A besojnë Dëshmitarët e Jehovait te Dhiata e Vjetër?
Po. Dëshmitarët e Jehovait besojnë se e gjithë Bibla është ‘e frymëzuar nga Perëndia dhe e dobishme’. (2 Timoteut 3:16) Këtu përfshihet edhe Dhiata e Vjetër, edhe Dhiata e Re, siç njihen zakonisht. Në përgjithësi, Dëshmitarët e Jehovait i quajnë këto pjesë të Biblës: Shkrimet Hebraike dhe Shkrimet e Krishtere Greke. Në këtë mënyrë, nuk lëmë përshtypjen se disa pjesë të Biblës janë të pavlera ose jo të kohës.
Pse të krishterët kanë nevojë edhe për Dhiatën e Vjetër, edhe për Dhiatën e Re?
Nën frymëzimin e Perëndisë, apostulli i krishterë Pavël shkroi: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë.» (Romakëve 15:4) Pra, në Shkrimet Hebraike gjejmë informacione të vlefshme. Ndër shumë gjëra, aty gjejmë tregime historike me vlerë dhe këshilla praktike.
Tregime historike me vlerë. Shkrimet Hebraike përmbajnë një dokumentim të hollësishëm të krijimit dhe tregojnë si ra njerëzimi në mëkat. Pa këto informacione, nuk do të kishim përgjigje të kënaqshme për pyetje të tilla, si: nga kemi ardhur? Pse vdesim? (Zanafilla 2:7, 17) Për më tepër, në Shkrimet Hebraike është dokumentuar marrëdhënia që ka pasur Perëndia Jehova me njerëz që, ashtu si ne, kanë përjetuar gjëra të bukura dhe vështirësi në jetë.—Jakovi 5:17.
Këshilla praktike. Librat biblikë të Proverbave dhe të Eklisiastiut, që bëjnë pjesë në Shkrimet Hebraike, përmbajnë një lloj mençurie praktike që nuk njeh kohë. Japin këshilla si të kemi jetë të lumtur familjare (Proverbat 15:17), si të kemi pikëpamje të ekuilibruar për punën (Proverbat 10:4; Eklisiastiu 4:6) dhe si ta përdorin të rinjtë sa më mirë rininë (Eklisiastiu 11:9–12:1).
Përveç këtyre, mund të nxjerrim dobi nga studimi i Ligjit të Moisiut të dokumentuar te Tora (pesë librat e parë të Biblës). Ndonëse të krishterët nuk janë nën detyrimin e këtij Ligji, ai ka parime me vlerë që na ndihmojnë të jemi të lumtur.—Levitiku 19:18; Ligji i përtërirë 6:5-7.