Raport për mbledhjen vjetore
«Ushqim në kohën e duhur»
Një auditor prej mijëra vetash dëgjoi raporte inkurajuese dhe një shqyrtim emocionues të Mateut 24:45-47 në mbledhjen e 128-të vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania.
Më 6 tetor 2012, gati 5.000 veta ishin mbledhur për programin që u mbajt në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait, në Jersey City, New Jersey, USA. Nëpërmjet lidhjes video, programin e ndoqën edhe mbi 10.000 të tjerë nga komplekset tona në Brooklyn, Patterson dhe Wallkill, New York, dhe në zyrën tonë të degës në Kanada.
Anthony Morris, anëtar i Trupit Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait dhe drejtuesi i mbledhjes, bëri një përmbledhje të mbledhjeve vjetore të kaluara që ishin veçanërisht ndërtuese dhe historike. Të pranishmit e dinin se programi i këtij viti do të ishte ndërtues. Por, pyetnin veten: «A do të ishte edhe historik?»
Më pas, me anë të dy videove, të pranishmit u njohën me aktivitetet tona përreth botës.
Ndërtimi i Sallave të Mbretërisë:
Kjo video tregoi suksesin në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në vende me të ardhura të kufizuara. Këto 13 vitet e fundit, Grupet e Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë në këto vende kanë ndërtuar 25.402 Salla Mbretërie, mesatarisht më shumë se pesë në ditë. Ato u ndërtuan me anë të fondeve të dhuruara nga Dëshmitarë nga e gjithë bota. Gjithashtu, kur ndodh një katastrofë natyrore, shpesh këto grupe të afta u gjenden pranë sa hap e mbyll sytë viktimave për të riparuar ose rindërtuar Sallat e Mbretërisë dhe shtëpitë e tyre.
Kongrese të veçanta:
Më 2012, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën disa kongrese të veçanta me delegatë nga vende të ndryshme. Si ndryshonin këto kongrese nga kongreset ndërkombëtare të viteve të mëparshme?
Në video u shpjegua se strehimi, transporti brenda vendit dhe vaktet e mesditës për delegatët gjatë javës së kongresit u organizuan nga zyrat e degëve mikpritëse, e jo nga agjencitë e udhëtimeve. Në çdo kongres morën pjesë përafërsisht 1.500 delegatë të huaj.
Delegatët dhe Dëshmitarët vendës patën shumë mundësi për t’u njohur me njëri-tjetrin, jo vetëm në kongres, por edhe kur bënin vizita turistike, kur hanin ndonjë vakt dhe kur u predikonin vendësve. «Në të gjitha kongreset e veçanta deri më tani, dashuria vëllazërore ka qenë një lidhje e përsosur bashkimi»,—u tha në video.
Sa u emocionua auditori kur mësoi se, që tani e tutje, Dëshmitarët e Jehovait do të mbajnë çdo vit kongrese të veçanta në qytete të përzgjedhura anekënd botës.
Ngjarje të tjera të spikatshme të mbledhjes vjetore:
Intervista:
Tre anëtarë nga Komitetet e Degëve dhe gratë e tyre, që kanë qenë në shërbimin e plotkohor për 342 vjet gjithsej, treguan se si i ka stërvitur Jehovai që të përmbushin caktime të ndryshme.
Richard Kelsey, një anëtar i Komitetit të Degës në Gjermani, tha se Shkolla për Anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe Gratë e tyre i mësoi «të ndiqte drejtimin e Jehovait gjithmonë». Jehovai është një Atë i dashur që do më të mirën për ne. Vëlla Kelsey shpjegoi: «Ai do që të jetojmë përgjithmonë, dhe po bën gjithçka që të kujdeset për ne.» Shkolla u mësoi anëtarëve të Komiteteve të ndiqnin shembullin e dashur të Jehovait.
Kur Linda Johansson u ftua në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit më 1958, kishte dy vjet e gjysmë e pagëzuar dhe vetëm një vit e martuar. Ajo tha: «Kisha në klasë vëllezër të pjekur e me shumë përvojë. Mendova... ‘Po unë, ç’dua këtu?!’»
