Të verbrit: Kur ishte në Jerusalem, Jezuit i zunë sytë një burrë i cili kishte qenë ‘i verbër që nga lindja’. Ky burrë njihej në qytet si një lypës i verbër. Kështu mund ta përfytyroni entuziazmin dhe trazirën që u shkaktua te njerëzit kur e panë se i kishte ardhur shikimi! E prapë jo të gjithë ishin të lumtur. Disa nga farisenjtë–një sekt i fuqishëm judaik–të inatosur nga denoncimi që i kishte bërë më parë Jezui ligësisë së tyre, donin me çdo kusht të gjenin ndonjë provë për të treguar se Jezui po bënte një mashtrim. (Gjoni 8:13, 42-44; 9:1, 6-31) Kështu e morën në pyetje burrin e shëruar, më pas prindërit e tij dhe pastaj përsëri atë. Por hetimet e farisenjve thjesht vërtetuan mrekullinë e Jezuit, gjë që i inatosi. I çuditur nga ligësia e këtyre hipokritëve fetarë, vetë burri i shëruar tha: «Që nga lashtësia nuk është dëgjuar kurrë që ndokush të ketë hapur sytë e një të verbri të lindur. Po të mos ishte nga Perëndia ky njeri, nuk mund të bënte asgjë fare.» (Gjoni 9:32, 33) Për këtë shprehje besimi të çiltër dhe të zgjuar, farisenjtë «e flakën jashtë», që do të thoshte se e përjashtuan nga sinagoga atë njeri dikur të verbër.​—Gjoni 9:22, 34.

Të shurdhrit: Kur Jezui ishte në Dekapoli, një rajon në lindje të lumit Jordan, «i sollën një njeri të shurdhër e që i mbahej goja». (Marku 7:31, 32) Jo vetëm që Jezui e shëroi këtë person, por zbuloi gjithashtu një kuptueshmëri të thellë për ndjenjat e personave të shurdhër, të cilët mund të ndihen ngushtë kur janë në mes të turmës. Bibla na thotë se Jezui e mori këtë të shurdhër «veçmas larg turmës» dhe e shëroi. Përsëri dëshmitarët okularë ishin «jashtëzakonisht të mahnitur» e thoshin: «Të gjitha i ka bërë mirë. Ai bën, madje, që të shurdhrit të dëgjojnë dhe të pagojët të flasin.»​—Marku 7:33-37.

Të paralizuarit: Kur Jezui ishte në Kapernaum, iu afruan disa njerëz që mbanin një të paralizuar të shtrirë në një shtrat. (Mateu 9:2) Vargjet 6 deri në 8 përshkruajnë atë që ndodhi. «[Jezui] i tha paralitikut: ‘Ngrihu, merr shtratin tënd dhe shko në shtëpinë tënde.’ Dhe ai u ngrit e iku në shtëpinë e tij. Kur panë këtë, turmat i zuri frika dhe i dhanë lavdi Perëndisë, që u dha njerëzve një autoritet të tillë.» Edhe kjo mrekulli u krye në prani të dishepujve të Jezuit dhe të armiqve të tij. Vëreni se dishepujt, të cilët nuk i kishte verbuar urrejtja dhe paragjykimi, «i dhanë lavdi Perëndisë» për atë që panë me sytë e tyre.

Të sëmurët: «Tek [Jezui] erdhi, gjithashtu, një i lebrosur, duke iu përgjëruar, madje duke rënë në gjunjë e duke i thënë: ‘Po të duash ti, mund të më bësh të pastër.’ Atëherë, ai u shty nga keqardhja, shtriu dorën, e preku dhe i tha: ‘Dua. Bëhu i pastër.’ Dhe menjëherë lebra iu zhduk e ai u bë i pastër.» (Marku 1:40-42) Siç vërejmë, Jezui nuk e shëroi këtë person duke qenë i detyruar, por nga dhembshuria e sinqertë që ndjeu për të. Përfytyroni sikur të ishit një i lebrosur. Si do të ndiheshit nëse do të shëroheshit menjëherë e pa dhembje nga kjo sëmundje e frikshme, që me kalimin e kohës e ka shfytyruar trupin tuaj dhe ju ka bërë një të braktisur nga shoqëria? Pa dyshim që mund të kuptoni përse një i lebrosur tjetër, i cili u shërua në mënyrë të mrekullueshme, «ra me fytyrë përtokë në këmbët e Jezuit, duke e falënderuar».​—Luka 17:12-16.

Të dëmtuarit: Mrekullia e fundit e Jezuit para se të arrestohej dhe të vihej në shtyllë ishte një veprim shërimi. Me rrëmbim kundër atyre që do të merrnin Jezuin, apostulli Pjetër, «duke qenë se kishte një shpatë, e nxori dhe goditi skllavin e kryepriftit e i preu veshin e djathtë». (Gjoni 18:3-5, 10) Tregimi paralel i Lukës thotë që Jezui «preku veshin dhe e shëroi atë». (Luka 22:50, 51) Përsëri, ky veprim i njerëzishëm u krye para syve të miqve si dhe para armiqve të Jezuit, që në këtë rast ishin duke e arrestuar.

