T’u bëjmë ballë katastrofave natyrore
Çfarë mund të bëjë dikush që t’u bëjë ballë katastrofave natyrore duke pasur parasysh rritjen e shpeshtësisë dhe të forcës shkatërruese që kanë? Le të shohim disa hapa praktikë që mund të merren.
Ruhu nga e keqja.
Bibla thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.» (Proverbat 22:3) Kjo është një këshillë e mençur që mund të zbatohet për katastrofat. Nëse paralajmërohet se rrezikon të ndodhë një shpërthim vullkani, përmbytje ose se po afrohet një uragan a tajfun, është e mençur evakuimi nga zona e prekur dhe vajtja në një vend më të sigurt. Jeta është më e çmuar se shtëpia ose gjëra të tjera materiale.
Disa mund të vendosin të mos jetojnë në një zonë me rrezikshmëri të lartë. Një ekspert thotë: «Rreziku nga katastrofat lidhet shumë me pozicionin gjeografik. Rrezikshmëria më e madhe gjendet në një pjesë shumë të vogël të sipërfaqes së tokës. Shumica e katastrofave të mëdha do të ndodhin në këto zona në të ardhmen.» Për shembull, kjo mund të zbatohet për rajonet e ulëta bregdetare ose për zonat në afërsi të ndonjë brezi sizmik të tokës. Nëse mund t’i shmangni këto zona me rrezikshmëri të lartë ose lëvizni në një vend më të sigurt, rreziku që të prekeni nga katastrofat ulet jashtë mase.
Bëj një plan veprimi.
Ndonëse mund të merren të gjitha masat, prapëseprapë mund të të godasë një tragjedi e papritur. Do ta kesh shumë më të lehtë nëse bën plane paraprake. Kjo është në harmoni me këshillën e Proverbave 22:3, që u citua më sipër. A e ke bërë gati një çantë me gjërat e nevojshme në rast urgjence? Një botim rekomandon të përfshihen këta artikuj: kutia e ndihmës së shpejtë, shishe me ujë, ushqim që nuk prishet dhe dokumente të rëndësishme. (1-2-3 of Disaster Education) Gjithashtu, do të ishte e mençur të diskutoje me familjen për llojet e katastrofave të mundshme dhe si të veprohet për secilin rast.
Mbaj një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë.
Kjo të ndihmon në çdo rrethanë. Bibla thotë se Perëndia është «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona». Një varg tjetër e përshkruan atë si «Perëndia që ngushëllon të përvuajturit».—2 Korintasve 1:3, 4; 7:6.
Po, Perëndisë s’i shpëton asgjë që u ndodh besnikëve të tij. Ai është Perëndi i dashurisë dhe na e ngre zemrën peshë në mënyra nga më të ndryshmet. (1 Gjonit 4:8) Nuk lutemi për mrekulli, por për frymën e shenjtë dhe të fuqishme të Perëndisë, e cila na ndihmon në çdo situatë. Fryma e shenjtë mund të na sjellë ndër mend vargje biblike që i ngushëllojnë e i lehtësojnë ata që përjetojnë vështirësi. Shërbëtorët besnikë të Perëndisë mund të ndihen si Davidi, një mbret i Izraelit të lashtë, i cili tha: «Edhe sikur të eci nëpër luginën e territ, nuk do të kem frikë nga asgjë e keqe, sepse ti je me mua. Shkopi dhe thupra jote më ngushëllojnë.»—Psalmi 23:4.
Nuk lutemi për mrekulli, por për frymën e shenjtë dhe të fuqishme të Perëndisë, e cila na ndihmon në çdo situatë
Bashkëbesimtarët ndihmojnë njëri-tjetrin.
Në shekullin e parë, Agabi, një profet i krishterë, tha se «në gjithë tokën e banuar do të vinte pas pak një zi buke e madhe». Dhe, sipas shkrimit, kjo «erdhi vërtet në kohën e Klaudit». Zia e bukës preku keqas shumë dishepuj të Jezuit në Jude. Çfarë bënë dishepujt e vendeve të tjera kur dëgjuan për fatkeqësinë e të bashkëkrishterëve? Tregimi thotë: «Dishepujt vendosën që gjithsecili, sipas mundësisë, të jepte ndihmë për vëllezërit që banonin në Jude.» (Veprat 11:28, 29) Ata u përgjigjën me dashuri duke dërguar ndihma.
Kur ndodhin fatkeqësi, shërbëtorët e Perëndisë reagojnë po njëlloj sot. Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur për ndihmën që u japin bashkëbesimtarëve. Për shembull, kur Kili u godit nga një tërmet i fuqishëm më 27 shkurt 2010, Dëshmitarët e Jehovait u erdhën menjëherë në ndihmë viktimave. Karla, së cilës i përpiu shtëpinë një tsunam, tregon: «U ngushëllova dhe mora zemër kur të nesërmen [Dëshmitarë të tjerë] nga zona të paprekura erdhën për të na ndihmuar. Pa dyshim, Jehovai na ngushëlloi nëpërmjet mirësisë së vullnetarëve. Ndjeva dashurinë dhe mbrojtjen e Jehovait.» Kur pa ndihmën që i dhanë, gjyshi i saj, që nuk është Dëshmitar, tha: «Kjo është krejt ndryshe nga ç’kam parë për vite të tëra në kishën time.» Ajo që vërejti, e shtyu t’u kërkonte Dëshmitarëve të Jehovait të studionin Biblën me të.
Bashkëbesimtarët ndihmojnë njëri-tjetrin të përballojnë pasojat e katastrofave
Shoqëria me ata që e duan Perëndinë mund të jetë goxha ndihmë në kohë vështirësish. Prapëseprapë, a do të vijë ndonjëherë koha kur toka të çlirohet nga katastrofat? Le të shohim çfarë thotë Bibla për këtë.