Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të tregojmë mirënjohje?

Pse të tregojmë mirënjohje?

Pse të tregojmë mirënjohje?

«E dashur Rakela,

Të falënderoj shumë që je një burim inkurajimi për mua. Edhe pse mund të mos e dish, personaliteti yt inkurajues dhe fjalët mirëdashëse më kanë ndihmuar shumë.»​—Xheniferi.

A KE marrë ndonjëherë papritur një letër mirënjohjeje? Nëse po, kjo pa dyshim të ka ngrohur zemrën. Në fund të fundit, është e natyrshme që të dëshirojmë të na vlerësojnë e të na tregojnë mirënjohje.​—Mateu 25:19-23.

Shprehjet e falënderimit zakonisht forcojnë lidhjet mes atij që falënderon dhe atij që e merr këtë falënderim. Për më tepër, dikush që tregon mirënjohje po ndjek gjurmët e Jezu Krishtit, i cili gjithmonë vërente veprat e mira që bënin të tjerët.​—Marku 14:3-9; Luka 21:1-4.

Është për të ardhur keq që shprehjet personale të mirënjohjes, të thëna ose të shkruara, duket se sa vijnë e rrallohen. Bibla paralajmëronte se gjatë ‘ditëve të fundit’ njerëzit do të ishin «mosmirënjohës». (2 Timoteut 3:1, 2) Nëse nuk tregohemi vigjilentë, mungesa e përhapur e mirënjohjes, që shihet qartë sot, mund të shuajë çdo ndjenjë të butë mirënjohjeje që mund të lindë te ne.

Çfarë hapash praktikë mund të marrin prindërit që t’i mësojnë fëmijët se si të tregojnë mirënjohje? Ndaj kujt mund të tregojmë mirënjohje? E pse duhet të jemi mirënjohës, ndonëse ata përreth nesh janë mosmirënjohës?

Mirënjohje brenda familjes

Prindërit punojnë shumë për t’u kujdesur për fëmijët. Por, ndonjëherë, ata mund të ndihen sikur përpjekjet e tyre nuk vlerësohen. Çfarë mund të bëjnë për ta ndrequr këtë situatë? Tri gjëra janë të nevojshme.

(1) Shembulli. Ashtu si në shumicën e aspekteve të stërvitjes së fëmijëve, lënia e një shembulli të mirë është një mënyrë e efektshme për t’i mësuar ata. Duke folur për një nënë të palodhur në Izraelin e lashtë, Bibla thotë: «Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin të lumtur.» Ku mësuan këta bij të tregojnë mirënjohje? Pjesa tjetër e vargut na ndihmon të gjejmë përgjigjen. Aty thuhet: «Burri i saj çohet dhe e lëvdon.» (Proverbat 31:28) Prindërit që shprehin mirënjohje ndaj njëri-tjetrit u tregojnë fëmijëve se shprehje të tilla i japin kënaqësi atij që i drejtohen, përmirësojnë marrëdhëniet familjare dhe janë një shenjë pjekurie.

Stivëni, një baba, thotë: «Jam përpjekur të jem një shembull për fëmijët, duke e falënderuar gruan për ushqimin.» Cili ka qenë rezultati? «Dy vajzat e kanë vënë re këtë, dhe kjo i ka ndihmuar që të mendojnë më shumë për të treguar mirënjohje»,—thotë Stivëni. Nëse je i martuar, a e falënderon rregullisht bashkëshorten tënde, për punët e përditshme që fare lehtë mund të mos vërehen? A i falënderon fëmijët edhe kur ata bëjnë atë që pritet prej tyre?

(2) Stërvitja. Ndjenjat e mirënjohjes janë si lulet. Që të lulëzojnë sa më mirë, kanë nevojë për kujdes. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të jenë mirënjohës dhe ta shprehin mirënjohjen? Mbreti i mençur Solomon theksoi një faktor kyç kur shkroi: «Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet.»​—Proverbat 15:28.

