Lexuesit pyesin . . .
A banon Perëndia vetëm në një vend?
Fe të ndryshme thonë se Perëndia është i kudondodhur, fjalë që lë të kuptohet se Perëndia banon njëkohësisht në çdo vend. Për shembull, një enciklopedi thotë se Perëndia «faktikisht është i pranishëm në çdo vend dhe në çdo gjë që ekziston». (New Catholic Encyclopedia) Në mënyrë të ngjashme, Xhon Uesli, themeluesi i Kishës Metodiste, shkroi një fjalim me titull «Perëndia ndodhet kudo», në të cilin thoshte se «nuk ka asnjë pikë në hapësirë, as brenda, as jashtë kufijve të krijimit, ku Perëndia të mos jetë i pranishëm».
Çfarë mëson Bibla? A ndodhet Perëndia kudo, pra, a ekziston në çdo vend në të njëjtën kohë: në qiell, në tokë, madje edhe te njerëzit?
Faktikisht, Bibla thotë se Perëndia ka një vend specifik banimi: qiejt. Ajo përmban lutjen e mbretit Solomon, në të cilën ai i thirri Perëndisë: «Dëgjoje nga qiejt, nga vendbanimi yt i qëndrueshëm.» (1 Mbretërve 8:43) Kur Jezu Krishti i mësoi dishepujt si të luteshin, u tha t’ia drejtonin lutjet ‘Atit tonë që është në qiej’. (Mateu 6:9) Pasi u ringjall, Bibla thotë se Krishti hyri «në vetë qiellin, që të paraqitet tani . . . përpara personit të Perëndisë».—Hebrenjve 9:24.
Këto vargje tregojnë qartë se Perëndia Jehova banon vetëm në qiell, jo në çdo vend. Sigurisht, ‘qiejt’ e përmendur në këto vargje nuk i referohen atmosferës që rrethon tokën e as hapësirës së tejskajshme qiellore. Qiejt fizikë nuk e mbajnë dot Krijuesin e universit. (1 Mbretërve 8:27) Bibla na tregon se «Perëndia është Frymë». (Gjoni 4:24) Ai banon në qiejt frymorë, që nuk janë pjesë e universit fizik.—1 Korintasve 15:44.
Por ç’të themi për vargjet biblike që duket sikur thonë se Perëndia është i pranishëm në çdo vend? Për shembull, siç është dokumentuar te Psalmi 139:7-10, Davidi tha për Perëndinë: «Ku do të shkoja larg frymës sate? Ku do të ikja larg fytyrës sate? Sikur të ngjitesha në qiell, ti do të ishe atje. Sikur ta vija shtratin në Sheol, edhe atje do të ishe. Sikur të merrja krahët e agimit, e të shkoja në detin më të largët, edhe atje do të më printe dora jote.» A tregojnë këto vargje se Perëndia ndodhet kudo, banon në çdo vend që përmendet?
Vëreni se Davidi në fillim pyeti: «Ku do të shkoja larg frymës sate?» * Me anë të frymës së shenjtë, Perëndia mund të shohë çdo gjë dhe ta ushtrojë fuqinë e tij kudo, pa pasur nevojë të shkojë vetë atje ose të banojë atje. Ta ilustrojmë: vitet e fundit shkencëtarët kanë arritur të analizojnë dheun e planetit Mars, miliona kilometra larg Tokës. Në ç’mënyrë? Jo duke udhëtuar vetë atje, por duke studiuar fotografi dhe informacione të tjera të hollësishme të transmetuara në Tokë nga sonda kozmike që u dërguan në sipërfaqen e Marsit.
Po ashtu, Perëndia Jehova s’ka pse të jetë i pranishëm në çdo vend që të kuptojë çfarë po ndodh në çdo pjesë të universit. Fjala e Perëndisë thotë: «Nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara tij.» (Hebrenjve 4:13) Po, forca e fuqishme vepruese që ka Jehovai ose fryma e shenjtë, mund të shkojë në çdo vend, duke e lejuar të shohë gjithçka dhe ta përmbushë qëllimin e tij nga një vend i caktuar, ‘nga banesa e tij e shenjtë’ në qiej.—Ligji i përtërirë 26:15.
^ par. 8 Fjala hebraike që këtu përkthehet ‘frymë’, i referohet forcës vepruese të Perëndisë, fuqisë që përdor Perëndia për të kryer vullnetin e tij.