Një thesar i fshehur prej shekujsh
Studiuesi nuk u beson dot syve. Nuk resht së shqyrtuari gjithë kujdes tekstin e lashtë. Nga kaligrafia dhe gramatika s’ka asnjë dyshim se fragmentet që ka përpara, janë përkthimi më i vjetër i Biblës në gjuhën gjeorgjiane.
KËTË thesar e zbuloi në fund të dhjetorit të vitit 1922 akademiku gjeorgjian Ivan Javakishvili, ndërsa bënte kërkime mbi zhvillimin e alfabetit gjeorgjian. Rastësisht ai gjeti një kopje të Talmudit të Jerusalemit. Teksa e shqyrtonte, poshtë tekstit në hebraisht dalloi një shkrim pjesërisht të fshirë në gjeorgjisht. *
Shkrimi «i fshehur» poshtë Talmudit ishte një kopje e një pjese të librit biblik të Jeremisë. Kjo kopje daton që nga shekulli i pestë i e.s. Para kësaj gjetjeje, dorëshkrimi më i vjetër biblik në gjuhën gjeorgjiane i përkiste shekullit të nëntë të e.s. Pas pak kohësh gjetën edhe pjesë të librave të tjerë biblikë të shekullit të pestë, madje edhe më të hershëm. Imagjino të zbulosh pjesë të Biblës të shkruara vetëm pak shekuj pas kohës së Jezuit dhe të apostujve!
Kush e bëri përkthimin? Ishte punë e një individi apo e një grupi të përkushtuar përkthyesish? Deri tani, s’është gjetur asnjë dokumentim historik për t’i dhënë përgjigje. Sido që të jetë, është e dukshme se Bibla, ose të paktën pjesë të saj, ishin përkthyer në gjeorgjisht që nga shekulli i katërt dhe se populli gjeorgjian e ka pasur ose e ka njohur Fjalën e Perëndisë në gjuhën amtare që prej asaj kohe.
Gjeorgjianët i njihnin mirë Shkrimet dhe këtë e dëshmon një tregim nga libri Martirizimi i mbretëreshës shën Shushanika (anglisht), që mund të jetë shkruar në fund të shekullit të pestë. Ndërsa tregon historinë tragjike të mbretëreshës, autori u referohet drejtpërdrejt ose tërthorazi disa vargjeve nga psalmet, ungjijtë dhe nga libra të tjerë të Biblës. Gjithashtu, ai tregon se, për të kënaqur kryezotët persë, Varskeni, bashkëshorti i Shushanikës që ishte një sundimtar nën mbretërinë gjeorgjiane të Kartlit, braktisi «krishterimin», përqafoi zoroastrianizmin pers dhe i kërkoi së shoqes të bënte të njëjtën gjë. Sipas librit, ajo nuk pranoi të hiqte dorë nga besimi dhe në ditët e fundit të jetës, gjeti ngushëllim te Shkrimet.
Me sa duket, që nga shekulli i pestë, përkthimi dhe kopjimi i Biblës në gjeorgjisht nuk u ndal kurrë. Dorëshkrimet e shumta të Biblës në këtë gjuhë dëshmojnë për punën e mundimshme që bënë kopistët dhe përkthyesit e përkushtuar. Le të eksplorojmë dy fusha të kësaj historie mjaft interesante: përkthimin dhe shtypjen e Biblës.
BUM PËRKTHIMESH TË BIBLËS
«Unë, Giorgi, një murg i thjeshtë, e kam përkthyer këtë libër të Psalmeve nga greqishtja në gjeorgjisht me shumë zell dhe mund.» Këto janë fjalët e Giorgi Mtatsimindelit, murg gjeorgjian i shekullit të 11-të. Pse ishte i nevojshëm përkthimi i Biblës kur tashmë ekzistonte prej disa shekujsh një përkthim në gjeorgjisht?
Në shekullin e 11-të, kishte në qarkullim shumë pak kopje të hershme të Biblës në gjeorgjisht të shkruara me dorë. Disa libra kishin humbur fare. Gjithashtu, gjuha kishte ndryshuar disi, prandaj lexuesit e kishin të vështirë t’i kuptonin kopjet e hershme. Megjithëse disa përkthyes u përpoqën ta risillnin Biblën në gjeorgjisht, Giorgi luajti rolin më domethënës. Ai krahasoi versione ekzistuese në gjeorgjisht me dorëshkrime greke dhe përktheu pjesët që mungonin, madje edhe libra të tërë. Gjatë ditës drejtonte një manastir, kurse natën përkthente Biblën.