Prindër, a mund t’i stërvitni fëmijët që të mendojnë për përpjekjet dhe bujarinë që qëndron pas çdo dhurate që marrin? Ky lloj meditimi është toka në të cilin rritet mirënjohja. Maria, e cila ka rritur tre fëmijë, thotë: «Duhet kohë që të ulesh e t’u shpjegosh fëmijëve se çfarë përfshihet kur dikush bën një dhuratë​—domethënë që ka menduar për ty dhe donte të tregonte se sa shumë interesohet për ty. Por e kuptoj se këto përpjekje ia vlejnë.» Biseda të tilla i ndihmojnë fëmijët që jo vetëm të mësojnë se çfarë të thonë kur shprehin mirënjohje, por edhe pse duhet ta shprehin.

Prindërit e mençur i ndihmojnë fëmijët që të mos mendojnë se të gjitha gjërat e mira që marrin, i meritojnë. * Paralajmërimi që gjejmë te Proverbat 29:21 që flet për qëndrimin ndaj shërbëtorëve, zbatohet me të njëjtën forcë edhe për fëmijët: «Po ta llastosh shërbëtorin që në rini, në fund të jetës ai do të bëhet mosmirënjohës.»

Si mund të ndihmohen fëmijët që të tregojnë mirënjohje? Linda, një nënë me tre fëmijë, thotë: «Kur shkruanim letra falënderimesh, unë dhe burri i nxitnim fëmijët të jepnin ndihmesën e tyre duke bërë një vizatim ose duke shkruar emrin e tyre në kartolinë.» Vërtet që vizatimi mund të jetë i thjeshtë dhe shkrimi mezi mund të kuptohet, por, mësimi që nxjerrin fëmijët nga ky veprim, mund të ndikojë që të jenë mirënjohës gjatë gjithë jetës.

(3) Këmbëngulja. Të gjithë ne kemi një prirje të lindur për të qenë egoistë, dhe kjo prirje mund të mbytë shprehjet e falënderimit. (Zanafilla 8:21; Mateu 15:19) Megjithatë, Bibla i nxit shërbëtorët e Perëndisë: ‘Rinohuni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj dhe vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë.’​—Efesianëve 4:23, 24.

Gjithsesi, prindërit me përvojë e dinë se t’i ndihmosh fëmijët ‘të veshin personalitetin e ri’ është më e lehtë ta thuash, sesa ta bësh. Stivëni, i përmendur më lart, thotë: «U desh një kohë e gjatë që t’i mësonim vajzat të thoshin vetë faleminderit, pa i nxitur.» Por Stivëni dhe gruaja e tij nuk u dorëzuan. Stivëni vazhdon: «Me shumë këmbëngulje, ia dolëm që vajzat ta mësonin këtë. Tani jemi krenarë për mënyrën sesi vajzat tregojnë mirënjohje ndaj të tjerëve.»

Mirënjohje ndaj miqve dhe fqinjve

Kur nuk themi faleminderit, ndoshta nuk jemi mosmirënjohës, por thjesht harrojmë. A është vërtet e rëndësishme që jo vetëm të ndihemi mirënjohës, por edhe ta shprehim mirënjohjen? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë një ngjarje ku përfshihen Jezui dhe disa të lebrosur.

Kur po shkonte në Jerusalem, Jezuit i dolën përpara dhjetë të lebrosur. Bibla thotë: «Ata thanë me zë të lartë: ‘Jezu, Mësues, ki mëshirë për ne!’ Me t’i vënë re, ai u tha: ‘Shkoni dhe paraqituni te priftërinjtë.’ Kur po iknin, ata u pastruan. Kur pa se ishte shëruar, një nga ata u kthye dhe i dha lavdi Perëndisë me zë të lartë. Pastaj ra me fytyrë përtokë në këmbët e Jezuit dhe e falënderoi. Ai ishte samaritan.»​—Luka 17:11-16.

Mos vallë Jezui nuk i dha rëndësi faktit që të tjerët nuk e shprehën mirënjohjen? Tregimi vazhdon: «Jezui tha: ‘A nuk u pastruan dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët? Asnjë tjetër nuk u kthye e t’i jepte lavdi Perëndisë, përveç këtij njeriu nga një komb tjetër?’»​—Luka 17:17, 18.

Nëntë të lebrosurit e tjerë nuk ishin njerëz të ligj. Më parë, ata e kishin shprehur hapur besimin te Jezui dhe me gatishmëri iu bindën udhëzimeve të tij për të shkuar në Jerusalem që të paraqiteshin te priftërinjtë. Por, edhe pse ndienin mirënjohje të thellë për veprimin mirëdashës të Jezuit, ata nuk ia shprehën mirënjohjen. Sjellja e tyre e zhgënjeu Krishtin. Ç’të themi për ne? Kur dikush sillet mirë ndaj nesh, a jemi të shpejtë për t’i thënë faleminderit dhe, kur është e përshtatshme, t’ia tregojmë mirënjohjen duke i shkruar një letër?

Bibla thotë se dashuria «nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta». (1 Korintasve 13:5) Prandaj, shprehjet e sinqerta të mirënjohjes nuk janë thjesht tregues i sjelljes së hijshme, por edhe dëshmi e dashurisë. Siç na mëson tregimi për të lebrosurit, ata që duan t’i pëlqejnë Krishtit, duhet t’ia tregojnë dashurinë dhe mirënjohjen të gjithëve, pavarësisht nga kombësia, raca ose feja.

Pyet veten: «Kur ishte hera e fundit, që e falënderova një fqinj, një shok pune, një shok shkolle, dikë nga personeli i spitalit, një shitës ose dikë tjetër që më ka ndihmuar?» Pse të mos të mbash shënim për një a dy ditë se sa herë e shpreh mirënjohjen duke thënë faleminderit ose në mënyra të tjera të përshtatshme? Këto shënime mund të të ndihmojnë të kuptosh se ku të përmirësosh në këtë aspekt.

Patjetër, ai që i meriton më shumë falënderimet tona është Perëndia Jehova. Ai është Dhënësi i ‘çdo dhurate të mirë dhe i çdo gjëje të përsosur që na jepet’. (Jakovi 1:17) Kur ishte hera e fundit që ia ke shprehur sinqerisht mirënjohjen Perëndisë për gjëra specifike që ka bërë për ty?​—1 Selanikasve 5:17, 18.

Pse të tregojmë mirënjohje edhe pse të tjerët nuk e shprehin?

Të tjerët mund të mos jenë mirënjohës me ne kur bëjmë diçka për ta. Atëherë, pse ta shprehim mirënjohjen edhe pse të tjerët nuk e shprehin? Le të shqyrtojmë vetëm një arsye.

Duke u bërë mirë atyre që nuk janë mirënjohës, imitojmë Krijuesin tonë hirmadh, Perëndinë Jehova. Fakti që shumë nuk e çmojnë dashurinë që tregon Jehovai, nuk e pengon atë që të mos u bëjë mirë atyre. (Romakëve 5:8; 1 Gjonit 4:9, 10) Ai e bën «diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët». Nëse përpiqemi të shfaqim mirënjohje, ndonëse jetojmë në një botë mosmirënjohëse, do të tregojmë se jemi «bij të Atit [tonë] që është në qiej».​—Mateu 5:45.

[Shënimi]

^ par. 14 Shumë prindër kanë lexuar dhe kanë shqyrtuar me fëmijët e tyre librin Të mësojmë nga Mësuesi i Madh, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Kapitulli 18 i këtij libri titullohet: «A kujtohesh të thuash faleminderit?»

[Diçitura në faqen 15]

Mbaj shënim për një a dy ditë se sa herë thua faleminderit

[Figura në faqen 15]

Edhe fëmijët mund të stërviten për të shprehur mirënjohje

[Figura në faqen 15]

Lër shembullin për fëmijët, që edhe ata të shprehin mirënjohje