SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Programet e kongreseve ‘dëgjohen dhe shihen’ qartë
1 KORRIK 2024
Për më shumë se 130 vjet, Dëshmitarët e Jehovait në ditët tona janë mbledhur së bashku në kongrese të përvitshme. Këto programe përmbajnë mbi 40 fjalime, si edhe muzikë, intervista e video. Që të nxjerrin dobi dhe të motivohen nga programi, të pranishmit duhet ‘ta dëgjojnë dhe ta shohin’ qartë. (Luka 2:20) Si po përdoren dhurimet e tua në mënyrë që të gjithë të nxjerrin dobi nga këto kongrese, pavarësisht se ku jetojnë?
Sisteme audio-video të përshtatura për çdo vend kongresi
Shumë stadiume dhe arena moderne në vendet perëndimore, kanë tashmë sisteme audio-video. Atëherë, pse shpesh instalojmë pajisjet tona kur marrim me qira një vend të tillë për kongresin? Dejvidi, i cili punon me Departamentin e Broadcasting në Selinë Botërore, shpjegon: «Vetëm pak nga godinat që marrim me qira janë të projektuara që të pranishmit të dëgjojnë me vëmendje një program me fjalime për mbi 6 orë. Për shembull, vendet sportive e përdorin sistemin akustik kryesisht për të bërë njoftime të shkurtra dhe për të luajtur fragmente muzikore. Ekranet e tyre shfaqin rezultatet e lojës, reklama dhe sekuenca të shkurtra nga ndeshja. Kurse ne duam që të pranishmit të shohin video më të gjata dhe të dëgjojnë e të kuptojnë qartë çdo fjalë që thuhet nga podiumi.»
Çdo vend kongresi është i veçantë, prandaj edhe sistemi audio-video duhet të përshtatet. Pasi zgjidhet vendi ku do të mbahet kongresi, duke u bazuar në numrin mesatar të pjesëmarrësve dhe në kapacitetin e vendit, Departamentet e Broadcasting në degët tona përcaktojnë se ku duhet të ulen të pranishmit. Vëllezërit më pas përllogaritin se ku duhet të vendosen bokset e ekranet dhe si duhen lidhur. Gjithashtu bëjnë një listë me të gjitha pajisjet që nevojiten për të mundësuar shikim dhe dëgjim të qartë të programit për të gjithë.
Puna me sistemet audio-video është më e ndërlikuar për kongreset ku programi mbahet në disa gjuhë. Nëse programi do të përkthehet në një gjuhë tjetër, si fillim përkthyesi duhet të shohë dhe të dëgjojë materialet audio dhe video. Më pas programi i përkthyer duhet të transmetohet në një kanal specifik radiofonik për ata që e kuptojnë gjuhën. Falë programeve të veçanta software, një video mund të shfaqet njëkohësisht për të gjithë të pranishmit, edhe nëse audio transmetohet në 8 gjuhë të ndryshme. Dejvidi thotë: «Këto sisteme janë tepër komplekse, dhe vullnetarët që ndihmojnë duhet të trajnohen mirë.»
Shumica e zyrave të degës kanë pajisje audio-video, të cilat përdoren çdo vit. Në këto vende, vëllezërit sigurohen që secila pajisje të transportohet nga njëri kongres në tjetrin. Zyra e degës në Shtetet e Bashkuara shpenzon mbi 200.000 dollarë a çdo vit vetëm për të transportuar pajisjet e kongresit. Prapëseprapë kushton më pak se sa të blesh dhe të mirëmbash pajisje të tjera. Stiveni, i cili ndihmoi në mbikëqyrjen e sistemit audio-video në një kongres në Kanada, tregon: «Skuadra jonë bëri çmos për t’u siguruar që çdo dado, bulon, kordon dhe pjesë të shënohej në inventar, të paketohej në mënyrë të sigurt dhe të ishte gati për programin e radhës.»
Blerja dhe mirëmbajtja e pajisjeve
Të marrësh me qira pajisjet audio-video është jashtëzakonisht e kushtueshme, dhe shpesh kanë cilësi të dobët ose janë në gjendje të keqe. Për këtë arsye, në përgjithësi, i blejmë pajisjet që na nevojiten. Aktualisht, 1 ekran muri LED i brendshëm për video, me përmasa 5 me 3 metra, kushton rreth 24.000 dollarë. Kurse 1 kabllo e vetme mikrofoni 15 metra kushton rreth 20 dollarë. Prandaj, Broadcasting bashkëpunon me Departamentin e Blerjeve «që të llogaritë shpenzimet» përpara se të blejnë ndonjë pajisje. (Luka 14:28) Për shembull, sa persona do të nxjerrin dobi nga pajisja? A është blerja e një pajisjeje të re mënyra më e mirë për të plotësuar këtë nevojë? A kemi hapësirë të përshtatshme për të ruajtur pajisjen? A kemi mjete dhe vullnetarë të stërvitur për ta mirëmbajtur?
Në mënyrë që një pajisje audio-video të punojë për një kohë të gjatë, e kështu të kursehen fondet, bëjmë rregullisht riparime elektronike dhe mekanike. Gjithashtu i transportojmë pajisjet me valixhe mbrojtëse, që po ashtu riparohen sa herë ka nevojë.
Një dëshmi e shkëlqyer dhe një program i qartë
Ata që nuk janë Dëshmitarë kanë mbetur të mahnitur nga cilësia e materialeve audio-video në kongreset tona. Për shembull, në një kongres, një punonjësi të një prej kanaleve transmetuese më të mëdha në botë i bëri përshtypje cilësia e përmbajtjes dhe e prodhimit të materialeve tona. Xhonatani, i cili ndihmon me instalimin dhe funksionimin e pajisjeve audio-video në kongres, tregon: «Ai mbeti pa fjalë kur mori vesh se pjesëtarët e skuadrës sonë ishin të gjithë vullnetarë dhe jo ekspertë. Ai tha se kompanisë së tij do t’i duheshin 5 ditë për të instaluar atë që ne e instaluam për vetëm 1 ditë e gjysmë.» Në një kongres tjetër, menaxheri i ndërtesës tha: «Këtu ka pasur shumë profesionistë të fushës së muzikës dhe videove, por kurrë nuk kisha parë një nivel të tillë profesionalizmi dhe mjeshtërie!»
Si ke nxjerrë dobi ti nga sistemet audio-video në kongres? Ndoshta ndihesh njësoj si Dejvidi, i cili jeton në Angli. Ai thotë: «Jam 88 vjeç dhe kam gjithë jetën që ndjek kongrese. Megjithatë, tani është më e lehtë se kurrë të përqendrohem plotësisht te materiali. Falë videove të bukura, duket sikur koha fluturon dhe mesazhi është më i qartë dhe koherent.» Majkëlli, i cili jeton në Nigeri, thotë: «Ngaqë vëllezërit tani e kanë më të lehtë të dëgjojnë oratorët e të shohin videot, arrijnë të përqendrohen dhe nuk u humbet kollaj interesi gjatë programit.»
Kur të ndjekësh këtë vit Kongresin Rajonal ose Special «Shpall lajmin e mirë!», mendo një çast për gjithë punën që është bërë që ta dëgjosh dhe ta shohësh programin. Jemi mirënjohës që kjo është bërë e mundur edhe falë dhurimeve të tua, përfshirë atyre të bëra përmes donate.pr2711.com. Faleminderit!
a Të gjitha shumat në dollarë, që janë përmendur në artikull, i referohen dollarit amerikan.