Punën e Giorgit e çoi përpara Efrem Mtsire, një bashkëkohës i tij. Ai formuloi atë që në thelb ishte një udhëzues për përkthyesit. Në të gjendeshin parime themelore përkthimi, si për shembull, sa herë të ishte e mundur, përkthimi duhej bërë nga gjuha origjinale dhe duhej ndjekur sa më shumë teksti origjinal, por pa sakrifikuar natyrshmërinë. Gjithashtu, ai futi në përdorim shënimet dhe referimet anësore në përkthimet gjeorgjiane. Efremi i përktheu nga e para shumë libra të Biblës. Me punën e tyre, Giorgi dhe Efremi hodhën një themel të fortë për përkthimin në të ardhmen.
Shekullin pasues, prodhimi i librave në Gjeorgji lulëzoi. U ngritën akademi në qytetin e Gelatit dhe të Ikaltos. Shumë studiues besojnë se versioni i quajtur Bibla e Gelatit, që aktualisht mbahet në Qendrën Kombëtare Gjeorgjiane të Dorëshkrimeve, është përkthim tërësisht i ri i Biblës, që e ka bërë një studiues nga Gelati ose nga Ikalto.
Si ndikoi te populli gjeorgjian kjo veprimtari e përkthimit të Biblës? Në shekullin e 12-të, poeti gjeorgjian Shota Rustaveli shkroi veprën Kalorësi me lëkurë pantere (Vepkhis-tqaosani), e cila ndikoi kaq shumë për shekuj të tërë, sa është quajtur Bibla e dytë e gjeorgjianëve. Një studiues i sotëm gjeorgjian, K. Kekalitzi, thotë se, edhe nëse poeti ka cituar drejtpërdrejt nga Bibla ose jo, «disa pikëpamje të tij janë pasqyrë e drejtpërdrejtë e disa vargjeve të Biblës». Ndonëse ka shumë nota romantizmi, poema përmend shpesh tema të tilla si, miqësia e vërtetë, bujaria, respekti për gratë dhe dashuria altruiste për të panjohurit. Këto dhe vlera të tjera që mëson Bibla, ndikuan te populli gjeorgjian për breza të tërë, madje edhe sot e kësaj dite i mbajnë si ideale për moralin.
SHTYPJA E BIBLËS—NJË ÇËSHTJE MBRETËRORE
Në fund të shekullit të 17-të, familja mbretërore gjeorgjiane donte shumë të kishte një Bibël të shtypur. Për ta arritur këtë, mbreti Vaktang VI ndërtoi një shtypshkronjë në kryeqytet, në Tbilis. Gjithsesi, teksti i Biblës nuk ishte gati për shtypje. Në njëfarë mënyre, Bibla në gjeorgjisht ishte fshehur sërish. Gjendeshin vetëm dorëshkrime të paplota për disa pjesë të saj dhe gjuha e përdorur ishte e vjetër. Rishikimi dhe restaurimi i tekstit të Biblës iu besua Sulkan-Saba Orbelianit, një specialisti të gjuhësisë.
Orbeliani iu fut punës me përkushtim të madh. Meqë dinte disa gjuhë, përfshirë greqishten dhe latinishten, ai ishte në gjendje të krahasonte burime të ndryshme përveç dorëshkrimeve ekzistuese në gjeorgjisht. Megjithatë, ky qëndrim me mendje të hapur nuk i pëlqente shumë Kishës Ortodokse Gjeorgjiane. Kleri e akuzoi si tradhtar të kishës dhe e bindi mbretin t’ia ndërpriste punën me Biblën. Sipas disa burimeve gjeorgjiane, në një këshill të kishës, kleri e detyroi Orbelianin ta digjte Biblën për të cilën kishte punuar prej vitesh.
Është domethënëse se një kopje e Dorëshkrimit të Imtskjetës (Mcxeta), i njohur edhe si Bibla e Sabës, e cila ka mbijetuar deri më sot, përmban komente që i ka shkruar me dorë Orbeliani. Gjithsesi, disa nuk mendojnë se kjo është Bibla kundër së cilës po luftonte kleri. Vetëm shtojca i atribuohet me siguri atij.
Pavarësisht nga sfidat, shtypja e Biblës mbeti përparësi e disa pjesëtarëve të familjes mbretërore. Mes viteve 1705 dhe 1711, u shtypën disa pjesë të Biblës. Falë përpjekjeve të Bakarit dhe Vakushtit, princa gjeorgjianë, më në fund Bibla e plotë u shtyp në vitin 1743. Tani nuk mund të fshihej më!
^ par. 3 Në kohët e lashta, materialet që përdoreshin për të shkruar, mezi gjendeshin dhe kushtonin goxha. Prandaj, ishte e zakonshme ta fshije duke e gërryer tekstin e vjetër nga dorëshkrimi dhe të shkruaje një të ri. Një dorëshkrim i tillë quhet palimsest, që në greqisht ka kuptimin «i gërryer përsëri».