Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PIKËPAMJA E BIBLËS

Tundimi

Tundimi

Martesa të prishura, sëmundje, brejtje ndërgjegjeje​—këto janë vetëm disa nga pasojat që vijnë kur i dorëzohemi tundimit. Si ta shmangim këtë grackë?

Çfarë është tundimi?

Tundohesh kur të tërheq diçka, sidomos diçka e gabuar. Ta zëmë se ke dalë për të blerë dhe sheh një gjë që të pëlqen shumë. Një mendje të thotë se mund ta vjedhësh lehtësisht, pa të kapur njeri. Mirëpo, ndërgjegjja të thotë mos e bëj. Kështu ndryshon mendje dhe ikën. Në këtë moment tundimi ka marrë fund dhe ti je fitimtari.

ÇFARË THOTË BIBLA

 

Fakti që tundohesh, nuk do të thotë se je njeri i keq. Bibla pranon se të gjithë mund të tundohemi. (1 Korintasve 10:13) Rëndësi ka si reagojmë përballë një tundimi. Disa e mbajnë mendjen te dëshirat e papërshtatshme dhe herët a vonë dorëzohen. Të tjerë i shohin si të gabuara këto dëshira, prandaj i fshijnë menjëherë nga mendja.

«Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet.»​—Jakovi 1:14.

Pse është e mençur të veprosh menjëherë kur tundohesh?

Bibla tregon hapat që çojnë drejt keqbërjes. Jakovi 1:15 thotë: «Dëshira [e papërshtatshme], si bëhet pjellore [fjalë për fjalë ‘ngjizet’], lind mëkatin.» Me dy fjalë, kur e bluan në mendje një dëshirë të gabuar, vjen një pikë kur plotësimi i saj bëhet i pashmangshëm, tamam si lindja e një gruaje shtatzënë. Prapëseprapë, mund të mos i lejojmë dëshirat e papërshtatshme të na skllavërojnë. Madje mund t’i mbajmë nën fre.

SI NDIHMON BIBLA

 

Ashtu siç i ushqen dëshirat e papërshtatshme, mendja jonë edhe mund t’i flakë tutje ato. Si? Duke u përqendruar te diçka tjetër: te një aktivitet, te një bisedë me një mik a te një mendim i pastër. (Filipianëve 4:8) Gjithashtu është mirë të mendojmë për pasojat që vijnë kur dorëzohemi para tundimit, që mund të përfshijnë dëme emocionale, fizike ose prishje të miqësisë me Zotin. (Ligji i përtërirë 32:29) Edhe lutja mund të ndihmojë goxha. Jezu Krishti tha: «Lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.»​—Mateu 26:41.

«Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë. Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»​—Galatasve 6:7.

Si t’i rezistosh tundimit?

REALITETI

 

Shihe tundimin për atë që është​—joshje a karrem që mund ta çojë drejt rrezikut njeriun e pamend, naiv ose të pakujdesshëm. (Jakovi 1:14) Kjo është e vërtetë sidomos kur tundimet përfshijnë imoralitetin seksual, që mund të sjellë pasoja katastrofike.​—Proverbat 7:​22, 23.

SI NDIHMON BIBLA

 

Jezu Krishti tha: «Nëse syri yt i djathtë po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej.» (Mateu 5:29) Kuptohet që Jezui po përdorte një gjuhë të figurshme. Donte të thoshte se, nëse duam t’i pëlqejmë Zotit dhe të marrim jetën e përhershme, në kuptimin figurativ duhet t’i bëjmë të vdesin gjymtyrët e trupit tonë në lidhje me keqbërjen. (Kolosianëve 3:5) Kjo mund të nënkuptojë që ta hedhim poshtë me vendosmëri tundimin. Një burrë besnik iu lut Perëndisë: «M’i largo sytë nga gjërat e kota.»​—Psalmi 119:37.

S’diskutohet se nuk është e lehtë të ushtrosh vetëkontroll. Në fund të fundit «mishi është i dobët». (Mateu 26:41) Prandaj do të gabojmë. Gjithsesi, kur na vjen vërtet keq dhe kur përpiqemi me gjithë shpirt të mos e bëjmë zakon të gabojmë, Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, do të tregohet «i mëshirshëm dhe hirmadh» me ne. (Psalmi 103:8) Sa shumë na e ngrohin zemrën këto fjalë!

«Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?»​—Psalmi 130:3.