Përgjigje për pyetje biblike
A është e mundur jeta e përhershme?
Njeriu i parë, Adami, jetoi për shekuj të tërë. Por, në fund, ai u plak dhe vdiq. Që atëherë, njerëzit janë përpjekur në mënyra nga më të ndryshmet ta ndalin plakjen. Prapëseprapë, askush deri tani s’ka arritur t’i shpëtojë vdekjes. Pse? Adami u plak dhe vdiq ngaqë mëkatoi duke mos iu bindur Perëndisë. Ne plakemi sepse kemi trashëguar nga Adami mëkatin dhe dënimin e mëkatit, vdekjen.—Lexo Zanafillën 5:5; Romakëve 5:12.
Që të gëzojmë jetën e përhershme, duhet që dikush të paguajë një shpërblesë për ne. (Jobi 33:24, 25) Shpërblesa është çmimi që paguhet për të çliruar dikë, dhe në rastin tonë kemi nevojë të çlirohemi nga vdekja. (Dalja 21:29, 30) Jezui e pagoi këtë çmim kur vdiq për ne.—Lexo Gjonin 3:16.
Si mund ta fitojmë jetën e përhershme?
Jo të gjithë do të çlirohen nga sëmundjet dhe plakja. Në fakt, njerëzit që nuk i binden Perëndisë, siç bëri Adami, do ta humbin privilegjin e jetës. Vetëm ata të cilëve u falen mëkatet, do të gëzojnë jetën e përhershme.—Lexo Isainë 33:24; 35:3-6.
Që të na falen mëkatet, duhet të bëjmë diçka. Duhet të njohim Perëndinë duke studiuar Fjalën e tij, Biblën. Ajo na mëson si të bëjmë jetë më të mirë dhe si të fitojmë pëlqimin e Perëndisë dhe jetën e përhershme.—Lexo Gjonin 17:3; Veprat 3:19.