A ËSHTË PROJEKTUAR?
Foleja e fazanit australian
Fazani australian, që jeton në jug të Australisë larg vijës bregdetare, e mban temperaturën e folesë së tij rreth 34 gradë celsius, ose dy a tre gradë më shumë a më pak. Si mundet ky zog të mbajë këtë lloj temperature ditë e natë, gjatë gjithë vitit?
Çdo dimër, fazani australian hap një gropë një metër të thellë dhe tre metra të gjerë, të cilën mashkulli e mbush me bar, me gjethe dhe me bimë të tjera. Pasi ky grumbull bimësh laget nga shirat e vona të dimrit, ai hap një gropë tjetër brenda saj dhe i mbulon bimët me rërë. Më vonë, këto bimë fillojnë të kalben dhe të çlirojnë ngrohtësi, duke krijuar kështu një inkubator natyral.
Sa herë që femra është gati të bëjë vezë, mashkulli e heq rërën në mënyrë që ajo t’i vendosë vezët brenda gropës. Menjëherë, ai i mbulon me rërë. Femra mund të bëjë deri në 35 vezë nga shtatori deri në shkurt. a
Shpesh, fazani australian e fut sqepin në rërë për të kontrolluar temperaturën. Më pas rregullon folenë në varësi të stinës. Për shembull:
Në pranverë, kur bimët kalben dhe temperatura e folesë rritet, mashkulli e freskon folenë duke hequr me këmbë ca nga rëra që është mbi të. Pastaj e mbulon përsëri me rërën që është ftohur.
Gjatë verës, zogu mashkull vendos më shumë rërë mbi vezët, që t’i mbrojë nga dielli. Por çdo mëngjes herët, ai e heq me këmbë rërën dhe e vendos përsëri pasi foleja dhe rëra të jenë ftohur.
Në vjeshtë, kur bimët kalben plotësisht, mashkulli e heq pothuajse gjithë rërën në mënyrë që dielli i mesditës t’i ngrohë vezët dhe rërën. Më vonë, e mbulon përsëri folenë me rërën e ngrohtë që ajo të mos ftohet gjatë natës.
Çdo ditë, zogu mashkull punon mesatarisht më shumë se pesë orë duke lëvizur rreth 850 kilogramë rërë. Si rezultat i kësaj pune të palodhur, rëra mbetet e shkrifët dhe zogjtë e vegjël e kanë më të lehtë të dalin nga foleja kur çelin.
Shiko si e heq rërën nga foleja fazani australian
Si mendon? A erdhi me evolucion aftësia e fazanit australian për të mbajtur nën kontroll temperaturën e folesë? Apo është projektuar?
a Ngrohja e vezëve kërkon shtatë deri në tetë javë, ndaj edhe puna për të mirëmbajtur folenë zgjat deri në prill.