24 JANAR 2024
GJERMANI
Gjermania nderon Simona Arnold-Libstërin me çmimin më të madh të vendit, për përpjekjet e saj për arsimimin e të rinjve
Më 15 dhjetor 2023, motrën Simona Arnold-Libstër e dekoruan me titullin Urdhri i Meritës i Republikës Federale të Gjermanisë. Urdhri i Meritës është çmimi më i lartë që Gjermania u jep individëve për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj shoqërisë. Konsulli i përgjithshëm Tomas Propstëll ia dha çmimin Simonës gjatë një ceremonie në Shomberi, Francë. Simonën, tani 93 vjeçe, e lavdëruan për përpjekjet e saj për të ruajtur historinë e tiranisë naziste dhe të atyre që i rezistuan kësaj ideologjie plot urrejtje e dhunë.
Deri më sot, Simona ka folur para shumë auditoreve në 25 shtete. Gati 65.000 veta kanë dëgjuar prezantimet e saj, ndër ta shumë nxënës, studentë e mësues. Pavarësisht nga mosha, ajo vazhdon të flasë nëpërmjet videokonferencave, ku u përgjigjet pyetjeve nga të rinjtë dhe tregon për mësimet që ka nxjerrë kur ishte në moshën e tyre. Pasi ndoqi një nga prezantimet e saj, një nxënës shkroi: «Historia e Simonës më ka mësuar sa të fortë mund të bëhemi kur jemi të bindur me gjithë shpirt për diçka.»
Gjatë prezantimit të çmimit, konsulli i përgjithshëm Tomas Propstëll i tha Simonës: «Është e mrekullueshme si ke arritur të marrësh forcë nga përvoja jote plot vuajtje. Gjithmonë historinë tënde e ke treguar me sinqeritet, pa asnjë fije mërie dhe me shpresë për një të ardhme më të mirë. Për gjithë këtë, ke respektin tim më të thellë.»
Nën regjimin nazist, Simona dhe familja e saj, ashtu si mijëra Dëshmitarë të tjerë të Jehovait, hoqën shumë sprova të tmerrshme. Kur Simona ishte 12 vjeçe, e morën nga shtëpia dhe e çuan me forcë për të jetuar në Konstanc, Gjermani, në shkollën e riedukimit «Von Uesenberg», ku nazistët u përpoqën pa sukses «ta riedukonin». Meqë refuzonte të bënte kompromis me asnjanësinë, Simonën e re e poshtëronin, nuk i jepnin mjaftueshëm për të ngrënë, e dënuan me punë të detyruar dhe e ndaluan të fliste për gati 2 vjet. Duke reflektuar për atë periudhë, Simona komentoi: «Jehovai më mbështeti dhe ia dola të mbajta integritetin.»
E çmojmë vërtet besnikërinë dhe integritetin që ka treguar Simona gjatë gjithë jetës së saj, ndërsa ende vazhdon t’i japë lavdi Atit tonë, Perëndisë Jehova.—Mateu 5:16.