Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si ta parandaloj sfilitjen?

Si ta parandaloj sfilitjen?

 A rrezikon të sfilitesh? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë.

 Pse ndodh

  •   Mbingarkesa. Një e re që quhet Xhuli, shprehet: «Në çdo fushë të jetës na thonë vazhdimisht t’i bëjmë gjërat më mirë, të përmirësohemi, të vëmë synime gjithnjë e më të larta dhe të arrijmë rezultate më të mira. Është e vështirë ta përballosh gjithë këtë presion të pareshtur.»

  •   Teknologjia. Për shkak të smartfonëve, të tabletave dhe të pajisjeve të tjera, ne rrimë online thuajse 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës; kjo mund të na stresojë dhe me kalimin e kohës të na sfilitë.

  •   Mungesa e gjumit. «Për shkak të shkollës, të punës dhe të zbavitjes, shumë të rinj zgjohen herët e flenë vonë, duke ngecur në një rreth vicioz»,—thotë një e re që quhet Miranda. Shpesh, kjo rutinë çon në sfilitje.

 Pse ka rëndësi

 Bibla e vlerëson papërtueshmërinë. (Proverbat 6:6-8; Romakëve 12:11) Ama, ajo nuk na nxit të punojmë aq shumë, sa të sakrifikojmë çdo gjë tjetër në jetë, përfshirë shëndetin.

 «Në njëfarë pike, kuptova se s’kisha ngrënë gjithë ditën, sepse isha përqendruar jashtë mase te përgjegjësitë e shumta që kisha marrë përsipër. Mësova se nuk është gjë e mirë ta pranoj menjëherë çdo caktim që më japin—jo në kurriz të mirëqenies sime.»—Ashli.

 Jo më kot, Bibla thotë: «Një qen i gjallë është më mirë se një luan i ngordhur.» (Eklisiastiu 9:4) Kur stërmundohesh, mbase të duket vetja i fortë si një luan, të paktën për njëfarë kohe. Por, nëse sfilitesh, do t’i bësh shumë keq shëndetit.

 Çfarë mund të bësh

  •   Mëso të thuash jo. Bibla thotë: «Mençuria është me modestët.» (Proverbat 11:2) Njerëzit modestë i dinë kufijtë e tyre dhe nuk marrin përsipër gjëra përtej mundësive.

     «Dikush që nuk thotë dot jo dhe që përpiqet të marrë përsipër çdo detyrë që i ofrohet, ka shumë të ngjarë të sfilitet. Kjo nuk është modesti, dhe herët a vonë, do të çojë në sfilitje.»—Xhordani.

  •   Çlodhu mjaftueshëm. Bibla thotë: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.» (Eklisiastiu 4:6) Gjumin e kanë quajtur «ushqim për trurin», por shumica e adoleshentëve nuk bëjnë tetë deri në dhjetë orë gjumë, sa kanë nevojë.

     «Kur kisha një program goxha të ngjeshur, zakonisht nuk flija mjaftueshëm. Por, ndonjëherë më duhet vetëm një orë gjumë më shumë, që të nesërmen të jem më produktive dhe më e kënaqur.»​—Bruklina.

  •   Ji i organizuar. Bibla thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.» (Proverbat 21:5) Të mësosh t’i menaxhosh mirë kohën dhe aktivitetet, është një aftësi që do të të vlejë pa masë gjatë gjithë jetës.

     «Një pjesë e mirë e stresit mund të shmanget nëse mban një axhendë. Kur e sheh programin, e ke më të lehtë të bësh ndryshimet e duhura për të shmangur sfilitjen.»​—Vanesa.