TË RINJTË PYESIN
Pse s’duhet të modelohem sipas stereotipit në media?—Pjesa 1: Për vajzat
Çfarë është stereotipi në media?
Hidhu një sy këtyre fjalëve dhe pastaj përgjigjju pyetjeve vijuese.
Kolona 1 |
Kolona 2 |
---|---|
E papjekur |
E përgjegjshme |
Rebele |
E bindur ndaj ligjit |
Imorale |
E virtytshme |
E cekët |
Inteligjente |
Thashethemexhie |
E matur |
Mashtruese |
E sinqertë |
Cilat fjalë përshkruajnë adoleshentet që sheh zakonisht në filma, në televizor dhe në revista?
Cilat fjalë përshkruajnë llojin e personit që ti dëshiron të jesh?
Ka të ngjarë që përgjigjen për pyetjen e parë ta kesh gjetur te kolona 1, kurse përgjigjen për pyetjen e dytë te kolona 2. Nëse po, kjo do të thotë se ti dëshiron të jesh vajzë më e mirë se adoleshentja «tipike» që portretizohet në media—dhe nuk je e vetmja. Shqyrto pse.
«Filmat e portretizojnë adoleshenten tipike si një vajzë rebele dhe me një qëndrim të keq. Kjo bën që të dukemi sikur të gjitha jemi jo të besueshme, tejet të merakosura për imazhin tonë dhe që i dramatizojmë edhe gjërat më të vogla.»—Erina.
«Adoleshentet në filma dhe në televizor vdesin për pak vëmendje dhe janë të fiksuara pas pamjes, veshjes, popullaritetit dhe çunave.»—Natalia.
«Rrallë ndodh të mos e shohësh vajzën ‘e preferuar nga të gjithë’ që të mos pijë, të mos flejë me djem dhe të mos rebelohet ndaj prindërve. Kur një vajzë nuk i bën këto gjëra, ajo cilësohet ose si besimtare fanatike, ose si jashtë mode.»—Maria.
Pyet veten: «A tregon vërtet se kush jam mënyra si vishem, sillem dhe flas, apo thjesht po imitoj stereotipin që shoh në media?»
Çfarë duhet të dish?
Shumë mendojnë se po formojnë identitetin e vet, por në fakt thjesht po modelohen sipas shabllonit që u ofron media. «Këtë e shoh te motra ime e vogël,—thotë një vajzë me emrin Kerën.—Hiqet sikur nuk do t’ia dijë për asgjë përveç rrobave dhe çunave. Është e zgjuar dhe jam e sigurt se ka gjëra të tjera që i interesojnë, por bën rolin e mendjelehtës sepse mendon se vetëm kështu mund të jetë ‘si gjithë vajzat e tjera’. Dhe është vetëm 12 vjeçe!»
Bibla thotë: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote.»—Romakëve 12:2.
Stereotipet nuk pasqyrojnë atë që duan të jenë të gjitha adoleshentet. «Vajzat portretizohen në media si të fiksuara pas vetes, mendjelehta dhe të prirura për të bërë gjëra të papjekura, por unë mendoj se shumica prej nesh kanë gjykim relativisht të mirë,—thotë Aleksa 15-vjeçare.—Kemi edhe gjëra të tjera në jetë përveçse të ëndërrojmë syhapur për çunat e lezetshëm.»
Bibla thotë: ‘Njerëzit e pjekur i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.’—Hebrenjve 5:14.
Stereotipet u shërbejnë interesave të tregtuesve, jo të adoleshenteve. Duke kuptuar potencialin për të nxjerrë fitime, industri të fuqishme, si reklamat, moda, teknologjia dhe zbavitja, fillojnë të vënë në shënjestër të rinjtë para moshës së adoleshencës. «Reklamuesit lënë të kuptohet se paraadoleshentët që nuk kanë veshjet, bizhuteritë, makijazhin dhe pajisjet elektronike më të fundit, nuk do të kenë popullaritet. Ata shohin vazhdimisht reklama joshëse, madje edhe para se të kuptojnë se çfarë fshihet pas joshjes»,—vëren libri 12 Going on 29.
Bibla thotë: «Gjithçka e botës: dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale, nuk vjen nga Ati, por nga bota.»—1 Gjonit 2:16.
Për të menduar: Kush përfiton më shumë nëse ti mendon vetëm për markat më të njohura të veshjeve që janë në modë? Kush përfiton vërtet nëse duhet ta kesh patjetër celularin më të fundit vetëm për të fituar popullaritet mes bashkëmoshatarëve? Çfarë u intereson më tepër tregtuesve—mirëqenia jote apo mirëqenia e tyre?
Çfarë mund të bësh?
Mëso të analizosh stereotipet që propagandohen nga media. Ndërsa rritesh, mëson të shohësh përtej asaj që sheh syri. Përdor aftësitë perceptuese për të kuptuar ndikimin që mund të ketë stereotipi te ti. «Media e paraqet adoleshenten tipike si një vajzë që ka më tepër makijazh sesa rroba në trup,—thotë Alana 14-vjeçare,—dhe shumë adoleshente nuk e kuptojnë se kështu nuk duken mirë, por duken sikur po vdesin për pak vëmendje.»
Vër synimet e tua për llojin e personit që dëshiron të bëhesh. Për shembull, mendo përsëri për cilësitë që përzgjodhe në fillim të këtij artikulli—cilësi që do të doje të të identifikonin. Pse të mos fillosh që tani të punosh për t’i fituar ose për t’i përmirësuar këto cilësi? Bibla thotë: «Vishni personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi», jo sipas imazhit që propagandohet nga reklamuesit.—Kolosianëve 3:10.
Gjej shembuj pozitivë. Disa mund t’i kesh në familje, si mamin, tezen ose hallën. Disa të tjera mund të jenë thjesht të njohura ose shoqe që kanë pjekuri. Dëshmitarët e Jehovait janë të privilegjuar që në kongregacionet e krishtere ka mjaft gra shembullore.—Titit 2:3-5.
Sugjerim: Përdor librin Imitoni besimin e tyre për të mësuar rreth shembujve të shkëlqyer në Bibël që vajzat mund t’i kenë si model, si për shembull Rutha, Hana, Abigaila, Estera, Maria dhe Marta. Ky libër është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe disponohet në www.pr2711.com.