Çfarë janë profecitë?
Përgjigjja e Biblës
Profecitë janë mesazhe të frymëzuara ose zbulesa nga Perëndia. Bibla thotë se profetët «kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë». (2 Pjetrit 1:20, 21) Prandaj, profet është ai që merr mesazhe nga Perëndia dhe ua transmeton të tjerëve.—Veprat 3:18.
Si i merrnin profetët mesazhet nga Zoti?
Perëndia përdori disa mënyra për t’ua përçuar mendimet e tij profetëve:
Me shkrim. Perëndia e përdori këtë mënyrë të paktën në një rast kur i kaloi drejtpërdrejt Moisiut Dhjetë Urdhërimet në formë të shkruar.—Dalja 31:18.
Me gojë, nëpërmjet engjëjve. Për shembull, Perëndia përdori një engjëll për t’i mësuar Moisiut mesazhin që duhet t’i jepte faraonit të Egjiptit. (Dalja 3:2-4, 10) Kur formulimi i saktë ishte shumë i rëndësishëm, Zoti i udhëzonte engjëjt ta diktonin mesazhin, siç bëri kur i tha Moisiut: «Shkruaji këto fjalë, sepse në përputhje me to, po bëj një besëlidhje me ty dhe Izraelin.»—Dalja 34:27. a
Me anë të vegimeve. Ndonjëherë vegimet jepeshin ndërkohë që profeti ishte zgjuar dhe plotësisht i vetëdijshëm. (Isaia 1:1; Habakuku 1:1) Disa ishin kaq të gjalla, sa edhe profeti merrte pjesë në to. (Luka 9:28-36; Zbulesa 1:10-17) Në raste të tjera, vegimet jepeshin kur profeti ishte si në gjendje hipnotike. (Veprat 10:10, 11; 22:17-21) Kurse një mënyrë tjetër ishte nëpërmjet ëndrrave, ndërsa profeti flinte.—Danieli 7:1; Veprat 16:9, 10.
Me anë të mendimeve. Perëndia drejtoi mendimet e shërbëtorëve të tij që t’u përcillnin njerëzve mesazhin hyjnor. Pikërisht këtë kuptim kanë fjalët e Biblës: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.» Shprehja «i frymëzuar nga Perëndia» fjalë për fjalë mund të përkthehet «që i ka fryrë Perëndia». (2 Timoteut 3:16; The Emphasised Bible) Perëndia përdori frymën e shenjtë, ose forcën e tij vepruese, për t’u futur në mendje profetëve idetë e tij. Mesazhi ishte i Perëndisë, por profeti e formulonte me fjalët e tij.—2 Samuelit 23:1, 2.
A janë gjithmonë parashikim i së ardhmes profecitë?
Jo, profecitë biblike nuk janë vetëm parashikime të së ardhmes. Natyrisht, shumica e mesazheve nga Zoti lidhen me të ardhmen, qoftë edhe tërthorazi. Për shembull, profetët e Perëndisë i paralajmëruan vazhdimisht izraelitët në lashtësi për sjelljen e keqe. Në ato paralajmërime thuhej se do të kishin bekime nëse bindeshin dhe gjëma nëse nuk bindeshin. (Jeremia 25:4-6) Përfundimi varej nga udha që izraelitët do të zgjidhnin.—Ligji i përtërirë 30:19, 20.
Profeci biblike që nuk parashikonin të ardhmen
Në një rast, kur izraelitët i kërkuan ndihmë Perëndisë, ai u dërgoi një profet që t’u shpjegonte se, meqë nuk u ishin bindur urdhërimeve të tij, ai nuk i kishte ndihmuar.—Gjykatësit 6:6-10.
Kur Jezui i foli një gruaje samaritane, përmendi disa gjëra nga e kaluara e saj që nuk kishte si t’i dinte po të mos ia kishte zbuluar Zoti. Ajo e quajti profet edhe pse ai nuk i bëri ndonjë parashikim për të ardhmen.—Gjoni 4:17-19.
Gjatë procesit gjyqësor, armiqtë ia mbuluan fytyrën Jezuit, e goditën dhe pastaj i thanë: «Profetizo. Kush të goditi?» Ata nuk po i kërkonin të parashikonte të ardhmen, por të zbulonte me anë të fuqisë nga Perëndia se kush e kishte goditur.—Luka 22:63, 64.
a Ndonëse në pamje të parë mund të duket sikur Zoti i foli drejtpërdrejt Moisiut, Bibla tregon se Ai përdori engjëjt që t’i përcillte besëlidhjen e Ligjit.—Veprat 7:53; Galatasve 3:19.