TEMA KRYESORE | MUND TA KUPTOSH BIBLËN
Ndihmë për të kuptuar Biblën
Imagjino sikur shkon për herë të parë në një vend të huaj. Aty sheh njerëz, zakone, gatime dhe monedha që nuk i ke parë ndonjëherë. Me të drejtë, mund të ndihesh i humbur.
Po njësoj mund të ndihesh kur lexon Biblën për herë të parë. Futesh në një botë të lashtë që të duket e huaj. Takon filistinët, një popull të lashtësisë, has tradita të pazakonta, si ‘shqyerja e rrobave’, ose dëgjon për një ushqim me emrin manë dhe për një monedhë të njohur si drahma. (Dalja 16:31; Josiu 13:2; 2 Samuelit 3:31; Luka 15:9) E gjithë kjo mund të jetë pështjelluese. Si në rastin e vendit të huaj, a nuk do ta vlerësoje ndihmën nga dikush që të jep shpjegime?
NDIHMË NË TË KALUARËN
Që nga koha kur filluan të shkruheshin shkrimet e shenjta, pra në shekullin e 16-të p.e.s., njerëzve nuk u ka munguar ndihma për t’i kuptuar. Për shembull, Moisiu, udhëheqësi i parë i kombit të Izraelit, ‘nisi të shpjegonte’ atë që ishte shkruar.
Edhe rreth 10 shekuj më vonë kishte ende mësues të kualifikuar të Shkrimeve. Në vitin 455 p.e.s., një grup shumë i madh judenjsh, madje edhe mjaft fëmijë, u mblodhën në një shesh të qytetit të Jerusalemit. Mësuesit e Biblës që ishin atje «lexonin me zë të lartë [të njëjtin libër të shenjtë]». Por jo vetëm kaq. ‘Ata i ndihmonin njerëzit ta kuptonin atë që po lexohej.’—Nehemia 8:1-8.
Pesë shekuj më pas, Jezu Krishti u përfshi në një vepër të ngjashme arsimimi. Në fakt ai njihej kryesisht si mësues. (Gjoni 13:13) Mësoi turma të mëdha e individë. Në një rast foli para një turme të madhe dhe mbajti të famshmin Predikim në Mal; «turma mbeti e mahnitur nga mënyra se si mësonte». (Mateu 5:1, 2; 7:28) Në pranverën e vitit 33 të e.s., Jezui foli me dy dishepuj rrugës për në një fshat afër Jerusalemit dhe ‘u zbërtheu plotësisht Shkrimet’.
Edhe dishepujt e Jezuit ishin mësues të Fjalës së Perëndisë. Një herë, një zyrtar etiopas po lexonte një pjesë nga Shkrimet. Dishepulli me emrin Filip iu afrua dhe e pyeti: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Ai iu përgjigj: «E si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?» Pastaj Filipi i shpjegoi pjesën që ishte duke lexuar.
NDIHMË EDHE SOT
Ashtu si mësuesit e Biblës në të kaluarën, Dëshmitarët e Jehovait sot marrin pjesë në një vepër të arsimimit biblik në 239 vende anembanë botës. (Mateu 28:19, 20) Javë pas jave, ndihmojnë mbi nëntë milionë njerëz që të kuptojnë Biblën. Shumë prej tyre nuk kanë qenë të krishterë më parë. Kjo ndihmë jepet falas dhe në shtëpinë e të interesuarit ose në një vend tjetër të përshtatshëm. Madje disa mësojnë për Biblën me anë të telefonit ose të lidhjeve me video nëpërmjet kompjuterit a pajisjeve elektronike.
Të lutemi të kontaktosh me një Dëshmitar të Jehovait për të ditur si ta marrësh edhe ti këtë ndihmë. Do të shohësh se Bibla nuk është aspak libër misterioz, por «i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi», që të jesh «krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë».