Kalo te përmbajtja

Shtatëdhjetë vitet e Shkollës së Galaadit

Shtatëdhjetë vitet e Shkollës së Galaadit

Më 1 shkurt 1943 në veri të Nju-Jorkut filloi klasa e parë e një shkolle shumë të veçantë. Kjo shkollë, që tani njihet si Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit, u ka dhënë stërvitje të veçantë mbi 8.000 burrave e grave nga e gjithë bota.

Lart: Hyrja kryesore e Shkollës së Galaadit në South Lansing, Nju-Jork. Poshtë: Instruktori i Galaadit u drejtohet anëtarëve të klasës së 31-të të Galaadit, në amfiteatër

Jonathan, i cili u diplomua në një nga klasat e fundit të Galaadit, thotë: «Arsimimi që kemi marrë bazohet në Bibël, prandaj do të jemi më të efektshëm në çfarëdo territori e kulture.» Gruaja e tij, Marnie, shton: «Më shumë se kurrë më parë, kam dëshirë t’i ndihmoj të tjerët të kuptojnë se s’ka mënyrë më të mirë për ta jetuar jetën se ajo që ka si qëllim Krijuesi ynë për ne. Jam e bindur se kur u mësojmë të tjerëve për Perëndinë, i ndihmojmë të bëjnë një jetë më të mirë.»

Shkolla e Galaadit ofron një kurs falas pesëmujor. Përqendrohet kryesisht te Bibla dhe te rëndësia e veprës së predikimit. Qëllimi i këtij kursi është që të diplomuarit të zhvillojnë cilësitë frymore që u duhen për të përballuar vështirësitë që hasin dhe t’i japin forcë e stabilitet popullit të Perëndisë. Gjatë kursit studentët kalojnë kohë duke diskutuar për parimet biblike që i ndihmojnë të forcojnë marrëdhënien e tyre me Perëndinë Jehova.

Lart: 1958, Albert Schroeder po mëson studentët e Galaadit me ndihmën e një maketi të tabernakullit. Poshtë: 1968, Ulysses Glass po mëson klasën e 46-të të Galaadit

Çiftet që ndjekin Galaadin tashmë i shërbejnë Perëndisë në kohë të plotë. Kur diplomohen, mund të kthehen në caktimet e tyre ose të marrin caktim në një shtet tjetër. Disa caktohen të punojnë në një nga më shumë se 90 zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait. Shumica caktohen të shërbejnë në zonat me popullsi të dendur ku mund të kenë ndikim të madh te vepra e predikimit.

Në fillim Shkolla e Galaadit zhvillohej në Fermën e Mbretërisë, në South Lansing, Nju-Jork. Më 1961 shkolla u zhvendos në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Nga 1988-a deri në 1995-n u mbajt në Fermat Watchtower në Uollkill, Nju-Jork. Që nga viti 1995 kjo shkollë zhvillohet në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Patterson, Nju-Jork. Në mars të vitit 2013 u diplomua klasa e 134-t.

Lart: 2003, studentët e klasës së 116-të të Galaadit gjatë një ore mësimi. Poshtë: 2011, studentë duke u përgatitur në bibliotekën e Galaadit

Për 70 vjet me radhë të diplomuarit e Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit kanë krijuar një reputacion të shkëlqyer si persona që kanë dëshmuar me besnikëri për Jehovain.