Prapëseprapë, motër Johansson nuk u shkurajua por vazhdoi, dhe pas diplomimit, ajo me të shoqin u caktuan si misionarë në Malavi. Pas përndjekjes së ashpër ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në atë vend, ajo studioi Biblën me një ministër që kishte kundërshtuar veprën e Dëshmitarëve. Sot, bashkëshortja e ministrit, i biri dhe e bija janë Dëshmitarë të pagëzuar.
Plane për dëshmi në vende publike:
Katër të diplomuar nga Shkolla Biblike për Çiftet e Krishtere dhe një mbikëqyrës udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait në New York treguan përvoja që patën, ngaqë u përpoqën t’u predikonin njerëzve në zona metropolitane plot gjallëri.
Në zona urbane me shumë lëvizje, Dëshmitarë të Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë përdorin tryeza dhe stenda të lëvizshme ku vënë shumë literaturë biblike. Kalimtarët mund të marrin botime, të bëjnë pyetje për Biblën dhe të kërkojnë një studim biblik.
Dëshmitarët në zona të tjera të qytetit New York si edhe në Chicago e Los Angeles, po provojnë këtë metodë për të takuar njerëzit. Brenda vetëm një viti rreth 2.700 veta që u ndalën te këto tryeza dhe stenda kërkuan një studim biblik falas.
Kori i fëmijëve:
Thuajse të gjithëve në auditor iu mbushën sytë me lot kur kori me 17 fëmijë këndoi këngën «Bindu! Dëgjo! Merr bekim!» nga libri Këndojini Jehovait (kënga nr. 120).
Pastaj, në simpoziumin me gjashtë fjalime nga anëtarë të Trupit Udhëheqës—vëllezërit Jackson, Lösch, Pierce, Herd, Lett dhe Splane—u shqyrtua dhe u trajtua kuptimi i fjalëve të Jezuit te Mateu 24:45-47. Jezui tha:
«Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur? Lum ai skllav, nëse zotëria i tij, kur të vijë, e gjen duke bërë kështu! Vërtet po ju them: ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e veta.»
Ky simpozium iu përgjigj pyetjeve vijuese:
Kur e emëroi Jezui ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet?
Mendo për kontekstin e fjalëve të Jezuit në kapitullin 24 të Mateut. Të gjitha vargjet e renditura këtu do të përmbusheshin gjatë pranisë së Krishtit, gjatë «përfundimit të sistemit».—Vargu 3.
‘Shtrëngimi i atyre ditëve.’—Vargu 29.
«Ky brez.»—Vargu 34.
‘Ajo ditë dhe ajo orë.’—Vargu 36.
‘Dita kur vjen Zotëria juaj.’—Vargu 42.
«Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.»—Vargu 44.
Pra, është logjike që «skllavi i besueshëm dhe i matur» të jetë shfaqur pasi filloi prania e Krishtit më 1914.
Gjithashtu, Jezui tregoi se ky ‘skllav’ do të shfaqej në një kohë kur do të ishte me vend pyetja: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur?» Apostujt e Jezuit kishin dhuratat e mrekullueshme të frymës së shenjtë prandaj në shekullin e parë të erës sonë s’ishte e nevojshme të ngrihej kjo pyetje. (1 Korintasve 14:12, 24, 25) Edhe pse ishin të mirosur nga fryma e shenjtë, apostujt dhe të krishterë të tjerë në shekullin e parë nuk ishin «skllavi i besueshëm dhe i matur» për të cilin profetizoi Jezui.
Kështu është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se Jezui e emëroi ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ mbi «shërbëtorët e shtëpisë së vet» gjatë pranisë së tij, pra «përfundimit të sistemit».
«Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur?»
Jezui nuk e kishte fjalën për një individ, por për një ‘skllav’ të përbërë nga disa individë—një grup që bashkëpunon si një trup i vetëm. Jezui tha se skllavi (1) emërohet si mbikëqyrës «mbi shërbëtorët e shtëpisë [së zotërisë]» dhe (2) u jep shërbëtorëve të shtëpisë «ushqim [frymor] në kohën e duhur».
Që nga viti 1919, gjithmonë ka pasur një grup të vogël të të krishterëve të mirosur në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait. Ata kanë mbikëqyrur veprën mbarëbotërore të predikimit dhe kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në përgatitjen dhe dhënien e ushqimit frymor. Kohët e fundit është kuptuar se ky grup përkon me Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.