Po, sa më shumë i shqyrtojmë mrekullitë e Jezuit, aq më shumë kuptojmë shenjat dalluese të vërtetësisë. (2 Timoteut 3:16) Dhe siç u përmend në fillim, një studim i tillë duhet të na e forcojë besimin në premtimin e Perëndisë për të shëruar njerëzit e bindur. Bibla e përkufizon besimin e krishterë si «pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve, edhe pse nuk shihen». (Hebrenjve 11:1) Është e qartë se Perëndia na inkurajon të kemi jo një besim të verbër ose ëndërrime, por besim të palëkundur që bazohet në prova. (1 Gjonit 4:1) Ndërsa fitojmë një besim të tillë, shohim se nga ana frymore bëhemi më të fortë, më të shëndetshëm e më të lumtur.​—Mateu 5:3; Romakëve 10:17.

Në radhë të parë duhet të vijë shërimi frymor

Shumë njerëz që janë fizikisht të shëndetshëm nuk janë të lumtur. Disa madje përpiqen të bëjnë vetëvrasje, pasi nuk kanë shpresë për të ardhmen ose sepse ndihen të mbingarkuar me probleme. Janë në fakt të gjymtuar frymësisht e kjo është një gjendje shumë më e rëndë në sytë e Perëndisë sesa një gjymtim fizik. (Gjoni 9:41) Nga ana tjetër shumë nga ata që janë të gjymtuar fizikisht, si Kristiani dhe Xhuniori të përmendur në artikullin e mëparshëm, bëjnë një jetë të lumtur e të kënaqshme. Përse? Sepse janë frymësisht të shëndetshëm dhe marrin forcë nga një shpresë e sigurt e bazuar në Bibël.

Duke folur për nevojën tonë të veçantë si njerëz, Jezui tha: «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) Po, ndryshe nga kafshët, njerëzit kanë nevojë për më shumë se vetëm gjërat materiale. Të krijuar sipas «shëmbëlltyrës» së Perëndisë, ne kemi nevojë për ushqim frymor, pra për njohurinë e Perëndisë për mënyrën si përfshihemi në qëllimin e tij, dhe si kryejmë vullnetin e tij. (Zanafilla 1:27; Gjoni 4:34) Njohuria e Perëndisë i jep jetës sonë domethënie dhe na mbush me energji frymore. Gjithashtu hedh themelin për jetën e përhershme në një tokë parajsore. Jezui tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.»​—Gjoni 17:3.

Është për t’u përmendur se bashkëkohësit e Jezuit nuk iu drejtuan atij si «Shërues», por si «Mësues». (Luka 3:12; 7:40) Përse? Sepse Jezui u mësoi njerëzve rreth zgjidhjes së përhershme të problemeve të njerëzimit, pra, rreth Mbretërisë së Perëndisë. (Luka 4:43; Gjoni 6:26, 27) Kjo qeveri qiellore në duart e Jezu Krishtit do të sundojë në të gjithë tokën dhe do të përmbushë të gjitha premtimet biblike që kanë të bëjnë me rivendosjen e plotë e të përhershme të njerëzve të drejtë në shtëpinë e tyre tokësore. (Zbulesa 11:15) Ja përse Jezui në lutjen e tij model, e lidhi ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë me kryerjen e vullnetit të Perëndisë në tokë.​—Mateu 6:10.

Shumë individë të gjymtuar, kur kanë mësuar për këtë shpresë frymëzuese i kanë kthyer lotët e trishtimit në lot gëzimi. (Luka 6:21) Në të vërtetë, Perëndia do të bëjë më shumë sesa vetëm të zhdukë sëmundjen dhe gjymtimet, ai do të zhdukë vetë shkakun e vuajtjeve njerëzore, vetë mëkatin. Po, Isaia 33:24 dhe Mateu 9:2-7, të cituar më lart, i lidhin sëmundjet me gjendjen tonë mëkatare. (Romakëve 5:12) Kështu, pasi të jetë mposhtur mëkati, njerëzimi më në fund do të gëzojë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë», një liri që përfshin përsosmërinë e mendjes dhe të trupit.​—Romakëve 8:21.

Për ata që gëzojnë shëndet mjaft të mirë fizik mund të jetë e lehtë ta marrin si diçka të zakonshme gjendjen e tyre. Por nuk është kështu për ata që pësojnë trauma si pasojë e gjymtimeve. Ata e dinë se sa i çmuar është shëndeti dhe jeta dhe se sa papritur e papandehur mund të ndryshojnë gjërat. (Predikuesi 9:11) Kështu kemi shpresë se ata lexues që janë të gjymtuar do t’u kushtojnë vëmendje të veçantë premtimeve të mrekullueshme të Perëndisë të shkruara në Bibël. Jezui dha jetën e tij me qëllim që të siguronte plotësimin e tyre. A mund të kemi një siguri më të mirë se kjo?​—Mateu 8:16, 17; Gjoni 3:16.

[Shënimi]

^ par. 6 Për një trajtim të hollësishëm përse Perëndia ka lejuar vuajtjet, shih broshurën A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.