5 JANAR 2024
AFRIKA E JUGUT
50 vjet që nga «Fitorja hyjnore» mbi ndarjen raciale në Afrikën e Jugut
Të dielën më 6 janar 1974, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një kongres historik në Afrikën e Jugut. Një auditor me 33.408 veta nga raca të ndryshme, u mblodhën në stadiumin «Rand», në Johanesburg, për Asamblenë Ndërkombëtare «Fitorja hyjnore». a Ky vit shënon 50-vjetorin e këtij eventi.
Duke nisur nga viti 1948, ligjet e aparteidit në Afrikën e Jugut impononin ndarjen raciale. Kjo ndikoi te mënyra si i organizonin mbledhjet dhe kongreset Dëshmitarët e Jehovait. Vëlla Alfred Fatsvana, që tani shërben në Komitetin e Degës në Afrikën e Jugut, ishte 10 vjeç në vitin 1974. Ai kujton: «Gjatë periudhës së aparteidit, rrallë shihje njerëz të racave të ndryshme të mblidheshin së bashku.»
Kongresi ndërkombëtar u mbajt nga datat 2-6 janar 1974. Për shkak të ligjeve të ndarjes racore, ishte e pamundur të mbahej i gjithë programi i kongresit me auditor të përbërë nga njerëz të racave të ndryshme në të njëjtin vend. Në fillim, për 4 ditë e gjysmë, delegatët u mblodhën në grupe më të vogla në ambiente të ndryshme, sipas racës e gjuhës. Mirëpo, për sesionin e fundit, që u mbajt të dielën pasdite, vëllezërve u dhanë leje të ftonin të gjithë delegatët të mblidheshin bashkë në stadiumin «Rand», i vetmi vend në Johanesburg ku lejoheshin grumbullime të racave të ndryshme.
Duke filluar nga e diela në orën 12.00 të drekës, në stadiumin «Rand» filluan të dyndeshin delegatët që vinin nga vende të ndryshme me autobusë, makina e trena. Ishin marrë masa që programi të mbahej në anglisht e njëkohësisht të përkthehej në gjuhët afrikanse, portugeze, sesote dhe zulu.
Shpejt të gjitha vendet e stadiumit u mbushën, prandaj shumë veta qëndruan në këmbë gjatë gjithë sesionit të pasdites. Vëlla Kit Uigëli, edhe ai anëtar i Komitetit të Degës në Afrikën e Jugut, ishte 23 vjeç kur ndoqi këtë kongres. Ai thotë: «Ishte një rast i jashtëzakonshëm dhe përgjigjja e shumë lutjeve që të adhuronim Jehovain të gjithë të bashkuar. Kishim të njëjtin besim, të njëjtat parime dhe tani në sesionin e fundit nuk ishim më të ndarë nga ligjet e aparteidit. U ndieva plotësisht në unitet me motrat e vëllezërit e mi.»
Në vitin 1974 kur u mbajt Asambleja Ndërkombëtare «Fitorja hyjnore», kishte rreth 25.000 lajmëtarë në Afrikën e Jugut. Sot, në mbarë vendin pothuajse 100.000 vëllezër e motra e adhurojnë Jehovain në unitet. Që nga viti 1974, në Afrikën e Jugut janë organizuar disa kongrese ndërkombëtare, ku ndër më të fundit ishte Kongresi Ndërkombëtar «Dashuria nuk shuhet kurrë»! i vitit 2019. Atje morën pjesë gati 60.000 veta nga kultura e gjuhë të ndryshme.
Kongresi historik i vitit 1974 na sjell ndër mend fitoren hyjnore mbi ndarjet raciale dhe sociale. Jemi të lumtur që bëjmë pjesë në një vëllazëri të bashkuar që i thur lavde pa pushim e në harmoni Jehovait, Perëndisë tonë të paanshëm.—Veprat 10:34, 35.
a Në atë kohë, kongreset quheshin asamble.