Dëshmitë të çojnë në këtë përfundim: «skllavi i besueshëm dhe i matur» u emërua mbi shërbëtorët e shtëpisë së Jezuit më 1919. Ky skllav është grupi i vogël i përbërë nga vëllezër të mirosur që shërbejnë në selinë botërore gjatë pranisë së Krishtit dhe që janë përfshirë drejtpërdrejt në përgatitjen dhe dhënien e ushqimit frymor. Kur pjesëtarët e tij bashkëpunojnë si Trupi Udhëheqës, ky grup vepron si «skllavi i besueshëm dhe i matur».
Cilët janë «shërbëtorët e shtëpisë»?
Jezui tha se «shërbëtorët e shtëpisë së vet» do të merrnin «ushqim në kohën e duhur». «Skllavi i besueshëm dhe i matur» siguron ushqim për të gjithë ithtarët e vërtetë të Jezuit. Prandaj, të gjithë dishepujt e Krishtit—edhe të krishterët e mirosur si individë, edhe pjesëtarët e ‘deleve të tjera’—janë «shërbëtorët e shtëpisë së vet».—Gjoni 10:16.
Pasi oratori shpjegoi këtë aspekt të profecisë së Jezuit, auditori shpërtheu në duartrokitje të gjata. Më vonë, mjaft të pranishëm shprehën mirënjohje të thellë që Jezui i përfshin mes ‘shërbëtorëve të shtëpisë së vet’.
Kur e emëron Jezui skllavin «mbi gjithë zotërimet e veta»?
Jezui tha se ‘kur të vijë zotëria’, do ta emërojë skllavin «mbi gjithë zotërimet e veta». Kur vjen Zotëria, Jezui?
Shprehja e përkthyer «kur të vijë» është një formë e fjalës greke érkhomai. Në vargjet 42 dhe 44 të kapitullit 24, një formë e fjalës érkhomai është përkthyer «vjen». Në këto vargje Jezui flet për ardhjen e tij si Gjykatës gjatë shtrëngimit të madh.—Mateu 24:30; 25:31, 32.
Pra, edhe emërimi i ‘skllavit’ nga Jezui mbi «zotërimet» e veta duhet të ndodhë në të ardhmen. Ai do ta bëjë këtë emërim gjatë shtrëngimit të madh.
Çfarë janë «zotërimet» e Jezuit?
Jezui tha: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» (Mateu 28:18) Kështu «zotërimet» e Jezuit nuk përfshijnë vetëm zotërimet e tij tokësore. Përfshijnë edhe Mbretërinë mesianike.—Filipianëve 2:9-11.
Prandaj, Jezui do ta shpërblejë ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ duke i ringjallur pjesëtarët e këtij grupi që të jetojnë në qiell e duke u dhënë autoritet mbretëror mbi gjithë zotërimet e Krishtit në qiell e në tokë. Ky është i njëjti shpërblim që u premtoi të gjithë të krishterëve të mirosur besnikë.—Luka 22:28-30; Zbulesa 20:6.
Në fjalimin e fundit të simpoziumit u bë një njoftim i veçantë. Pasi lexoi fjalët e Jezuit te Mateu 28:20, që na japin zemër, vëlla Splane tha: «Kemi edhe një arsye tjetër për t’u ndier të sigurt. Ajo gjendet te shkrimi për vitin 2013. Cili është? Josiu 1:9: ‘Ji i fortë dhe guximtar. . . . Unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty.’»
«Po vitin tjetër?»—pyeti vëlla Morris në komentet e tij të fundit. «Vitin tjetër mbledhja vjetore e cila është planifikuar të mbahet më 5 tetor 2013, do të ndiqet përmes lidhjes video në disa Salla Asamblesh në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera anglishtfolëse.»
Ky program do të transmetohet vetëm në anglisht. Nuk do të përkthehet në gjuhë të tjera.
Pas këtij programi ndërtues dhe historik, të pranishmit kënduan me gjithë zemër këngën «Drita shkëlqen gjithnjë e më shumë» (kënga nr. 116) nga libri Këndojini Jehovait. Ja disa vargje të saj të përshtatshme për rastin:
«Ushqimin në koh’ na jep skllavi besnik,
e zgjodhi atë Zotëria.
Gjithnjë e më shum’ e vërteta ndriçon.
Në zemër na prek njohuria.»